Home KRYESORE A mbetet ‘oportunistja’ Tabaku mundësia e vetme e PD-së

A mbetet ‘oportunistja’ Tabaku mundësia e vetme e PD-së

Nga Ben Andoni

Është e dukshme se megjithë bashkimin e gati dy të tretave të grupit parlamentar të PD-së (Grupit të Rithemelimit) ende dualiteti Noka-Bardhi ka diçka që nuk e përshfaq dot. Ka të bëjë me atë se cili do ketë primatin e partisë pa Berishën. Edhe pse skenari më i besueshëm është përçarja e mëtejshme, mundësia tjetër duket se është alternativa pragmatiste. Kjo është e vërteta për atë që do të ndodhi, kur kjo pjesë e PD-së të ketë ligjshmërinë (edhe pse kjo duket me fare pak gjasa) dhe e dyta mënyra sesi do të dalin në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2025.

Po e shmangim përkohësisht variantin e zgjedhjeve të parakohshme, që do mund të sillte trandje tek PD-ja. Varianti i mëparshëm nën siglën e Partisë së Lirisë është i kushtueshëm, kurse sakrifica e PD-së nën Metën është e tepërt. Të gjithë peshën në opozitë e kanë mbajtur njerëzit e saj. Partia e Lirisë e ka një mundësi (paçka hedhjes poshtë që bëjnë apriori) me PS-në. Në mos lidërshipi, zgjatime të Metës, votuesit e tyre. Sa për PD-në e Bashës, nëse do kenë ende vulën, rrëuga është e qartë.

Në këtë qerthull përzihet përpjekja për protagonizëm dhe artikulime të zëshme, kurse për arsyen duket se ka mbetur pak vend. Një pjesë e grupit të intelektualëve, tip Gjekmarkaj, Alizotaj etj., zgjodhën gjuhë ezopiane, derisa tashmë po dorëzohen një e nga një në rrjedhën më të madhe të PD-së. Nga të paktit, që po reziston, por duke mbajtur një regjistër ende të paqartë për të ardhmen individuale mbetet Jorida Tabaku. Falë këtij pozicionimi ka qenë interlokutore e mirë e PD-së (pa anësi) me autoritetet britanike dhe ato amerikane, por mbi të gjitha me publikun. Ka artikuluar më shumë ekonomikisht dhe në fakt çështjet që ka ngritur jo vetëm kanë pasur vëmendje, por nga ana tjetër kanë treguar se kali i saj i betejës është shumë më efikas kundër betejave të zjarrit të kolegëve të saj dhe apatisë të grupit Basha. Habitati ekonomik i Jorida Tabakut e ka ndihur të mbaj një profil jo shumë të lartë por edhe të matur.

Por, jo se gjërat kanë vajtur gjithnjë vaj. Në një përballje me kryeministrin, lidhur me Lojërat e Fatit (Ishin shumëfishuar sipas saj në kohën e kryeministrit aktual) është dënuar nga Gjykata ti paguante Ramës si dëmshpërblim një shumë prej 300 mijë Lekësh. Nga ana tjetër, edhe kështu, Jorida Tabaku ka qenë më e anatemuar nga vetë njerëzit e vet, sidomos kur drejtoi Komisionin Hetimor ndaj inceneratorëve. Pro Berishistët, që nuk janë pak, e dërrmuan në shtyp, kurse kolegët e saj në parlament e akuzuan se po bënte lojën e Edi Ramës për të mbyllur çështjen e inceneratorëve!

Nuk i ka kërkuar ende askush falje edhe pse nga ai komision, Shqipëria ka njëzëvendëskryeministër (në kërkim), një ministër, një deputet dhe rreth 15 zyrtarë të lartë që janë në burg, ndërkohë që hetimet vazhdojnë.
Në kohën, që mund të merrte PD-në zyrtare, si kryetare në tranzicion preferoi tërheqjen nga posti i nënkryetares me shumë takt, por me dëshminë, që duhet vlerësuar: “Duam një parti të kryetarit apo kryetar për partinë tonë? Ne duhet patjetër të hapim PD, duhet të përpiqemi mos bëjmë procese të njëanshme, duhet të përfshijmë këdo”. Oportunizëm apo pragmatizëm. Tabaku është rritur në sytë e shumë shqiptarëve tashmë që nuk bën rolin e spektatorit të ballkonit, që bëri kolegu dhe miku i saj Bardhi me ambicie, që ia tejkalojnë staturën dhe kredon politike. Është pjesë e brezit, që mund të marri përgjegjësi dhe që mendon një alternativë për kushtet e sotme, edhe pse deri tani mbetet në karakterin retorik: “Prandaj nuk ndryshoj mendim: Duhet një shpresë e re që ndërtohet me një mendësi ndryshe, përmes një mënyrë ndryshe të të parit dhe të bërit të gjërave! Një ofertë e re me emrin Partia Demokratike! Një PD moderne, e fortë dhe e bashkuar patjetër, po mbi të gjitha e hapur, jo e izoluar. Pa frikë për ta thënë mendimin ndryshe, për vepruar ndryshe dhe për të qenë ndryshe” është shprehur pak muaj më parë Tabaku.

Por, që PD-ja e të ardhmes të jetë e fortë (nëse do të bashkohet) duhet një ekip njerëzish të hapur dhe mbi të gjitha me mendësi të re, që shumë herë dhe vetë Tabaku nuk e realizon dot.

Oportunizmi i saj i butë, e para pjesë e qytetarisë por e dyta pjesë e mbrojtjes nga një grup, që do të shtypë këto që nuk thotë “rroftë Berisha” nuk e ndihmon shumë. Koha dhe vetë pushteti Rama po i tregojnë PD-së mundësi dhe ide të reja. Jorida Tabaku në krye të një PD-je të unifikuar është deri tani një zgjidhje alternative e mirë. Tek e fundit do sjellë argumentin ekonomik me qëllime politike në një parti ku vetëm bërtitet dhe anatemohet…gjithë zhurmë. Shqipëria është e lodhur nga zhurma e madhe, që nuk thotë asgjë. (Javanews)

Share: