Home Gjeo-Ekonomia Begaj në Samitin e Diasporës: Shqipëria ka përfituar nga bijtë e saj...

Begaj në Samitin e Diasporës: Shqipëria ka përfituar nga bijtë e saj jashtë, janë bërë histori suksesi

Presidenti Bajram Begaj ka mbajtur një fjalim në edicionin e tretë të Samitit të Diasporës të mbajtur në Tiranë. 

Ai ka përshëndetur të gjithë shqiptarët që kanë ardhur nga ane e mbanë botës dhe shprehet se secili prej tyre kanë dhënë një kontribut të madh për Shqipërinë. Sipas tij shumë shqiptarë janë shndërruar në histori suksesi dhe se vendi ynë ka përfituar nga ta.

“Është kënaqësi e veçantë që jemi mbledhur nga të gjithë anët a botës për të diskutuar dhe vijuar bashkërendim për të ardhmen e Shqipërisë sonë. Shqipëria është një vend gjeografikisht i vogël, por ju i keni dhënë një shtrirje globale shumë më të madhe se përmasat e saj. Sot komunitetet e shqiptarëve që gjenden edhe në vendet më të largëta të botës mishërojnë mbi të gjitha shpirtin e lirë të shqiptarit. Sot qindra mijëra shqiptarë të diasporës janë shndërruar në histori suksesi. Diaspora është promotorja më efeciente e kulturës dhe identitetit tonë, kartëvizita e shqiptarisë në botë. 

Ju, në rrugën tuaj të mbushur me sakrifica, nuk e keni harruar kurrë Shqipërinë. Secili, sipas mundësive ka dhënë gjithmonë një kontribut për kombin. Shqipëria nuk e ka luksin ta neglizhojë diasporën. Nuk duhet ta shohim atë si pjesë të shkëputur, por si zgjatim të natyrshëm të kulturës dhe identitetit tonë. Historia na mëson se vendi ynë vetëm ka përfituar nga bijtë e saj jashtë. Kushtet kanë ndryshuar rrënjësisht, por kemi akoma shumë për të bërë.
 
Për shkak se shumica juaj, e familjeve apo prindërve kanë mërguar nga ky vend, apo trojet tona, Shqipëria mban peshën, por dhe privilegjin e një dedikimi me emocion, idealizëm, nostalgji e shumë mall.  Ndaj dhe jam i bindur se angazhimi juaj është një vlerë e madhe e shtuar për shoqërinë tonë. Ju ftoj të kontribuoni aktivisht me ide, sugjerime, projekte e sipërmarrje për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, ekonominë e turizmin, si dhe  sferat në të cilat ju mendoni se duhet të punojmë më ngushtë bashkërisht.
 
Të nderuar miq, vendin tonë e bën veçanërisht të dashur për shqiptarë e të huaj marrëdhënia e çlirët e miqësore që dimë të krijojmë, natyra shumë e veçantë, tradita kulinare e sofrat e bukura për familje, miq e dashamirës, dhe besimi në burimet natyrore, njerëzore e kulturore. Ndërsa është gjuha shqipe, ajo, që i jep jetë e kuptim të gjitha këtyre, për ne brenda e ju jashtë vendit. Unë do të vijoj të mbështes punën e nisur nga Institucionet shtetërore për shpërndarjen e librave shqip nga autoritetet shtetërore për komunitete shqiptare në diasporë, por kjo nuk mjafton. Fëmijët duhet të kenë më shumë mundësi të mësojnë shqip, kudo ku të jenë. 

Përdorimi i gjuhës shqipe nuk mund të bëhet me urdhër, ai del si nevojë e komunitetit për të ruajtur atë, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar. Ndaj, roli i prindërve në përcjelljen e gjuhës shqipe te fëmijët është parësor. Mësimi dhe cilësia e përdorimit të gjuhës shqipe duhet të jenë prioritete që na bashkojnë. Shiheni si investim në të ardhmen tuaj këtë gjuhë të rrallë e të pasur në zemër të Evropës. Një falenderim i veçantë sot i takon të gjithë mësuesve dhe edukatorëve për përkushtimin dhe angazhimin për përçimin e gjuhës shqipe në ruajtje të identitetit tonë kombëtar”, u shpreh Begaj.

Top Channel

Share: