Pas refuzimit të një dite më parë, Kryesuesit e Kuvendeve Komunale të katër komunave veriore të Kosovës po presin kërkesat zyrtare për fillimin e procedurave për organizimin e peticionit për shkarkimin e kryetarëve të Leposaviçit, Zubin Potokut, Zvecanit e Mitrovicës së Veriut.
Gjatë paradites së të merkurës pranë komunës së Mitrovicës së Veriut nuk ka shkuar asnjë kërkesë nga qytetarët e as organizatat që morën përsipër mbledhjen e nënshkrimeve një ditë më heret.
Sipas kryesuesit të kuvendit të Mitrovicës së Veriut, të martën nuk kanë pranuar kërkesë zyrtare.
“Ajo kërkesë nuk e ka përmend peticionin, juridikisht nuk i kanë kryer obligime sipas udhëzimit administrativ”– tha Nexhat Uglani, kryesues i kuvendit komunal të Mitrovicës së Veriut.
Por, sipas Udhëzimit Administrativ për shkarkimin e kryetarëve me peticion, organizatorët që duan të autorizohen si grupi nisnëtar për mbledhjen e nënshkrimeve kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve katër email me kërkesën, një prej të cilave nuk kishte formularin e nevojshëm.
Organizatorët fillimisht duhet të dorëzojnë në Kuvend Komunal kërkesën për autorizim e të presin pesë ditë për përgjigje, nëse refuzohen, përmes KQZ-së mund të autorizohen e pastaj të nisin procedurat për lokacionin, numrin e nevojshëm të nënshkrimeve për të cilat ka kohë 30 ditë për t’u mbledhur.
Më 23 prill kryetarët shqiptarë u zgjodhën nga një numër i ulët i votuesve pasi serbët nuk morën pjesë në votim, që nga ajo kohë ka pasur trazira në katër komunat veriore të Kosovës.
Top Channel