Home KRYESORE “’Grupi i gatshëm’ duhet të ketë një limit”, çfarë propozon Agron Gjekmarkaj...

“’Grupi i gatshëm’ duhet të ketë një limit”, çfarë propozon Agron Gjekmarkaj në mbledhjen e grupit: Pse Ramës i intereson që Berisha të shfaqet në dyert e SPAK

Deputeti Agron Gjekmarkaj, kërkon në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike diversifikimin e aksionit opozitar, ku përveç protestave të përfshihen edhe fjalimet.

Në mbledhjen me dyer të mbyllura,  Gjekmarkajt thekson se “grupi i gatshëm” duhet të ketë një limit

Agron Gjekmarkaj: Ky qëndrim opozitar ka pasur një rëndësi themelore për opozitën, pasi pas 2 vitesh, nuk luftuam më me njëri-tjetrin, por u përballëm me qeverinë. Opinioni publik konfirmon se ne kishim të drejtë për kërkesat tona, të drejtat kushtetuese, mosndërhyrjen në punët e brendshme të PD, për komisionet hetimore parlamentare.

Në të njëjtën kohë, kur kemi hyrë në muajin e katërt, kur edhe reagimi i faktorit ndërkombëtar është i vakët, po shoh që kryeministri po luan nga pozitat e forcës dhe nuk ka ndërmend të lëshojë, qofsha i gabuar nga mungesa e eksperiencës, madje po mendoj se atij i intereson të jemi pa zë dhe pa figurë, mos të artikulojmë asgjë, pra të jemi në barrikadën e protestës dhe jo në tribunën e fjalës.

Kjo sepse ai (Rama) e ka më të lehtë të përballet nëpërmjet kësisoj sesa ndërmjet debatit intensiv. Ai vazhdon e qeveris dhe ecën me axhenden e vet ne rrimë vendnumëro. Në këtë pikë që jemi besoj se na duhet një diversifikim i aksionit, ku fuqia e protestës të alternohet me fuqinë e fjalës dhe t’i japë prioritet i saj. Të funksionuarit si “grup i gatshëm” duhet të ketë një limit. Pra ato çështje që ne i kemi ngritur në emër të protestës, t’i kthejmë në tema, debate në Parlament, të akuzojmë qeverinë pa fund për këtë autoritarizëm.

Mesa e kam ndjekur unë linjën e kësaj partie, në këto 11 vite, ka pasur gjithmonë entuziazëm në fillimin e çdo  radikalizmi, por jo racionalizëm në daljen prej tij. Mua s’më pëlqen t’i referohem vetvetes, por javën e tretë kur kemi nisur aksionin, kur ka qenë edhe Sali Berisha këtu, ju kam thënë që rrezikojmë që të hyjmë në një fazë monotonie dhe me kalimin e kohës, do kthehet në dobësi  e jona dhe mbase rrezikojmë të humbasim edhe empatinë e shoqërisë. Janë 2 probleme themelore, njëra anë është kauza e Berishës dhe tjetra opozita në protestë.

Dhe të dyja mund të konsiderohen padrejtësi ndaj opozitës, dhe qeverisë i intereson të na lërë brenda kësaj kornize. Pra qeverisë i intereson që Berisha të shfaqet në dyert e SPAK-ut dhe ta kthejë këtë në temën kryesore të diskursit publik sipas mënyrës se vet, raportin e tij me drejtësinë, si dhe opozitën në një protestë të pa konsideruar, e cila ka  disa kërkesa, që me kalimin e kohës humbasin vlerën e tyre, sepse po u afrohemi zgjedhjeve. Në këtë mënyrë s’kemi mundësi të organizohemi, të ndërtojmë platforma komunikimi me shoqërinë, të bëhemi atraktiv dhe konkurrues duke mbetur brenda një rrethi vicioz si udhëtar pa cak. Nëse mundemi ejani ta radikalizojme po realisht se di sa fuqi kemi për ta realizuar dhe mesa shoh e kemi te gjithë këtë dyshim të gjejmë mundësi të bëjmë fjalën efikase sa me shume e kudo.

360grade.al

Share: