Home KRYESORE Shqipëria i bashkohet Javës Globale të Edukimit për Median dhe Informacionin

Shqipëria i bashkohet Javës Globale të Edukimit për Median dhe Informacionin

Instituti Shqiptar i Medias në bashkëpunim me AMA organizuan “Javën e Edukimit për Median dhe Informacionin”, duke iu bashkuar kështu Javës Globale të Edukimit për Median dhe Informacionin, një nismë e UNESCO për edukimin dhe ndërgjegjësimin e publikut, sidomos të rinjve, me problematikat dhe sfidat e sotme në këtë drejtim. Pjesëtare e kësaj iniciative ishte edhe Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar.

Nën lajtmotivin “Mendo, pastaj kliko!”, që njëkohësisht është një thirrje për të gjithë publikun që të mendojë në mënyrë kritike teksa ndërvepron me mediat dhe përmbajtjet mediatike, u organizuan një seri aktivitetesh në Tiranë, Durrës, Kavajë, Elbasan, Pogradec dhe Lezhë.

Rreth 250 nxënës të shkollave “Naim Frashëri”, “Aleksandër Moisiu”, “Vasil Kamami”, “Ibrahim Rugova”, “Muharrem Çollaku”, “Qemal Stafa”, “Besëlidhja”, “Luan Hajdaraga” dhe “Sinan Tafaj” patën mundësi që, përmes takimeve të hapura me gazetarët dhe trajnimeve, të merrnin informacion në lidhje me tematikat aktuale, si: funksionimi i medias, bullizimi kibernetik dhe gjuha e urrejtjes online, Inteligjenca Artificiale, higjiena digjitale, lajmet e rreme, dezinformimi, teoritë konspirative dhe çregullimet e tjera të informacionit.

Pjesë e aktiviteteve të Javës ishte simulimi i redaksisë mediatike ku nxënës nga shkolla “Sinan Tafaj” patën mundësi të praktikojnë aftësitë bazë për identifikimin dhe bërjen e lajmit, si edhe të vizitonin redaksinë e televizionit A2CNN. Këto aktivitete ndihmuan pjesëmarrësit të kuptojnë se si është e organizuar dhe funksionon një media, cili është procesi nëpër të cilin kalon përgatitja e lajmit para se të bëhet publik.

Interes të veçantë ngjalli edhe konkursi “Mendo, Krijo, Eduko” ku rreth 40 të rinj sollën punimet e tyre në formate të ndryshme si video, meme, ese, filma me metrazh të shkurtër, që adresonin tema si lajmet e rreme, inteligjenca artificiale, bullizmi kibernetik dhe gjuha e urrejtjes, si dhe mediat sociale.

Share: