Shqipëria ruan vendin e parë në grup, pasi mori një pikë në ndeshjen përballë Ishujve Faroe në Arenën Kombëtare.
Në një ndeshje të vakët dhe pa shumë raste, Shqipëria e mbyll këtë fushatë kualifikuese për Euro 2024. Një pikë që i mjafton Shqipërisë për të siguruar kreun e Grupit E me 15 pikë duke shkuar në Europianin e verës së ardhshme nga porta kryesore. Në stadiumin e mbushur në kapacitet maksimal, mes disa ndryshimeve në formacion nga trajneri Sylvinho, lojtarët kuqezi dukeshin me mendje te festa e kualifikimit.
Munguan rastet e pastra teksa për të pritur të parën goditje në kuadrat duhej të shënohej minuta e 36-të me Nedim Bajramin që tentoi nga distanca, por që u ndal nga portieri kundërshtar. Shtatë minutat shtesë të pjesës së parë ishin të tëra për Shqipërinë, por si Uzuni ashtu edhe Daku nuk mundën të finalizonin në pozicione mjaft të favorshme. Fraksioni i dytë ishte i vakët, madje ishin miqtë që patën më shumë iniciativë duke kërcënuar edhe njëherë portën e Strakoshës.
Ndërkohë, në të 67-tën, u regjistrua një kombinim i bukur mes Dakut dhe Asanit, me këtë të fundit që provoi por u devijua nga njëri prej mbrojtësve kundërshtarë. Deri në fund, nuk pati më raste konkrete dhe Shqipëria e mbyll me një barazim pa shkëlqim këtë fushatë eliminatore. Megjithatë, kuqezinjtë arritën një objektiv madhor si kualifikimi në Europian dhe tashmë festa mund të nisë plotësisht.
Shqipëri-Ishujt Faroe 0-0
67′ Kombinim i bukur mes Asanit dhe Dakut, godet sulmuesi anësor por topi devijohet në këndore nga një prej mbrojtësave kundërshtarë
55′ Për pak na befasojnë Ishujt Faroe, goditja e Bjartalid shkon ngjitur me shtyllën e Strakoshës
45+7′ Tjetër rast për Shqipërinë, Daku shpërdoron i vetëm përballë portierit kundërshtar
45+7′ Uzuni i afrohet golit, pret portieri kundërshtar
36′ Aksion individual i Nedim Bajramit, fantazisti provon me një goditje të fortë, por ndalet nga portieri kundërshtar
30′ Përplasje e frikshme mes lojtarëve të Ishujve të Faroes, problem për njërin prej tyre
19′ Asllani provon topin e gjatë për Dakun, sulmuesi provon deri në fund, por ishte në pozicion jashtë loje
1′ Starton ndeshja, Shqipëria luan e kualifikuar ndaj Ishujve Faroe, por pretendon të sigurojë edhe vendin e parë në Grupin E
Trajneri Sylvinho ndërkohë ka hapur letrat sa i takon formacionit teksa ka pesë ndryshime nga 11-tëshja e fundit që luajti ndaj Moldavisë. Kështu, Strakosha merr vendin në portë ndërsa në mbrojtje Balliu aktivizohet në vend të Hysajt. Në mesfushë pushon Ramadani dhe aktivizohet Bare ndërsa në sulm rikthehet Uzuni dhe Daku në vend të Seferit dhe Cikalleshit.FOTO GALERI1/36
Top Channel