Nga Marshall Auerback “Unherd”
Gjatë dekadës së fundit është shndërruar në një cikël të pashmangshëm:çdo palë zgjedhje që tronditin interesat dhe pritshmëritë e teknokratëve të Bashkimit Evropian, përballet me parashikimet e zymta mbi shpërbërjen e pashmangshme të bllokut.
Edhe unë vetë kam bërë parashikime të tjetra, edhe pse në çdo rast BE-ja ka mbijetuar ose të paktën e ka tërhequr këmbën zvarrë. Pavarësisht nga kjo tendencë, fitorja tronditëse e Partisë së Lirisë (PVV) e Geert Wilders në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën muajin e kaluar në Holandë, duket diçka ndryshe.
Më shumë se çdo gjë, ajo sugjeron praninë e një sëmundje më të thellë sesa krizat ekonomike normale, që e kanë rrezikuar më herë ekzistencën e BE-së, dhe më konkretisht Sistemin Monetar Evropian. Burimi tradicional i paqëndrueshmërisë brenda eurozonës ka qenë ekonomik: politikat shtrënguese të imponuara nga Komisioni Evropian ndaj të ashtuquajturave vende periferike si Italia, Greqia dhe Spanja.
Ndërsa këto masa kanë kontribuar zakonisht tek një pjesë e reagimit politik (të shoqëruara shpesh me kërcënimin e largimit nga eurozona), Komisioni Evropian dhe anëtarët kryesorë të bllokut, kanë sajuar në përgjithësi zgjidhje teknike që kanë lënë megjithatë pa zgjidhur problemin themelor.
Instinkti i tyre është gjithnjë të zbutin krizat dhe të shmangin më të keqen, sesa të adresojnë shkaqet bazë të kësaj revolte politike. Herë pas here, partitë populiste të zgjedhura për shkak të kësaj pakënaqësie, kooptohen madje nga Brukseli dhe bëhen shërbëtore të gatshme të politikës neo-liberale.
Qeveria e re e Italisë, e udhëhequr nga Giorgia Meloni, është një shembull i spikatur në këtë drejtim. Por siç e ka ilustruar edhe raundi i fundit i zgjedhjeve në të gjithë Evropën, ky zhgënjim ka hedhur tani rrënjë në zemër të Evropës. Në Holandë, Francë dhe madje edhe Gjermani, të konsideruara prej kohësh vende kryesore të eurozonës.
Në Francë, presidenti Emmanuel Macron u rizgjodh vitin e kaluar në detyrë. Megjithatë zgjedhjet shënuan rezultatin më të mirë për partinë Tubimi Kombëtar të Marine Le Pen, dhe partia e Macron e humbi shumicën në parlament. Në Gjermani, socialdemokratët e kancelarit Olaf Scholz renditen aktualisht në vend të tretë pas Alternative fur Deutschland (AfD), një forcë populiste e ekstremit të djathtë, që në sondazhet e fundit ka arritur të marrë 21 për qind të pëlqimeve.
Ajo që po e thellon më tej fragmentimin politik në Gjermanisë është Sahra Wagenknecht, e cila ka qenë më herët deputete e Bundestagut për partinë Die Linke të së majtës ekstreme. Pak kohë më parë, ajo njoftoi largimin e saj nga partia dhe ka formuar zyrtarisht një parti të re populiste të së majtës, Bündnis Sahra Wagenknecht.
Sondazhet e para i japin partisë së saj një mbështetje mesatare prej 14 për qind, me shumë gjasa të marrë nga i njëjta grup votuesish që tërhiqen aktualisht nga AfD. Por ajo që bie më shumë në sy aktualisht në sondazhe, është se ky rebelim i ri sa majtas-djathtas mund të sigurojë më shumë se një të tretën e votave totale.
Siç ka vënë në dukje redaktori i Brave New Europe , Mathew Rose, nëse këtyre shifrave do t’u shtohej edhe 25-përqindëshi i votuesve gjermanë që as e marrin mundimin të shkojnë për të votuar sa herë ka zgjedhje, ky është një tregues se vota e kombinuar e partive të establishmentit në Gjermani, përbën më pak se gjysmën e popullsisë totale.
Pastaj vjen rezultati i muajit të kaluar në Holandë. PVV udhëhiqet nga 60-vjeçari Geert Wilders, një militant i së djathtës, që është i njohur prej kohësh për retorikën e tij agresive anti-islamike, kundër migracionit dhe anti-BE. Pas zgjedhjeve të muajit të kaluar, Wilders tani është në krye të partisë më të madhe politike në Holandë, duke fituar 37 nga 150 vendet në dhomën e ulët të parlamentit holandez (dhe gati çerekun e votave).
Ndërsa disa analistë kanë sugjeruar se do të jetë e vështirë që Wilders të formojë një koalicion qeverisës, liderja dhe rivalja e qendrës së djathtë, Partia Popullore për Liri dhe Demokraci, ka shfaqur tashmë një farë vullneti dhe gatishmërie për të “toleruar”, në mos për të mbështetur një qeveri në pakicë të udhëhequr në parlament nga PVV.
Por “kordoni sanitar” rreth Wilders mund të mos zgjasë përgjithmonë. Suedia, partitë kryesore të së cilës kishin bashkëpunuar më parë për të përjashtuar ekstremistët nga qeveria, qeveriset tani nga një koalicion që përfshin Demokratët e Suedisë të ekstremit të djathtë.
Dallimi midis kësaj revolte populiste dhe atyre të viteve 2010, është se nuk bëhet fjalë për një reagim instinktiv ndaj pakënaqësisë ekonomike. Është simptomë e një riorganizimi më të gjerë në konservatorizmin evropian. Udhëheqësit populistë të Evropës nuk po sfidojnë vetëm rrymën politike tradicionale (dhe ideologjinë e tyre përkatëse).
Ashtu si efekti Donald Trump në Partinë Republikane, këto figura po lëvizin për të transformuar një konservatorizëm të përcaktuar nga instinktet tradicionaliste në një lëvizje anti-establishment, nacionaliste dhe në shumë raste shumë ksenofobike dhe raciste. Perceptimi se kontinenti po e lehtëson migracionin e pakontrolluar, është motivi kryesor që po e çon përpara këtë tendencë. Në vitin 2022, në BE kishte pak a shumë 1 milionë aplikime për azil, 52 për qind më shumë se në vitin 2021, dhe niveli më i lartë që nga viti 2016.
Lufta në Ukrainë, është një nga kontribuuesit kryesorë lidhur me këtë problem, një konflikt të cilin Uashingtoni me sa duket ka vendosur t’ia lërë Evropës që ta financojë, ashtu si edhe rindërtimin e një kombi gjithnjë e më shumë jofunksional, nga i cili miliona njerëz kanë emigruar tashmë në pjesë të tjera të Evropës. Ardhja e një numri të madh refugjatësh dhe emigrantësh të parregullt, e ka vënë nën një presion të madh sistemin e azilit të BE-së, sidomos pasi shtetet anëtare nuk kanë arritur të bien dakord mbi një metodë të balancuar të ndarjes së përgjegjësisë për azilkërkuesit.
Për më tepër, barra e pabarabartë e kostove të politikave për ndryshimet klimatike, ka luajtur gjithashtu një rol të madh në nxitjen e pakënaqësisë në mbarë BE-në. Ajo nisi me protestat e “jelekë-verdhëve” në Francë, dhe së fundmi është shfaqur në Holandë, aty ku qeveria në detyrë u duk se po sulmonte fermerët holandezë për rritjen e madhe të emetimeve të azotit. Kjo e detyroi koalicionin e Mark Rutte të propozonte një shkurtim të konsiderueshëm të fondeve për prodhimin bujqësor, për të përmbushur detyrimet për luftën ndaj ndryshimeve klimatike. Por problemet social-strukturore nuk mund të zgjidhen lehtësisht dhe nuk korrigjohen vetëm nëpërmjet rregullimeve të thjeshta ekonomike dhe teknike në njësimin e monedhës, apo zbutjen e rregullave të Paktit të Stabilitetit dhe Rritjes.
Sfida ndërlikohet më tej nga fakti se partitë e majta evropiane, janë bërë avokate të forta të masave shtrënguese ekonomike, dhe gjithnjë e më shumë po shihen si më të distancuara nga problemet me të cilat përballen qytetarët e thjeshtë. Gjatë zgjedhjeve të fundit, votuesve evropianë nuk u është ofruar asgjë përveç politikës “Nuk ka alternativë” qoftë nga e majta apo e djathta tradicionale.
Dhe nuk ka rëndësi se për cilën parti votojnë qytetarët në Evropë. Politikat mbeten të paprekura, çka po inkurajon gjithnjë e më shumë një zhvendosje drejt grupimeve politike populiste më radikale. Pak a shumë si zgjedhja e Donald Trump në 2016-ën (dhe mundësia në rritje e kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025), lëkundjet e forta politike të përjetuara sot në Evropë kanë dekada që kanë nisur.
Dhe deri më tani, e djathta populiste ka qenë përfituesja më e madh:liderët e saj janë pozicionuar në mënyrë strategjike si jo-vendimmarrës dhe si kritikë të “elitës qeverisëse”. Për rrjedhojë, po fragmentohen faktet materiale dhe ideja e Evropës, dhe BE-ja po përballet me një situatë jo shumë të ndryshme nga ajo e Jugosllavisë postkomuniste. Në atë rast, sapo u zhduk gjenialiteti organizativ i qeverisë së Titos, lidhjet delikate mes vendeve të Ish-Jugosllavisë u prishën dhe përfundimisht u shpërbënë, shpeshherë me dhunë.
Lloje të ngjashme çarjesh po shfaqen tani në të gjithë BE-në, madje edhe brenda vendeve të tij më të pasura, të cilat prej kohësh ndiheshin sikur po rëndoheshin padrejtësisht nga të ashtuquajturit “vende dorëshpuar” në Evropën Jugore. Kërcënimi për unionin është shumë real dhe i shoqëruar nga tundimi që liderve të tij mund t’u angazhohen edhe një herë për “bashkim gjithnjë e më të ngushtë”, duke i larguar më tej votuesit që ata nuk kanë arritur t’i kuptojnë ndonjëherë.
Shënim:Marshall Auerback, analist i tregjeve dhe bashkëpunëtor një Institutin Levi në Kolegjin Bard.
360grade.al