Home Gjeo-Ekonomia “Vetoja” e Greqisë, Rama për “France24”: Nuk besoj se ky bllokim do...

“Vetoja” e Greqisë, Rama për “France24”: Nuk besoj se ky bllokim do të qëndrojë, me Athinën kemi marrëdhënie strategjike

Kryeministri Edi Rama në një intervistë për “France24” në emisionin “Këtu Europë” komentoi “veton” e Greqisë.

Mosfirmosjen e letrës së përbashkët të 27 vendeve anëtare të BE-së nga Athina zyrtare për çeljen e negociatave të Shqipërisë, Rama e konsideron një hap jo serioz, i cili nuk do të vijojë.

“Unë nuk dua t’i futem kësaj polemike. Sinqerisht nuk besoj se ky bllokim do të qëndrojë, sepse nuk do të ishte serioze. Nga ana tjetër, është vetëm çështje e  drejtësisë. Nëse shikoni raportin e progresit, Shqipëria vlerësohet vërtet mirë për çështjet e reformës në drejtësi. Unë jam shumë i kënaqur sepse Shqipëria është vendi më i përparuar në të gjithë Ballkanin për këto çështje”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare shprehet se me Greqinë Shqipëria ka marrëdhënie strategjike dhe se kjo çështje nuk lidhet me minoritetin grek.

“Dëgjoni, me Athinën kemi marrëdhënie strategjike dhe nga ana tjetër, kur flisni për minoritet grek, dua të saktësoj sikurse e thatë, kandidati ishte shqiptar me origjinë greke, edhe kundërshtari i tij në zgjedhje ishte po ashtu shqiptar me origjinë greke. Atëherë s’mund të jetë një çështje minoriteti grek kjo”, shtoi Rama.

Intervistë e plotë e Kryeministrit Edi Rama dhënë për France24, në emisionin “Këtu Europë”

– Mirëdita të gjithëve, mirë se erdhët në “Këtu Europë”. Javën e kaluar Komisioni Evropian ka nxjerrë raportin e tij ku parashtron përshpejtimin e zgjerimit. Një pjesë të mirë të këtij emisioni do t’ia kushtojmë Shqipërisë, që ka ngjallur mjaft interes, një vend ish komunist në Ballkanin Perëndimor, ndodhet përballë Italisë, në detin Adriatik, me 3 milionë banorë. Do të lidhemi tani me Kryeministrin e saj Edi Rama.

– Edi Rama përshëndetje, po kujtoj që jeni kryetar i Partisë Socialiste, keni marrë drejtimin e qeverisë para 10 vitesh saktësisht, pra mandati i tretë, Shqipëria sapo ka nënshkruar një marrëveshje për migracionin me Italinë që ka shkaktuar mjaft debat, do të flasim edhe për këtë. Por si fillim të kujtojmë që jeni anëtar i NATO-s që prej vitit 2009, jeni vend kandidat që në vitin 2014 për në BE, negociatat për anëtarësim me Brukselin filluan në korrik 2022, në të njëjtën kohë me Maqedoninë e Veriut. Z. Kryeministër çfarë mendoni për njoftimet e Komisionit Evropian në lidhje me zgjerimin e Klubit të 27-ve?

Kryeministri Edi Rama: Në përgjithësi raporti është shumë pozitiv. Shënon me objektivitet të gjithë progresin që kemi arritur, por shënon gjithashtu gjithçka që duhet të vazhdojmë të bëjmë sepse nuk jemi ende në fund të rrugës.

–  Hapja e negociatave me Ukrainën, një vend në luftë me Rusinë, a është një sinjal inkurajues edhe për ju?

 Kryeministri Edi Rama:  Duhet pritur deri në fund sepse nuk është ende zyrtare. Sigurisht është një vendim gjeopolitik shumë i fortë dhe është gjithashtu provë e faktit që Bashkimi Evropian prej disa kohësh po përpiqet të bëhet më tepër gjeopolitik dhe më pak teknokratik, por sigurisht ka shqetësime dhe duhet parë se si do të zhvillohen gjërat sepse konflikti i ri në Lindjen e Mesme nuk ndihmon, nga ana tjetër ka një lloj lodhje të përgjithshme në opinionin publik evropian dhe amerikan ndaj kësaj lufte, ku duhet duruar e nuk duhet rënë në kurthin e sondazheve dhe perceptimeve që nuk janë pozitivë ndaj vullnetit për të vazhduar me çdo çmim deri në pafundësi.

– Z. Rama Shqipëria juaj ka  probleme për t’u anëtarësuar në Klubin evropian.  Greqia po bllokon  letrën e  27 vendeve anëtare për hapjen e kapitujve. Në maj të këtij viti, kandidati për Bashkinë e Himarës, shqiptar me origjinë greke, Fredi Beleri, që kandidonte për opozitën, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve i dyshuar për blerje votash. Por akuzoheni ju se po e pengoni të zgjidhet kryetar bashkie për të mbajtur nën kontroll lejet në këtë zonë bregdetare në zhvillim e sipër. Si përgjigjeni ju?

Kryeministri Edi Rama:  Unë nuk dua t’i futem kësaj polemike. Sinqerisht nuk besoj se ky bllokim do të qëndrojë, sepse nuk do të ishte serioze. Nga ana tjetër, është vetëm çështje e  drejtësisë. Nëse shikoni raportin e progresit, Shqipëria vlerësohet vërtet mirë për çështjet e reformës në drejtësi. Unë jam shumë i kënaqur sepse Shqipëria është vendi më i përparuar në të gjithë Ballkanin për këto çështje.

-Megjithatë në vendin tuaj ndodhet edhe minoriteti grek afërsisht 1% të popullsisë. A shpresoni të pajtoheni me Greqinë?

Kryeministri Edi Rama:  Dëgjoni, me Athinën kemi marrëdhënie strategjike dhe nga ana tjetër, kur flisni për minoritet grek, dua të saktësoj sikurse e thatë, kandidati ishte shqiptar me origjinë greke, edhe kundërshtari i tij në zgjedhje ishte po ashtu shqiptar me origjinë greke. Atëherë s’mund të jetë një çështje minoriteti grek kjo!

-E thashë edhe në fillim, më 7 nëntor ju firmosët një marrëveshje me kryeministren Giorgia Meloni, e  së djathtës konservatore, një marrëveshje migracioni e befasishme dhe e pazakontë. Sofi Samai na e shpjegon përse.

Reporterja: E nënshkruar më 7 nëntor, marrëveshja mes Romës dhe Tiranës parashikon që emigrantët e shpëtuar në Mesdhe nga Marina italiane mund të strehohen në qendra pritjeje në anën tjetër të detit Adriatik, në Shqipëri. Dy ndërtesat do të financohen nga qeveria e së djathtës konservatore e Giorgia Meloni, do të hapen pranverën e ardhshme, sikurse shpreson kryeministrja.

Këto ndërtesa do të strehojnë rreth 3000 njerëz që do të qëndrojnë për aq kohë sa duhet për të përfunduar procedurat e kërkesave për azil apo të riatdhesimit. Mund të bëhet fjalë për 39 000 emigrantë në vit, pa përfshirë gratë shtatzëna dhe fëmijët.

Por kritikat kanë filluar tashmë. Disa anëtarë të opozitës shqiptare e konsiderojnë si tradhti ndaj kombit shqiptar. Ndër ta, ish presidenti dhe kryetari i partisë së opozitës  Sali Berisha.

Sali Berisha: Është nënshkruar një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Italisë kur ishte në pushtet Partia Demokratike. Sipas kësaj marrëveshje, çdo emigrant që mbërrin në Itali prej Shqipërisë, duhet të kthehej përsëri në Shqipëri prej nga të dërgohej në vendin e origjinës

Reporterja : Edhe në Bruksel ka shqetësime për respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut, ndërsa Shqipëria nuk është anëtare e Bashkimit Evropian dhe qendrat e strehimit do të jenë në juridiksion italian. Qarkullojnë edhe zëra për natyrën e kësaj marrëveshje diplomatike sipas të cilës Shqipëria mund të anëtarësohet më shpejt në Klubin e të 27-ve. Kryeministri shqiptar Edi Rama e mohon një pazar të tillë. Që prej ardhjes së saj në pushtet para 1 viti, G. Meloni e ka shndërruar luftën kundër emigracionit në kalë beteje, por pa sukses. Më tepër se 47 mijë njerëz kanë mbërritur në Itali gjatë vitit 2023, përkundrejt 28 mijë për të njëjtën periudhë gjatë vitit të kaluar.

– Përse kjo marrëveshje surprizë që i kapi të gjithë në befasi?

Kryeministri Edi Rama: Duhet theksuar një arsye shumë e thjeshtë. Është e vërtetë që Shqipëria nuk është ende vend anëtar i BE, por është vend plotësisht evropian, fqinj me Italinë, dhe sikur e njëjta marrëveshje të ishte bërë me një vend  të BE, nuk do të ishte fare lajm i ditës. Por fakti që kjo  marrëveshje bëhet me një vend jo anëtar shkakton, jo vetëm lajm, por dhe teori konspiracioni dhe dyshime që nuk janë serioze, për mua. Nëse ngremë pikëpyetje për metodën, duhet të ngremë pikëpyetje për gjithë Bashkimin Evropian, duhet të ngremë pikëpyetje për metodën në gjithë vendet e BE, sepse këto qendra pritjeje nuk janë gjë e re. Bëhet fjalë për një qendër pritjeje që është standard në të gjitha vendet e BE.

– Vetëm se është e eksternalizuar, sikurse e thatë mirë, jashtë territorit të BE. Edhe në vendin tuaj ka ngjallur habi kjo marrëveshje, më tepër se 30.000 emigrantëve që mund të mbërrijnë në vit në një nga qendrat e pritjes do të vendoset në zonën e Shëngjinit 75 km larg Tiranës.  Disa shqiptarë kanë frikë se kjo masë do të vërë në rrezik industrinë e turizmit lokal.

Kryeministri Edi Rama: Përse duhet të skandalizohemi nëse është e eksternalizuar nga një vend i Bashkimit Evropian në një vend plotësisht evropian që është fqinj me këtë vend evropian? Nuk duhet të skandalizohemi nga kjo, duhet të mendohemi si të reagojmë të gjithë ndaj këtij fenomeni që është gjithnjë e më i madh dhe që askush nuk i ka dhënë përgjigje. Ndoshta qendrat e pritjes nuk janë zgjidhja e vërtetë, por nuk na takon neve t’i japim mend Evropës. Ne thjesht po i japim një ndihmë të vogël një vendi jo vetëm fqinj, por me të cilin jemi të lidhur thellësisht prej një kohe të gjatë. Nga ana tjetër, duhet të them se nuk bëhet fjalë për 36 000 njerëz, por për një qendër pritjeje me 3000 vende në dispozicion. Kjo do të thotë që do të ketë 3000 njerëz në Shqipëri dhe asnjë më tepër, nëse ka rotacion kjo është diçka normale, mund të ketë më tepër njerëz që priten dhe të cilëve u shqyrtohet kërkesa në Shqipëri. Por janë 3000 njerëz. Dhe nuk mendoj se këta 3000 njerëz do të tronditin industrinë e turizmit. Sepse kemi strehuar tashmë 4000 e ca afganë…

-Në 2021. Ju jeni social – demokrat, kur OJF si Amnisti Internacional e konsideron këtë marrëveshje të paligjshme me pasoja shkatërruese për emigrantët që mund t’i nënshtrohen një izolimi të gjatë dhe dhunimeve të tjera, kjo marrëveshje që përjashton vetëm fëmijët dhe gratë shtatzëna, nuk keni frikë se do të ndihmojë zhvillimin e trafikut shqiptar të qenieve njerëzore?

Kryeministri Edi Rama: E gjithë kjo më duket e vështirë për t’u kuptuar. E përsëris, kjo nuk është e vetmja qendër pritjeje në Evropë, ka të njëjtin standard dhe natyrë si ato në Greqi. Greqia është vend anëtar i BE dhe nuk e di nëse ka ndonjë dallim dhe ku e shohin dallimin ata që kritikojnë. Dhe 3000 njerëzit që do të vijnë në Shqipëri në qendrën pritëse të bëhen shkas për refrenin e vjetër të historive me mafiozë, me trafikantë, me të drejtat e njeriut e të tjera si këto, nuk është serioze. Duhet të mendojmë më në thellësi për këto gjëra, duhet gjetur zgjidhje …

– Ndoshta një zgjidhje evropiane shumëpalëshe, ndoshta ajo që habiti ishte fakti që ishte marrëveshje dypalëshe.

Të flasim pak për vendin tuaj, Banka Botërore parashikon një rritje prej 3.6% për vitin 2023 që është pak në rënie në fakt. Komisioni propozon një plan rritjeje për Ballkanin prej 6 miliard euro,  2 miliard subvencione pjesa tjetër në formë huaje. Ku mund të investohet me prioritet?

Kryeministri Edi Rama: Unë jam i kënaqur me faktin që ekonomia shqiptare konsiderohet nga Institucionet financiare ndërkombëtare si FMN, Banka Botërore, si një ekonomi me rezistencë të veçantë. Në kohën e krizës së çmimeve, të krizës energjisë etj, kemi patur inflacionin më të ulët të rajonit dhe nga ana tjetër filluam këtë vit, do të vazhdojmë edhe vitin tjetër, me një rritje të rëndësishme të pagave, çka do ta çojë pagën mesatare në sektorin publik në 900 euro. Deri para 5-6 vitesh kjo ishte diçka e papërfytyrueshme. Nga ana tjetër, shpresojmë shumë tek Bashkimi Evropian dhe plani i rritjes sepse kjo është e rëndësishme, jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë rajonin.

– Ju keni përshtypjen se Komisioni Evropian, vendet evropiane janë më të bindur për interesin gjeopolitik të integrimit të vende të Ballkanit, por mbeten ende problemet mes tyre, sidomos mes Serbisë dhe Kosovës, me tensione shumë të dukshme. Si mendoni se mund të zgjerohet Klubi i 27 vendeve me vende që kanë ende tensione të forta mes tyre?

 Kryeministri Edi Rama: Ndoshta, është ajo që thatë ju, dhe me të drejtë. Ndoshta kjo është një arsye më tepër për t’i integruar. Nga pikëpamja gjeopolitike do të ishte vetëvrasje për Bashkimin Evropian nëse do të përjashtonte rajonin apo disa vende. Duhet të bëjë të kundërtën e kësaj, duhet të përfshijë dhe të bashkojë sepse është mënyra e vetme për të arritur paqen përfundimtare në rajon. Po, ka herë pas here probleme, ka goditje dhe kthime pas, por kuadri i përgjithshëm i rajonit është shumë më i mirë se sa para 10 vjetësh. Dhe kjo falë Bashkimit Evropian dhe tërheqjes që gëzon Bashkimi Evropian në këto vende.

– Për ta mbyllur në mënyrë më pozitive, këtë vit çmimi evropian i letërsisë iu dha romanit me titull “Zgjerimi” nga Robert Menasse një histori me humor  dhe shumë  evropiane, me shumë personazhe sidomos me personazh një Kryeministër, ish basketbollist, piktor, antikonformist, ndoshta ju kujton dikë, por edhe i zhgënjyer nga paaftësia e të 27 vendeve për të tejkaluar egoizmat kombëtare e tyre për të hapur klubin  ndaj më eurofilëve se ata, edhe kjo ju kujton dikë besoj?

Kryeministri Edi Rama: Po, po, më kujton dikë, dhe jam i kënaqur që ky dikush ka frymëzuar dikë për të bërë diçka që nuk është e mërzitshme në BE sepse kemi nevojë për një BE më të gëzuar, më optimiste dhe më të freskët.

– Faleminderit që ishit i ftuari ynë sot! Faleminderit që na ndoqët në Francë 24 dhe Radio France Internationale. Shihemi së shpejti.

Share: