Home Gjeo-Ekonomia Në prag të përvjetorit të 6 janarit, Presidenti Biden vë në shënjestër...

Në prag të përvjetorit të 6 janarit, Presidenti Biden vë në shënjestër ish-presidentin Trump

Presidenti Joe Biden akuzoi të premten rivalin e tij të mundshëm për zgjedhjet e vitit 2024, republikanin Donald Trump, për nxitjen e sulmit të 6 janarit, duke e vendosur ngjarjen vdekjeprurëse të vitit 2021 në qendër të fushatës së tij për një mandat të dytë.

“Ai i tha turmës të luftonte me gjithë forcat dhe situata doli jashtë kontrollit. Pastaj si zakonisht ua la të tjerëve të bënin punën e pistë. Ai vetë u kthye në Shtëpinë e Bardhë”, tha presidenti.

Zoti Biden shënoi tre vjetorin e sulmit të 6 janarit 2021 me fjalimin e tij të parë madhor të fushatës këtë vit, duke vënë në shënjestër zotin Trump ndërsa fushata e tij u kundërpërgjigje shqetësimeve lidhur me gjendjen e ekonomisë së vendit dhe moshën e tij. Presidenti Biden është 81 vjeç. Ish-presidenti Trump është 77 vjeç.

Zoti Biden tha se zoti Trump po e bazon fushatën tek përpjekja për të kërkuar “hakmarrje” kundër armiqve të tij politikë. Ai u kujtoi amerikanëve se ish-presidenti Trump i ka quajtur kundërshtarët e tij “të neveritshëm”, “e njëjta gjuhë e përdorur në Gjermaninë naziste”.

“Si guxon? Në emër të zotit, cili mendon se është?” tha zoti Biden.

Presidenti Biden u zotua se mbrojtja e demokracisë do të jetë premtimi i tij kryesor në fushatë dhe la të kuptohet se një fitore e zotit Trump do të ishte një fitore për diktaturën.

“Demokracia varet nga këto zgjedhje. Liria varet nga këto zgjedhje,” tha ai.

Ish-presidenti Trump, i cili kryeson garën mes republikanëve për emërimin si kandidat i kësaj partie, nuk e pranoi humbjen në zgjedhjet e vitit 2020, duke bërë që mijëra mbështetës të tij të sulmonin Kapitolin më 6 janar 2021.

Përpjekja e dështuar për të ndaluar certifikimin zyrtar të rezultatit rezultoi në vdekjen e pesë personave dhe plagosjen e dhjetra oficerëve të policisë.

Zoti Biden tha se kur ndodhi sulmi më 6 janarit, “nuk kishte asnjë dyshim për të vërtetën” dhe se edhe disa anëtarë republikanë të Kongresit dhe analistë të televizionit Fox News e kishin dënuar publikisht dhe privatisht kryengritjen nga mbështetësit e zotit Trump.

“Por tani me kalimin e kohës – politika, frika, paratë – të gjitha këto po luajnë rol dhe si rezultat ata zëra të MAGA-s që e dinë të vërtetën për Trump-in dhe 6 janarin, i kanë kthyer shpinën të vërtetës dhe demokracisë sonë”, tha zoti Biden.

Zoti Biden bëri një përshkrim të detajuar të asaj që ndodhi më 6 janar, duke thënë se protestuesit bënë thirrje për varjen e nënpresidentit të atëhershëm Mike Pence dhe se njerëzit humbën jetën sepse gënjeshtrat e ish-presidentit Trump “kishin sjellë turma në Uashington”.

Republikanët që sfidojnë ish-presidentin Trump në garën për emërimin republikan, i kanë shmangur kritikat ndaj veprimeve të tij atë ditë, pasi sondazhet tregojnë se votuesit republikanë kanë më pak gjasa të fajësojnë zotin Trump për veprimet e tij më 6 janar sesa tre vjet më parë.

Para fjalimit të tij në Pensilvani, presidenti Biden vizitoi selinë e ish-presidentit Xhorxh Uashington gjatë kohës së Luftës Revolucionare, në muajt e ftohtë të fundit të vitit 1777 dhe fillimit të 1778, në Valley Forge.

Në fjalimin e tij, zoti Biden bëri një kontrast mes përpjekjes së zotit Trump për të mbajtur pushtetin dhe shembullit të vendosur nga Xhorxh Uashingtoni, i cili u largua me vullnetin e tij pas dy mandatesh si presidenti i parë amerikan.

Duke bërë fushatë në Ajova të premten, ish-presidenti Trump tha se zoti Biden “po keqpërdorte trashëgiminë e Xhorxh Uashingtonit” për të sulmuar atë dhe mbështetësit e tij, duke u kundërpërgjigjur po me një paralajmërim: “Këto zgjedhje janë shansi juaj i fundit për të shpëtuar Amerikën”.

Zoti Trump e akuzoi ish-presidentin Biden për “dobësi, paaftësi, korrupsion dhe dështime”, duke shtuar se kjo ishte arsyeja që ai po mbante fjaliminë në Pensilvani që ai e quajti “patetik”.

Përpara fjalimit të presidentit Biden, fushata e zotit Trump bëri publike një reklamë fushate duke akuzuar zotin Biden si “shkatërrimtarin e vërtetë të demokracisë” duke përmendur si argument hetimin e prokurorit të posaçëm, Jack Smith mbi veprimet e zotit Trump më 6 janar.

Në reklamë thuhej se zoti Biden po përpiqej “të justifikonte përpjekjen për të burgosur rivalin e tij kryesor politik dhe për t’i privuar amerikanët nga e drejta për të zgjedhur presidentin e tyre të ardhshëm përmes korruptimit të drejtësisë”.

Prokurori i Përgjithshëm i administratës së zotit Biden, Merrick Garland mbrojti mënyrën se si po i trajton Departamenti i Drejtësisë, çështjet ndaj zotit Trump.

“Departamenti i Drejtësisë po respekton normat që sigurojnë pavarësinë dhe integritetin e hetimeve tona. Ne po mbështesim sundimin e ligjit dhe po mbrojmë popullin amerikan,” tha ai.

Si president, zoti Biden ka ngritur edhe herë të tjera kambanën e alarmit për kërcënimet ndaj të ardhmes së demokracisë amerikane, përfshirë në përvjetorin e parë të 6 janarit, dhe në një fjalim në shtator 2022, ku ai i quajti zotin Trump dhe përkrahësit e tij republikanë, ekstremistë që rrezikonin ta kthenin vendin prapa.

Mbetet për t’u parë se sa efekt do të ketë fjalimi i presidentit Biden 10 muaj përpara ditës së zgjedhjeve – në një vend të polarizuar politikisht.

Deri tani argumentat e tij nuk kanë mundur të zbusin ndjeshëm shqetësimet e përkrahësve të tij lidhur me ekonominë ose moshën e tij.

Top Channel

Share: