Home Gjeo-Ekonomia Samiti i III i Diasporës/ Hasani: Diaspora, një rol të pazëvendësueshëm në...

Samiti i III i Diasporës/ Hasani: Diaspora, një rol të pazëvendësueshëm në avancimin e kauzës kombëtare

Nis edicioni i tretë i Samitit të Diasporës, me të ftuar të nderit nga të gjitha trojet shqiptare.

Në fjalën e mbajtur, ministri i Punëve të Jashtme Igli Hasani u shpreh se samiti vjen në një moment të paprecedentë historik për ne shqiptarët, të cilët sot më shumë se kurrë ruajnë një vend të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.

Hasani u shpreh se shqiptarët si një vend paqësor kanë ditur të promovojnë një model bashkëjetese e dialogu, çka na ka bërë ne të fitojmë respektin e admirimin e aleatëve, miqve e partnerëve.

“Diaspora ka rol të pazëvendësueshëm në avancimin e kauzës kombëtare”, tha Hasani, duke shtuar se i detyrohemi një borxh të pashlyeshëm bashkatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë kufijve.

Me dorën shtrirë ndaj shtetit shqiptar të Diasporës, ministri i Jashtëm theksoi se samiti është një mënyrë për të eksploruar bashkarisht ide dhe forma konkrete bashkëpunimi.

“Nuk ka mesazh më të qartë e më të bukur bashkimi, sesa kjo sallë e mbushur plot. Samiti vjen në një moment të paprecedentë historik për ne shqiptarët. Kurrë më parë nuk kanë gëzuar shqiptarët një reputacion më të mirë se sot. Ky është po ashtu një moment sfidash, rajoni përballet sot me shumë pasiguri.

Ne shqiptarët kemi ditur të konsolidojmë rolin tonë si garantë të orientimit euro-atlantik të rajonit.

Kemi ditur po ashtu të promovojmë një model bashkëjetese e dialogu. Kjo ka bërë që ne të fitojmë respektin e admirimin e aleatëve, miqve e partnerëve.

Kemi ende shumë për të bërë së bashku për t’i zhvilluar më tej vendet tona. Ajo që mund të bëjmë pa vëllezërit e motrat tanë nëpër botë, është fare pak.

Diaspora ka rol të pazëvendësueshëm në avancimin e kauzës kombëtare. I detyrohemi një borxh të pashlyeshëm bashkatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë kufijve. Samiti, një moment për të eksploruar bashkarish ide e forma konkrete bashkëpunimi. 

Rrjeti i përfaqësive të Shqipërisë, do të jetë gjithmonë dora e shtrirë e shtetit shqiptar ndaj diasporës”- tha Hasani.

Top Channel

Share: