Home KRYESORE “U shkel e drejta për informim”/ Gjykata Kushtetuese jep vendimin për Skavicën,...

“U shkel e drejta për informim”/ Gjykata Kushtetuese jep vendimin për Skavicën, kërkon përfshirjen e banorëve në diskutim

Ligji për ndërtimin e hidrocentralit mbi Drinin e Zi në Skavicë të Kukësit është miratuar pa zbatuar të drejtën e informimit për gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij, shprehet Gjykata Kushtetuese, në vendimin e dhënë këtë të martë.

Pasi tri organizata kërkuan shfuqizimin e ligjit për ndërtimit e hidrocentralit, Gjykata është shprehur se Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave nuk kanë kryer procese konsultative me publikun dhe nuk kanë garantuar pjesëmarrje efektive që në fazën e hershme të hartimit të projektligjit, ku të gjitha alternativat të ishin të hapura dhe komuniteti i zonës të mund të merrte pjesë, sipas detyrimeve të Konventës së Aarhus-it.

Pasi konstatoi shkeljen e të drejtës së informimit për mbrojtjen e mjedisit,, Gjykata Kushtetuese urdhëroi autoritetet të ndreqin gabimin.

“Konstatimin e shkeljes së të drejtës për informim për gjendjen e mjedisit dhe mbrojtjen e tij, të garantuar nga neni 56 i Kushtetutës, në procedurat e miratimit të ligjit nr. 38/2021.

Urdhërimin e autoriteteve publike për të riparuar shkeljen e konstatuar dhe për të garantuar të drejtën për informim gjatë fazës së parë të zbatimit të ligjit nr. 38/2021.

Detyrimin për marrjen parasysh në vijim të rezultateve të procesit të informimit për mbrojtjen e mjedisit, për aq sa është e mundur, në zbatim të nenit 8 të Konventës së Aarhusit“.

Ndërkohë, në seancën e kaluar, Shoqata “Për Mbrojtjen e Pronave dhe Mjedisit të Pellgut të Drinit të Zi”, Shoqata “Kundërshtimi ndaj Digës së Skavicës” dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit paraqitën konkluzionet e tyre, duke kërkuar shfuqizimin e ligjit. Sipas tyre, ligji i 23 marsit 2021, bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, nuk merr për bazë liritë e komunitetit ku do të ndërtohet hidrocentrali, godet konkurrencën.

Top Channel

Share: