Home Gjeo-Ekonomia Në fund më bindi Ali Ahmeti! Nga Kimete Berisha

Në fund më bindi Ali Ahmeti! Nga Kimete Berisha

Sot duhet të gëzohem.
E kemi obligim kombëtar të gëzohemi sot.
Por, nuk po mundem!
Nuk po ndjej asgjë.

S’di çfarë ka kjo zemër që u bë gur!

Veç humorit…

  • A s’është qesharake të gëzohem sot që një shqiptar po bëhet kryeministër i Maqedonisë së Veriut!
  • A ende duhet të gëzohemi që jemi shqiptarë!
    Domethënë mjafton që kryeministri të jetë shqiptar…se, kur je shqiptar automatikisht ti je edhe ‘i mirë’!
  • Ç’prej se udhëheqin shqiptarët, e di se aty ku udhëheqin shqiptarët nuk ka drejtësi, nuk ka të ardhme, ka pabarazi, ka varfëri…
    aty ndodh horrori…njësoj është keq, sikur të të udhëheq armiku!
  • Shqiptarët lavdërohen që janë gjendur shqiptarë edhe në Titanik, anipse janë mbytur.
    Kryesore të jesh shqiptar, o si hajn, o si kriminel, o si i vdekur!
  • Shqiptar është kryeministri i Shqipërisë, por ai bashkë me
    jaranin e tij Kastratin, shqiptarçe i gjobitë me taksë vetëm shqiptarët e Kosovës.

Pse i gjobitë?
Sepse mundet!

  • Çfarë duhet të ndjej unë sot kur lexoj që kryeministri i Kosovës, nejse, Banka Qendrore, me të drejtë e ndalon dinarin serb në Kosovë, kur xhepin e kam të mbushur me nga 2 euro fallse.

Pra, shteti i Kosovës nuk mund të të mbrojë nga eurot fallse por mund të të mbrojë nga dinari serb, që neve nuk na hyn në udhë.

  • Nuk na hyn në udhë ‘lufta politike e monedhave’ , neve na hyn në udhë mashtrimi dhe vjedhja që na bëhet publikisht, përditë, e s’ka kush të na mbrojë.
  • Pse duhet të gëzohem sot!

Për Drejtësinë e Kosovës që si copë mishi i bardhë shitet e bëihet me pare!

  • Shqiptar është polici që e përshtati raportin e masakrimit të djalit të ri nga Podujeva.
  • Shqiptar është tregtari dhe kryetari i Prishtinës që i rrezikuan gjysmë milioni banorë të Prishtinës për t’i vjedhur 300 e kusur mijë euro të kulmit të komunës.
  • Pse duhet të gëzohem që kryeministri i Maqedonisë së Veriut është shqiptar!
  • A janë shqiptarë ata gjyqtarë që e liruan nga burgu përdhunuesin e V.K. në luftë!
  • A janë shqiptarë a çka janë këta që nuk qenë të zotë ta bëjnë një padi për vrasjen e qindra fëmijëve shqiptarë në luftë!
  • A s’janë shqiptarë patriotë këta që s’lanë fabrikë pa plaçkitur, s’lanë pasuri pa vjedhur, s’lanë gjë pa shkretëruar!
  • Shqiptarë, bile veteranë, janë kryeministrat që i privuan nga pensioni punëtorët e larguar me dhunë nga puna në vitet e ’90-ta!

Nuk ua dhanë pensionet me arsyen se nuk ua kanë paguar kontributet Serbisë.
Si kanë pasur t’ia paguajnë kontributet, kur Serbia i ka larguar nga puna…

  • Me ligjin e ri të Albin Kurtit edhe më shumë i kanë lajthitur dhe i kanë mashtruar pensionistët!
    Sepse tash lypin fakte të Serbisë prej pleqve!
  • Fakte lypin prej të persekutuarve, hey, në vend se faktet t’i kenë në arkivat e tyre shtetërore.
  • Shqiptarë janë, s’ka më të këqij për të vetin.
    Është mentalitet që nuk mund të ndryshojë.
  • Armiku i ka vrarë fëmijët shqiptarë, por politikanë, prokurorë e gjykatës shqiptarë kanë bërë tregti me Drejtësinë, duke e shitur dhe blerë pafajësinë, duke i zhdukur gjurmët e krimeve dhe duke e porositur fajësinë!
  • Nuk ka më rrezik se sa të jetosh në një vend pa Drejtësi!
    Nuk ka më rrezik se sa të jetosh në Kosovë.
    Drejtësia në Kosovë është fund e krye mafioze dhe kriminale!
    Është armikja më e madhe e lirisë dhe e pavarësisë së Kosovë.
  • A e keni parë ju një rast ku Drejtësia ka fituar?!
  • Shqiptar është Edi Rama.
    Në Shqipëri s’ka drejtësi, ka ndëshkim.
    A është fer për shembull, babai i tij e ka nënshkruar pushkatimin e poetit dhe kurrë nuk ka dhënë xhevap!

-,Çfarë drejtësie selektive është kjo, Sali Berisha u arrestua për korrupsion pasiv, e në të njëjtën kohë ndodh korrupsioni aktiv e masiv i qeverisë së Edi Ramës.

  • Qe 25 vite mua më maltretojnë shqiptarët!
  • E juve?
    Mos po vjen dikush nga anë e katër anët e botës për t’ua nxirë jetën?
  • Por, megjithë logjikën, e do rendi që sot të ndjehesha pak shqiptare, më vinte shumë mërzi që nuk mund të gëzohesha për Talatin, por edhe më inat më vinte kur i shihja burrat që fluturonin nga gëzimi përreth Ali Ahmetit.
    Ata ishin dalldisur aq shumë….
    Burra të gëzuar – kijamet.
  • Këndonin këngë patriotike me sopata, të gjitha anët i mbulonte gjaku ‘letrar’, ama këndonin bukur.
  • Një shqiptar u bë kryeministër teknik i Maqedonisë së Veriut, me fuqi të kufizuar ekzekutive!
    Fshihu dikund, gëzohu tinëz….
    Aman.
    Ose porositi disa të rinjë të gëzohen për ty…se nuk po të ka hije…
  • Nuk po rehatohesha!
    Medoemos duhej të gëzohesha sa për adet, siç e kam pasur zanat…
    Doja të dija se pse të gjithë po e quajnë këtë ‘ditë historike’ e mua po më duket ‘ditë qesharake’.
  • Dhe, kur i erdhi rendi në Kuvend ta thoshte fjalën e tij Ali Ahmeti, ndodhi…ndjeva diçka.
    Më së pari më ra në sy fytyra tij pa rrudha.

Më e dobishme për neve do të ishte sikur Ali Ahmeti të na tregonte se si ka arritur t’i parandalojë rrudhat…
se sa që na tregonte si ka hequr zahmet si djalë i ri.
Se ne që e dëgjonim kemi pikur nga qielli…

  • Dhe, ajo qetësia e tij, e mafiozëve, e ajo meçuria e tij, burimore ‘Urtë e butë’, më pëlqeu anipse e dija se lehtë është të jesh ‘I urtë e i butë’ kur je i fortë e kur çdo gjë varet prej teje!

Pasi që mua më pëlqejnë njerëzit e mençur edhe nëse janë shumë të poshtër, ia urova.

Emrin Talat e kam dëgjuar vetëm një herë, tek romani ‘Dashuria e Talatit me Fitneten’.

  • Jashtë fiksionit, Talati nuk e ka zgjedhur asnjë grua shqiptare në qeverinë e tij teknike.
    Kjo për mua është historike.

P.S. Ndërkohë që po shkruaja për Talatin ia pashë sherrin se m’u dogjën lakrat e u dasht për së dyti…

Share: