Home KRYESORE “Vëllai i Madh po ju vëzhgon!” 👁🕵 📺

“Vëllai i Madh po ju vëzhgon!” 👁🕵 📺

Nga Adela Kolea

Formati televiziv komercial hollandez, me shfaqje të parë më 16 shtator 1999 në Hollandë dhe eksportuar në 40 shtete, “Big Brother”, i servirur më tej edhe në variantin “Vip”, nga e mori emrin “Vëllai i Madh?”👁🕵 📺

Programi quhet “Vëllai i Madh”, duke personifikuar vëzhguesin për antonomazi, “Vëllai i Madh po ju vëzhgon”, e merr emërtimin nga një roman, ai me titull “1984” i George Orwell, shkruar në 1948-ën.

Qëllimisht që në titullin anomal, autori ka këmbyer shifrat e vitit që ishte në rrjedhën aktuale të kohës kur ai shkruajti romanin, pra viti 1948, – ishte koha pas Luftës së Dytë Botërore – në 1984, duke përshkruar një të ardhme imagjinare në një vend diktatorial e totalitar, në të cilin, banorët janë të vëzhguar edhe kur ndodhen brenda banesave të tyre.

Kjo, ku sipas Orwell-it, në romanin e tij, ngjarja zhvillohet në një shtet me një qeveri gjysmë naziste e gjysmë komuniste.

Dhe, mbi të gjitha, kjo qeveri drejtohet nga një figurë e plotfuqishme e që askush s’e ka parë ndonjëherë në fytyrë, quajtur “Vëllai i Madh.”
Të gjithë qytetarët në atë roman janë të paralajmëruar e duhet ta dinë qartë:
“Vëllai i Madh po ju vëzhgon!”

Është pikërisht pra, vëzhgimi analog i kohëve moderne, ai i shtëpisë së formatit televiziv të sotëm, Big Brother.

Përsa i përket vëzhgimit e spiunimeve nën diktaturë, pak a shumë si në romanin e George Orwell, shqiptarët e kanë përjetuar dukurinë e lartpërmendur, në jetën reale, me atë sensin e përjetshëm të përgjimit që u bëhej shtetasve nga qeveria totalitare dhe shërbyesit e saj, nga informatorët e deklaruar të Sigurimit dhe nga ata vullnetarë.

Do të ishte një krahasim, ndoshta makabër në rastin shqiptar, ai i shtëpisë së Big Brother televiziv të sotëm, me Shtëpinë me Gjethe, epiqendrën e përgjimeve në Shqipërinë e diktaturës, ndonëse anakronist, e ditur, përkatës epokash e kontekstesh të ndryshme por, metaforikisht qendron dhe pse jo, sugjestionon.

Kur pata lexuar e përkthyer madje italisht, një poezi të Dritëro Agollit, “Syri i djeshëm”, s’e di pse më pati lënë shijen e hidhur të përgjimeve dhe, në një farë mënyre pata ironizuar duke thënë se Agolli i paska thurur vargje, pa e ditur ndoshta, si largpamës, edhe “Syrit të Vëllait të Madh” të sotëm, atij përgjuesi invadent të kohëve moderne, i cili me sa vërej, është kthyer në një psikozë kolektive dhe nxit atë largimin nga çështje apo situata personale për pak minuta, duke vëzhguar e duke futur hundët në faktet e tjetrit.

Sado që ai “tjetri”, në të tillë formate komerciale, është i vetëdijshëm që të jetë i vëzhguar, merr pjesë pikërisht që të jetë i vëzhguar, i ndjekur nga kush, që ndoshta në ato momente, mishëron atë sensin e kuriozitetit njerëzor ndaj gjesteve të tjetrit dhe vëzhgon nga “Syri” i jashtëm, sjelljet njerëzore, në një laborator social, njëlloj si vëzhgohet nga jashtë, një tepsi e madhe me brumë, e lënë që të bymehet, derisa të derdhet jashtë enës…

🇦🇱”Syri i djeshëm”
Nga Dritëro Agolli

Një sy mes fletëve të pemës,
Një sy pas palltos së udhëtarit,
Një sy pas çelësit të derës,
Një sy në grykën e tymtarit;

Një sy në cep të jorganit,
Një sy në lulet e perdeve,
Një sy në mes të tavanit,
Një sy në kllapitë e etheve;

Një sy pas banjës së grave,
Një sy në vrimën e mjegullit
Përherë në ndjekje pas krahëve
I vlagët si veza e qefullit…

🇮🇹”L’occhio di ieri” 🕵
Di Dritëro Agolli
Traduzione di Adela Kolea

Un occhio tra le foglie dell’albero
Uno, dietro il cappotto del viandante
Un occhio nella serratura del portone
Uno, nel camino fumante.

Un occhio all’angolo del piumone
Uno, nei decori delle tende
Un occhio al centro del soffitto
Uno, in preda alla febbre.

Un occhio alla toilette delle donne
Uno, nel foro della nebbia
Sempre inseguito di spalle
Da viscido, uova di triglia…

Share: