Home Gjeo-Ekonomia Petraq Milo: Politikat ekonomike dhe sociale në periudhën 1978-2021, dhe objektivat për...

Petraq Milo: Politikat ekonomike dhe sociale në periudhën 1978-2021, dhe objektivat për periudhën 2026-2035 të Kinës

Ky shkrim ka për qellim të analizojë politikat ekonomike dhe sociale si dhe arritjet e Kinës në kater faza të saj të zhvillimit ekonomik dhe social. Faza e parë përfshin periudhen 1978-1996. Faza e dytë është periudha 1996-2012. Faza e tretë është periudha 2012-2021. Dhe faza e katërt do të analizojë objektivat e qeverisë së Kinës në periudhen afat shkurtër 2021-2026, si dhe atë afat gjatë 2026-2035.

Hyrje e pergjitheshme

Sipas Lin Yang[1], në shekullin 19 Kina është një nga ekonomitë më të mëdha në nivel global. Në fillim të shekullit, Kina do të jetë ekonomia më e madhe e botës dhe pjesa e saj në nivelin global do të rritet nga 25% deri në rreth 33% në vitin 1820. Kina ishte po aq e pasur sa shumica e ekonomive evropiane. Prodhimi i Brendëshëm Bruto i Kinës në vitin 1820 ishte 228.6 miliard USD, më i lartë se ekonomitë e Japonisë, SHBA dhe të gjitha vendeve perëndimore së bashku.

Në vitin 1850 Kina vazhdon të mbetet ekonomia e parë në botë, por pjesa e saj në nivel global fillon dhe zvogëlohet. Rritja ekonomike e vendit në raport me ekonomitë e tjera të zhvilluara do të fillojë të zvogëlohet duke rezultuar në një rënie graduale të madhësisë të PBB-së së saj kundrejt nivelit global. Në vitin 1950 pjesa e ekonomisë së Kinës në nivelin global do të ishte në nivelin më të ulet në rreth 4.6%.

Burimi : Development Centre Studies, The World Economy, A Millennial Perspective, Angus Maddison, OECD, 2001

Burimi : Development Centre Studies, The World Economy, A Millennial Perspective, Angus Maddison, OECD, 2001

PBB për banorë në USD në vitin 1820 është në 600 USD, ose në rreth 90% e PBB e nivelit global, dhe 48% në raport me PBB për banorë e SHBA. Në vazhdim ky raport do të ulet gradualisht duke arritur në vitin 1950 në 20.7% e nivelit global dhe në nivelin e 4.6% të SHBA.

Burimi : Development Centre Studies, The World Economy, A Millennial Perspective, Angus Maddison, OECD, 2001

Burimi : Development Centre Studies, The World Economy, A Millennial Perspective, Angus Maddison, OECD, 2001

Reforma ekonomike filloi në dhjetor 1978 kur Plenumi i Tretë miratoi propozimet e Deng Xiaoping. Në vitin 1978, Kina ishte një nga vendet më të varfra në botë, dhe pjesa e ekonomisë së saj në nivelin global ishte 4.9%. Përpara fillimit të reformave ekonomike dhe liberalizimit të tregtisë në vitin 1979, Kina ka një ekonomi të planifikuar, të kontrolluar nga qendra dhe relativisht të izoluar nga ekonomia globale. Një pjesë e madhe e prodhimit të vendit drejtohej dhe kontrollohej nga shteti, i cili përcaktonte sasitë e prodhimit, kontrollonte çmimet dhe ndante burimet në pjesën më të madhe të ekonomisë. Të gjitha fermat shtëpiake individuale të Kinës u kolektivizuan në komuna të mëdha. Deri në vitin 1978 rreth tre të katërtat e prodhimit industrial sigurohej nga ndërmarrje shtetërore sipas objektivave të planifikuara nga qendra. Mungonin mekanizmat e tregut për të shpërndarë në mënyrë efikase burimet. Kishte pak stimuj që ndërmarrjet, punëtorët dhe fermerët të bëheshin më produktivë, apo të shqetësoheshin për cilësinë e asaj që ata prodhonin.

Tregtia e jashtme përgjithësisht kufizohej në marrjen e atyre mallrave të cilat nuk mund të prodhoheshin në Kinë. Qëllimi i qeverisë kineze ishte ta bënte ekonominë e Kinës relativisht të vetë mjaftueshme. Në vitin 1978, qeveria kineze vendosi të shkëputej nga politikat egzistuese duke reformuar gradualisht ekonominë sipas parimeve të tregut të lirë dhe duke u hapur ndaj tregtisë dhe investimeve të jashtme me synimin për të rritur ndjeshëm rritjen ekonomike dhe standardet e jetesës. Nga hapja ndaj tregtisë dhe investimeve të huaja dhe zbatimi i reformave të tregut të lirë në 1978, Kina ka qenë ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në botë. Rritja reale vjetore e produktit të brendshëm bruto (PBB) gjatë periudhës 1978-2021 është mesatarisht 9.2%.

Banka Botërore e ka përshkruar si “zgjerimi më i shpejtë i qëndrueshëm në histori nga një ekonomi e madhe”. Kina është shndruar në ekonominë e dytë më të madhë, ku pjesa e saj e PBB-së është 18.7% e ekonomisë botërore. PBB-ja e Kinës për banorë në dollarë U.S. është rritur nga 156,4 USD në 1978 në 11 897 USD në vitin 2021. Një rritje e tillë i ka mundësuar të dyfishojë PBB-në e saj çdo tetë vjet dhe ka ndihmuar në nxjerjen e rreth 875 milionë njerëzve nga varfëria ekstreme.

PBB për banorë në USD (me çmime korente)

Source : World Economic Outlook, October 2021 and World Bank

Burim : World Economic Outlook, October 2021 and World Bank

Në objektiva afatgjata mbas vitit 2035, Kina synon të shndrohet në vitin 2031 në ekonominë e parë në nivel global. Sipas parashikimeve të World Economic League Table 2022, në vitin 2031 PBB e Kinës në çmime korente do të jetë 37 608 miliard USD, dhe në vitin 2036 do të jetë 55 068 USD. Ndërsa PBB e SHBA në vitin 2031 do të jetë 34 445 miliard USD, dhe në vitin 2036 në 43 246 miliard USD.

Burimi : World Economic League Table 2022

Burimi : World Economic League Table 2022

Politikat ekonomike dhe sociale në periudhën 1978 – 1996

Duke filluar nga viti 1979, zbatimi i reformave konfirmoi epokën e socializmit të tregut. Në periudhen 1978 -1996, reformat synuan krijimin e një ekonomie të orientuar nga tregu bazuar në pronësinë private. Reformat u fokusuan në tre aspekte, në rregullimet strukturore, në reformat e çmimeve, dhe liberalizimit të kontrollit dhe të qeverisjes. Rregullimi strukturor do të nënkuptonte shpërndarjen efikase të burimeve dhe ndryshimet e pronësisë. Reforma e çmimeve do të bënte më transparente performancën e ndërmarjeve publike dhe do të ofronte stimuj për rritjen e prodhimit.

Liberalizimi do të inkurajonte konkurrencën, inovacionin dhe përmirësimin e produktivitetit me të cilën përballej sipërmarrja shtetërore. Reformat e qeverisjes do t’u jepnin më shumë pavarësi drejtuesve mbi vendimet e ndërmarrjeve. Në vitin 1996 u konsoliduan liberalizimi i çmimeve, përshpejtimi i ritmeve të hapjes, krijimi i bursës së kapitaleve, ekspansioni fiskal dhe monetar. Gjithashtu do të krijoheshin katër zona të veçanta ekonomike përgjatë bregdetit, me qëllim tërheqjen e investimeve të huaja, nxitjen e eksporteve dhe importimin e produkteve të teknologjisë së lartë në Kinë. Sipas Qiang, reformat e ndërmarra promovuan rritme të larta të rritjes ekonomike[2]

Prioriteti i parë i reformës strukturore do të ishte përmirësimi i efikasitetit të prodhimit industrial. Ideja qëndrore ishte që norma e rritjes mund të përshpejtohej duke rishpërndarë investimet shtetërore nga sektorë më pak efiçent si mbrojtja, metalurgjia dhe ndërtimi i makinerive, në sektorë më eficientë, veçanërisht në sektorët që prodhonin inpute për prodhimin e plehrave kimike bujqësore dhe mallrave të qëndrueshme të konsumit. Në fakt rregullimi strukturor i modelit kinez është pothuajse një shembull klasik i experiencës së Bankës Botërore. Qëllimi i kësaj strategjie ishte të ndryshonte strukturën e produkteve industriale të Kinës në mënyrë që t’i jepte peshë më të madhe industrisë së lehtë dhe konsumit privat.

Bilanci i prodhimit industrial u zhvendos ndjeshëm nga industria e rëndë drejt industrisë së lehtë. Pesha e industrisë primare ra nga 27.7% e PBB-së në 1978 në 19.3% të PBB-së në vitin 1996. Industria dytësore pothuajse ka mbetur në të njëjtin nivel, nga 47.7% e PBB në vitin 1978 në 47.1% e PBB në vitin 1996. Një rritje të konsiderueshme ka shënuar industria terciale nga 24.6% e PBB-së në 1978 në 33.6% të PBB-së në 1996. Pesha e bujqësisë ndryshoi kundrejt industrisë së shërbimeve. Pjesa e bujqësisë ndaj PBB-së ra nga 27.7% në 1978 në 19.3 të PBB-së në 1996, ndërsa e shërbimeve u rrit nga 24.6% në 33.6% në vitin 1996. Edhe pse Kina mbeti një fuqi prodhuese industriale, ekonomia e saj do të ofronte gjithnjë e më shumë shërbime. Ndryshimet e peshës së industrive do të reflektonin dhe ndryshimet në strukturën e punësimit. Punësimi në industrinë primare ra nga 70.5% e totalit të fuqisë puntore në vitin 1978 në 50.5% në vitin 1996, e industrise sekondare u rrit nga 17.3% në vitin 1978 në 23.5% në vitin 1996, dhe e industrisë terciare nga 12.2% në vitin 1978 në 26.0% në vitin 1996.

Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës së Kinës

Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës së Kinës

Reformat ekonomike të vitit 1978 ndikuan gjithashtu në rritjen e produktivitetit të bujqësisë megjithë rënien e peshës së saj në produktin e brendëshëm bruto. Politikat në bujqësi u fokusuan në ndryshimin e pronësisë së tokës si dhe vendosjen e çmimeve më të larta të produkteve bujqësore. Stimujt e çmimeve dhe të pronësisë për fermerët u mundësoi atyre të shisnin një pjesë të prodhimit bujqësor në tregun e lirë. Kjo rriti më shumë produktivitetin e fermave familiare dhe përdorimin më efikas të punës.

Rendimenti i produkteve kryesore bujqësore është pothuajse dyfishuar nga viti 1978 në 1996. Zhvillimi i bujqësisë do të mbështetej në rritjen masive të plehrave kimike si dhe përmirësimin e sistemit të ujitjes. Sasia e plehrave kimike është rritur më shumë se 4 herë gjatë periudhës, nga 8,84 milion ton në 1978 në 35,94 milion ton në 1996, ndërsa sipërfaqja e tokës e ujitur u rrit nga 449,7 ha në 503,8 milion ha në 1996.

<br>Burimi : Zyra Kombetare e Statistikave, per drithrat Banka Boterore

Burimi : Zyra Kombetare e Statistikave, per drithrat Banka Boterore

Megjithë rritjen e lartë të eksportëve dhe importeve, Kina mbeti pjesërisht e integruar në ekonominë botërore. Promovimi i IHD-ve u plotësua me një ulje progresive të tarifave për importet, por që përsëri mbeten relativisht të larta. Niveli i Investimeve të Huaja Direkte arriti në rreth 40.2 miliardë USD. Importet u rriten nga 5.1% e PBB-së në 1978, në 15.9% të PBB-së në 1996. Ndërsa totali i eksporteve u rrit nga 4.6% e PBB-së në 1978, në 17.9% të PBB-së në vitin 1996.

Në këtë periudhë u realizuan ndryshime të konsiderueshme në strukturën e pronësisë edhe pse nuk pati përpjekje për privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore. Ndërmarrjeve shtetërore ju lejua të mbanin një pjesë të madhe të fitimeve të tyre dhe ju dha shumë më tepër autonomi në lidhje me përcaktimin e pagave dhe të bonuseve. Atyre ju lejua të shisnin disa nga produktet e tyre me çmime të përcaktuara nga tregu, pasi të kishin përmbushur kërkesat e planit. Ndërmarrjeve te provincave dhe pushtetit lokal ju lejua të drejtonin dhe të konkurronin mbi parimet e tregut të lirë, dhe jo nën drejtimin e planifikimit shtetëror. Gjithashtu, qytetarët u inkurajuan që të hapin bizneset e tyre. Reforma e pronësisë në bujqësi konsistoi në zëvendësimin e bujqësisë kolektive nga një sistem i bujqësisë familjare në shkallë të vogël.

Strategjia e dytë u fokusua në reformën e çmimeve dhe liberalizimin. Rregullimit i çmimeve ishte një ndryshim në strukturën relative të tyre. Struktura e cmimeve ishte një shqetësim veçanërisht per bujqësinë, ku çmimet e prokurimeve shtetërore ishin aq të ulëtasa nga fundi i viteve 1970 ishte e pamundur për komunat të realizonin fitim nga prodhimi i një game të gjerë mallrash bujqësore si gruri, misri, vaji vegjetal, pambuku, etj të cilat u bënë të padobishme për t’u prodhuar. Kontrollet shtetërore të çmimeve për një gamë të gjerë produktesh u eliminuan gradualisht.

Reforma e çmimeve do të ndikonte në rritjen e prodhimit dhe të fitimit në ato sektorë industrialë të cilët më parë ishin penalizuar nga çmimet e ulëta të produkteve. Duke siguruar që çmimet të vendoseshin në vlera të cilat ishin të përafërta me kostot marxhinale, kjo e bëri më shumë transparente punën e ndërmarrjeve shtetërore. Një ndërmarrje nuk mund të fshihej me justifikimin se çmimet e produkteve të saj ishin vendosur në një nivel shumë të ulët për të lejuar fitime. Liberalizimi nënkuptonte dhe heqjen e barrierave për hyrjen në treg të kompanive private, duke rritur shkallën e konkurrencës.

Periudha ndërmjet viteve 1978 dhe 1996 është gjithashtu një proces i plotë liberalizimi përsa i përket kontrollit mbi sektorin privat. U miratuan tre politika kryesore: heqja e kontrollit për krijimin e kompanive të sektorit privat, heqja graduale e kontrollit mbi kompanitë e huaja që investonin në Kinë, si dhe heqja e kontrolleve për krijimin e ndërmarrjeve rurale në pronësi kolektive. Reformat shtesë, të cilat pasuan më tej do të ishin decentralizimi i politikave ekonomike në disa sektorë, liberalizimi i tregtisë, si dhe hapja gjithnjë e më shumë e ekonomisë ndaj tregtisë dhe investimeve të huaja. Heqja e barrierave tregtare inkurajoi konkurrencë më të madhe dhe tërhoqi flukse hyrëse të IHD-ve. Rajonet dhe qytetet bregdetare u përcaktuan si qytete të hapura dhe zona zhvillimi, gjë që i lejoi ata të eksperimentonin me reformat e tregut të lirë dhe të ofronin stimuj tatimorë dhe tregtarë për të tërhequr investime të huaja.

Një iniciativë e rëndësishme ishte krijimi i katër Zonave të Veçanta Ekonomike, në Shenzhen, në Shantou, në Zhuhai në fund të vitit 1979 dhe në Xiamen në tetor të vitit 1980. Synimi ishte tërheqja e investimeve të huaja direkte, dhe si rrjedhim promovimi i eksporteve nga kompanitë e reja të sipërmarrjes së përbashkët dhe transferimi i teknologjisë. Regjimi rregullator relativisht i relaksuar u karakterizua nga norma të ulëta të taksave dhe reduktimin e procedurave burokratike për të inkurajuar transferimin e teknologjisë. Hapja ndaj ekonomisë botërore e shëndroi Kinën gjithnjë e më shumë në një magnet për investimet e huaja direkte, si dhe një furnizues i eksporteve të lira.

Elementi tjetër i reformës do të jenë përpjekjet për të përmirësuar qeverisjen e ndërmarrjeve shtetërore. Reformat e përmirësimit të qeverisjes ofruan më shumë pavarësi të vendimarrjes për drejtorët e ndërmarrjeve. Qeveria qendrore synoi të krijonte ndërmarrje fitimprurëse dhe mënyra më e mirë për ta bërë këtë ishte t’u jepte drejtuesve një nxitje për të bërë fitime. Strategjia arriti në transferimin e fuqisë vendimmarrëse tek drejtorët e ndërmarrjeve. Gradualisht do të jenë ekspertët në drejtimin e ndërmarrjeve shtetërore.

Në vitin 1980, reformat fiskale filluan me zbatimin e një sistemi të përgjegjësisë fiskale, sipas të cilit qeveria qendrore dhe qeveritë në nivelin e provincave nënshkruan kontrata për ndarjen e të ardhurave. Taksat e mbledhura nga pushteti vendor do të ndaheshin në dy pjesë, në të ardhurat fikse të cilat do t’i dërgoheshin qeverisë qendrore dhe në të ardhurat vendore. Ky sistem i ndarjes së të ardhurave u ofroi qeverive vendore stimul të fortë për të rritur bazën e tyre të të ardhurave. Qeveritë vendore ju lejohej të mbajnë më shumë kur mbledhin më shumë të ardhura. Rezultati i drejtpërdrejtë i këtyre reformave në vitet 1980 deri në vitin 1994 ishte një rritje e shpejtë e të ardhurave vendore. Por situata u përkeqësua për qeverinë qendrore, pjesa e të ardhurat totale të së cilës ra në vitin 1993 në rreth 22% të të ardhurave totale nga mbi 38% që ishte në vitin 1985. Në terma realë, ekonomia u rrit gjashtëfish gjatë periudhës, por të ardhurat totale të qeverisë qendrore u ulën duke dobësuar aftësinë e saj për të ushtruar kontroll makroekonomik. Për të ndalur rënien e raportit të të ardhurave të qeverisë qendrore ndaj PBB-së dhe raportit të të ardhurave të qeverisë qendrore me atë të përgjithshme, Kina në fillim të vitit 1994[3] prezantoi një reformë të re fiskale.

Burimi : Zyra Kombetare e Statistikes dhe analiza e autorit

Burimi : Zyra Kombetare e Statistikes dhe analiza e autorit

Në vitin 1994, në kuadër të reformës të ndarjes së tatimeve sistem i ri i taksave vendosi TVSH-në, tatimin mbi biznesin, tatimin mbi të ardhurat e korporatave, tatimin mbi të ardhurat personale dhe disa taksa mbi transaksionet e pronës dhe tokës. Reforma fiskale e vitit 1994 përfshiu : (i) ndryshimin e mënyrës së ndarjes së të ardhurave ndërmjet qeverisë qendrore dhe asaj provinciale[4], (ii) struktura tatimore u thjeshtua dhe normat tatimore u standardizuan[5], (iii) Së treti, pushtetet vendore nuk lejoheshin më të jepnin lehtësime tatimore, (iv) dhe më e rëndësishmja do të ishte centralizimi i mbledhjes së të ardhurave, në vend që t’i besohej zyrave lokale të taksave detyrën për të mbledhur pothuajse të gjitha taksat[6].

Nga viti 1978 e në vazhdim, pas tre valëve të reformave Banka Qendrore e Kinës është kthyer në një autoritet të vetëm monetar, me objektivin e vendimarrjes dhe të zbatimit të politikës monetare. Një sistem financiar modern do të krijohej i përbërë nga bankat e nivelit të dytë, bankat dhe investimeve, kompanitë e besimit dhe të sigurimeve etj. Ndërkohë tregjet financiare filluan të zhvillohen me shfaqjen e tregjeve të kapitalit, tregut të parasë, të këmbimit valutor dhe të arit. Në vitin 1994, Kina adoptoi sistemin e lirë të kursit të këmbimit mbas unfikimit të katër sistemeve, të tregtisë së jashtme, të tregut financiar, të tregut të rregulluar dhe të tregut jo formal.

Arritjet ekonomike dhe sociale ne periudhen 1978-1996

Motorri i rritjes historike të ekonomisë kineze nga viti 1978 ka qenë akumulimi i kapitalit dhe rritja e produktivitetit. Norma mesatare vjetore e rritjes ekonomike gjatë periudhës 1978-1996 është rreth 10.1%. Nga mesi i viteve 1990, profili i zhvillimit ekonomik dhe njerëzor të Kinës ishte shumë më afër atij të një vendi me të ardhura mesatare. PBB-ja e Kinës për banore është rritur mbi 4.5 herë nga 156.4 USD në vitin 1978 në 709 dollarë amerikanë në vitin 1996. Nje rekord pas vitit 1978 do të jetë rritja e ndjeshme e indeksit të zhvillimit njerëzor (HDI) nga 0.410 në vitin 1978 në 0.554 në vitin 1996, ose një rritje mbi 35%. Shpenzimet e qeverisë për arsimin u rritën nga 1,96% e PBB-së në vitin 1978 në 2,36% të PBB-së në vitin 1996. Shpenzimet e qeverisë për shëndetësinë u riten nga 3,0% e PBB-së në vitin 1978 në 3,79% të PBB-së në vitin 1996. Një arritje e madhe do të jetë rritja e jetëgjatësisë nga një mesatare prej 65,9 vite në vitin 1978 në 70,14 në vitin 1996. Vdekshmëria e foshnjave deri ne 1 vjeç u ul nga 52,6 në 1978 në 36,3 në 1996 për 1000 lindje.

Në vetëm tre dekada, shkalla e analfabetizmit në Kinë ra në 55%. Regjistrimet në arsimin fillor u rritën nga 95.5% në 1978 në 98.8% në 1996, në arsimin dytesor u rrit nga 53.9% në vitin 1978 në 54.9% në vitin 1996, dhe në arsimin terciar nga 0.7% në vitin 1978 në 4.9% në vitin 1996. Një sukses i madh në këtë periudhë në Kinë ka qenë një reduktim thelbësor i varfërisë ekstreme. Në fund të vitit 1996, numri i personave në varfëri ekstreme ra nga rreth 875 milion në vitin 1981 në 499.2 milion në vitin 1996.

Tranzicioni drejt një ekonomie më të orientuar nga tregu do të krijonte në mënyrë të pashmangshme pabarazi në të ardhurat dhe zhvillimin ekonomik si ndërmjet rajoneve, por dhe ndërmjet popullsisë të zonave urbane me ato të zonave rurale. Raporti i të ardhurave të zonës lindore në raport me zonën qëndrore dhe perëndimore është rritur duke thelluar më tej pabarazinë e zhvillimit ekonomik ndërmjet zonave. Raporti i rajoni lindor me atë qëndror ështe rritur nga 1.56 në vitin 1978 në 2.29 në vitin 1996. Me rajonin perendimor ështe rritur nga 1.85 në vitin 1978 në 2.69 në vitin 1996.

Burimi :Regional Inequality in China: Trends, Scales and Mechanisms Felix Haifeng Liao and Yehua Dennis Wei September 2016

Burimi :Regional Inequality in China: Trends, Scales and Mechanisms Felix Haifeng Liao and Yehua Dennis Wei September 2016

Gjithashtu dhe raporti i të ardhurave të disponueshme ndërmjet zonave urbane dhe rurale është rritur. Veçanërisht ky raport është rritur në periudhën nga viti 1990 deri në vitin 1994. Në vitin 1994 ky raport ka arritur në 2.9 krahasuar me raportin 2.5 në vitin 1978.

Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës dhe analiza e autorit

Rritja e lartë ekonomike e mbështetur në politikën e industralizimit ka rritur gjithashtu ndotjen. Emisionet e CO2 në ton metric për banorë u rritën në mënyrë të ndjeshme nga 1.53 ton në vitin 1978 në 2.52 ton në vitin 1996.

[1]Vice President, academic member and professor of the Chinese Academy of Social Sciences (CASS).

[2]FU, Qiang Deputy Dean of Institute of Finance and Economics , The Central University of Finance and Economics (CUFE)

[3]China’s 1994 Fiscal Reform: An Initial Assessment, Asian Survey, September, 1997, Shaoguang Wang, Department of Political Science, Yale University.

[4] Të ardhurat nga taksat do të ndaheshin në tre kategori të ndryshme, në qendrore, në lokale dhe të përbashkëta. Taksat qëndrore do të shkonin në arkën qëndrore dhe taksat vendore në buxhetet vendore. Sa i përket taksave të përbashkëta, ato do të ndaheshin midis qeverisë qëndrore dhe asaj provincial, sipas disa formulave të përcaktuara. Për shembull, 75% e të ardhurave nga tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) i përkiste qeverisë qëndrore dhe 25% e mbetur qeverive provincial

[5] Norma tatimore për tatimin mbi vlerën e shtuar u vendos 17 për qind e qarkullimit, dhe për tatimin mbi të ardhurat në 33 për qind të të ardhurave neto.

[6] U krijua sherbimi kombëtar i taksave përgjegjës për mbledhjen e taksave qëndrore, dhe shërbimi lokal i taksave përgjegjës për mbledhjen e taksave locale. Taksat e ndara do të mblidheshin nga shërbimi kombëtar dhe do të ndaheshin ndërmjet dy nivele të qeverisjes./CRI.CN

Share: