Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Sot kishim “Ditën e Rinisë”. Nga Armir Shkurti

Sot kishim “Ditën e Rinisë”. Nga Armir Shkurti

Është 8 dhjetori, dita kur nisëm protestat kundër diktaturës komuniste. Sot unë jam shumë i moshuar për ta festuar këtë “Ditë të rinisë”….

Së pari, nuk më përket si moshë. Po më bëhen fëmijët sa ç’qeshë unë atëhere.

Së dyti, nuk më përket si brez. Studentët dhe rinia e asaj kohe, o ikën ( më të zgjuarit), o çanë nëpër politikë dhe bënë prokopi, pa pjerdhur për ideale ( më dinakët ) o u thinjën , si unë, me inatin për ta bërë këtë vend ( po e kursej sharjen për vete )

Së treti, se sebep feste sot kanë hajdutët, ata që edhe këtë si ngjarje e vodhën për ta tjetërsuar. Nuk ka Shqipëria një ditë përkujtimi të vuajtjeve prej kominizmit, ditë të rrëzimit të komunizmit etj. Sepse komunistët u përkujdesën shumë që të mos ketë.

Ndaj dhe ditën e nisjes së lëvizjeve për pluralizëm na e vodhën për të na e shitur më pas si “Dita e rinisë”…. Po unë plaku pse duhej të rrija pushim sot?
Së katërti, nga ata dy gishtat që ngritëm ato ditë dhjetori, me bindjen se komunizmin do ta shembnim, diktaturën do ta përmbysnim dhe me besimin se Shqipërinë në pak vjet do ta bënim Francë e Zvicër për nga kultura e mirëqenia e Amerikë për nga bollëku… na mbeti veç ai i mesit 😥😥😥

Një diktaturë shumë më tinzare dhe efikase se e Enverit lulëzon në Shqipëri. Këlyshët e kuq në pushtetin e tranzicionit vërtetuan tezën serbe se “shqiptarët s’janë të aftë të vetqeverisen”, teorinë e Ramiz Alisë se “shqiptarët s’kanë kulturë demokratike” dhe skemën e tij për një pluralizëm fasadë me një parti: PPSH dhe organizata si Fronti Demokratik, BSPSH e deri organizatat e veteranëve si alternativa pluraluste!

Për ta tallur deri në fund bythën me lëvizjen studentore të 8 dhjetorin që pasoi me lejimin e pluralizmit politik dhe themelimin e të parës parti opozitare, pikërisht në këtë ditë Edi Rama mbajti kongresin e PS, vazhdim i PPSH ( PKSH)

Pra gëzuar rini, ditën tënde! Gëzuar edhe ju, o shokë armësh të 8 dhjetorit ’90, që Zoti dhe shoku Ramiz nuk deshën të bëheshim dëshmorë. Gëzuare dhe ju o trimat e Enverit kongresin e partisë!

Share: