Home Gjeo-Ekonomia Avokatët kërkojnë të tërhiqen nga mbrojtja e Thaçit, flet vëllai i ish-presidentit...

Avokatët kërkojnë të tërhiqen nga mbrojtja e Thaçit, flet vëllai i ish-presidentit të Kosovës

Gregory Kehoe dhe ekipi i tij nga kompania “Greenberg Legal Associates”, kanë kërkuar të tërhiqen nga mbrojtja e Hashim Thaçit në rastin e tij në Gjykatën Speciale. 

Si shkak në kërkesë është përmendur moskryerja e obligimeve ndaj tyre. 

Në një prononcim për media, vëllai i ish-presidentit Hashim Thaçi, Idriz Thaçi, duke e falënderuar avokatin Kehoe dhe ekipin e tij për angazhimin e deritashëm, ka sqaruar se kontrata me kompaninë ligjore “Greenberg Legal Associates”, nuk është vazhduar në vitin 2024 për shkak të vështirësive financiare në mbulimin e kostos së të gjithë avokatëve të angazhuar si pjesë e mbrojtjes së Thaçit. 

Avokat kryesor i ish-presidentit Thaçi, tani e tutje, do të jetë avokati i njohur me prejardhje kroate, Luka Misetic. 

Vëllai i ish-presidentit Thaçi ka shprehur besimin se ekipi aktual do të vazhdojë me përkushtim të plotë mbrojtjen dinjitoze dhe në fund të këtij procesi do të dëshmohet pastërtia dhe e vërteta e luftës së UÇK-së. 

Në pamundësi për ta mbuluar koston për të gjithë avokatët e angazhuar deri në fund të vitit të kaluar, për shkak të vështirësive financiare jemi detyruar ta reduktojmë ekipin dhe tani avokat kryesor i z. Thaçi është z. Luka Misetic, i cili do të jetë në koordinim të plotë edhe me avokatët e tjerë ndihmës. Z. Kehoe ka qenë i informuar lidhur me vështirësitë në mbulimin e kostos së shërbimeve të ekipit të tij dhe për mosvazhdimin e kontratës në vitin 2024. Ne e falënderojmë z. Kehoe dhe ekipin e tij për angazhimin e deritashëm dhe për punën e mirë që e kanë bërë në mbrojtjen e z. Thaçi. Po ashtu, besojmë se ekipi aktual do ta vazhdojë me përkushtim të plotë mbrojtjen dinjitoze ligjore dhe në fund të këtij procesi do të dëshmohet pastërtia dhe e vërteta e luftës së UÇK-së”, ka thënë vëllai i ish-presidentit, Idriz Thaçi/Opinion.al

Share: