Home Gjeo-Ekonomia Celibashi letër partive: Miratoni Reformën Zgjedhore

Celibashi letër partive: Miratoni Reformën Zgjedhore

Kryekomisioneri: Të garantohet vota e emigrantëve

Në nisje të sesionit të ri parlamentar, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi u është drejtuar me një letër zyrtare kryetarëve të forcave politike dhe komisionit të Reformës Zgjedhore, duke adresuar disa nga çështjet të përgatitjes dhe administrimit të zgjedhjeve, si dhe të Kodit Zgjedhor.

Në letrën e tij, Celibashi u kujton forcave politike plotësimin e boshllëqeve në Kodin Zgjedhor, pa të cilat nuk do të ishte e mundur vota e qytetarëve shqiptarë me banim jashtë vendit.

Sipas kuptimit nga KQZ të këtij urdhërimi të Gjykatës Kushtetuese, votimi nga jashtë nuk do të mund të realizohet nëse Kuvendi i Shqipërisë nuk do të plotësojë boshllëqet në Kodin Zgjedhor në lidhje me këtë votim, të evidentuara nga Gjykata Kushtetuese. Sjellim në vëmendje se përgatitja për zhvillimin për herë të parë të votimit nga jashtë kërkon kohë, e cila minimalisht nuk mund të jetë më pak se një vit.

Rreth një vit para mbajtjes së zgjedhjeve, Celibashithekson se administrimi i zgjedhjeve në nivelet e dyta dhe të treta nga administratorë zgjedhor të caktuar vetëm nga partitë politike, ka cënuar standardin proceseve zgjedhore.

“KQZ çmon se konsiderimi pozitiv i këtij rekomandimi duke zhveshur partitë, të paktën pjesërisht, nga e drejta absolute për të caktuar administratorët zgjedhorë në nivelet e dyta dhe të treta të administrimit, do të ndihmonte në krijimin e një trupe administratorësh profesionistë, të mirëtrajnuar dhe me integritet.”

Një tjetër vërejtje që ka bërë kryekomisioneri në letrën e tij është edhe financimi i fushatave zgjedhore.

“Në përputhje me gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të vëzhguesve të zgjedhjeve, atyre të ODIHR dhe vendas, KQZ sjell në vëmendjen se duhet të përmirësohen rregullat aktuale të financimit të fushatave zgjedhore dhe të partive politike, si dhe të miratohen rregulla në lidhje me zhvillimin e fushatës në median online, zhvillimin e fushatës në internet dhe në rrjete sociale, të ashtuquajturin “financimi i palëve të treta” dhe zhvillimin e fushatës nga këto subjekte.”

Celibashi u kujton subjekteve politike dhe sjelljen institucioneve publike apo zyrtarëve në fushatë. Kryemisioneri thekson se duhet të përmirësohet kuadri ligjor që të përkufizojë qartë dallimin midis një veprimtarie publike institucionale nga ajo zgjedhore, në mënyrë që vendimet që merren gjatë periudhës së fushatës të mos ndikojnë tek zgjedhësit.

Klan News

Share: