Home KRYESORE U hap ekspozita me veshje shqiptare dhe te komuniteteve

U hap ekspozita me veshje shqiptare dhe te komuniteteve

Nga Ilir Muharremi

Nën ndriçimin natyral Xhubleta Shqiptare merr frymë nëBibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë. E vjetër rreth katër mijë vjet tashmë kjo veshje është nën mbrojtje nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, UNESCO. Fundi i xhubletës ka formën e kambanës, ndërsa pjesë të tjera të saj janë kraholi, kërdhokla, brezi, jeleku, stolitë prej sermi. Dukej në trajtë kambane, e valëzuar në pjesën e pasme, ruan fort mirë në kohë lufte identitetin e kombit shqiptar, nëpërmjet motiveve edhe simboleve të ndryshme, që tregojnë besimin në Zot edhe bukurinë e femrës malësore. Veshja konsiderohet unike për shkak të formës, strukturës dhe mënyrës se si është zbukuruar me grep. Të pranishmit ndaleshin dhe donin të preknin këtëveshje.

Dita e shtunë në hapësirën e Bibliotekës ishte zbukuruar me veshje kombëtare shqiptare dhe të komuniteteve që jetojnë në Kosovë. “Ekspozitë me veshje tradicionale shqiptare dhe kostumet tradicionale të komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, titullohej ekspozita e cila ishte kuruar nga kritiku i artit Ilir Muharremi i cili tha: “Kultura gjithmonë ruan fuqinë e saj në vete, por ajo është e heshtur nëse nuk trajtohet ose ekspozohet”. Sipas tij ky thesar duhet shpesh ta shohe dritën e jo vetëm gjatë festave të ndryshme. “Vërtetë më vjen keq pse sot nuk ka të rinjë të shohin kostumet tradicionale nga rajonet si Dukagjini, Mitrovica, Drenica, Rugova, Gora, të ekspozuara”, shtoi Muharremi. 

Ndërsa, ideatorja kryesore e këtij evenimenti ishte artistja Albana Krasniqi. Gjatë fjalimit të saj ajo prezantoi vlerën e çdo kostumi të ekspozuar duke vënë theksin kryesor te xhubleta shqiptare. “Në shek. XVIII, xhubleta bëhej me shumë ngjyra, por ngjyrat që kanë arritur në ditët e sotme janë: të zeza për gratë dhe bardhë e zi për vajzat. Pjesë të tjera të kostumit me xhubletë janë: kraholina, xhoka, kërdhokla,paraniku, kallmat, shputat” tha Krasniqi. Sipas saj Xhubleta e Malësisë së Madhe është trashëgimi e qartë e kulturës sonë ilire ku vetëm nëpërmjet saj ne paraqesim historinë e humbur të kombit tonë që malsorët tanë e përcollen deri në vitet 1950 -1960.

Në ekspozitë u shpërblyen me mirënjohje Gjyle Berisha, Serbeze Sylejmani dhe Kimete Shok të cilat i kanë sjellë disa nga veshjet tradicionale të tyre. 

Ekspozita është mbështetur nga Ministria e Kulturës nëPrishtinë.

Share: