Nga Arsela Gjonaj
Sigurisht që shoqëria shqiptare po kalon një krizë të thellë dhe familja shqiptare është më e prekura. Një shoqëri e cila është e zhytur në depresion të thellë nga problemet e panumërta socio-ekonomikë, mungesa e lirisë dhe mbi të gjitha e perspektivës. E gjithë kjo reflektohet në shoqërinë shqiptare me episode të dhunshme dhe ngjarje të rënda. Dhuna sjell dhunë e zinxhiri nuk ka fund.
Historia na tregon se në një shoqëri të shtypur e cila vuan për dekada me radhë dhunën e pushtetit, vjen një ditë që reagon me po të njëjtën dhunë dhe urrejtje ndaj diktaturës. E këtë shqiptarët e kanë provuar në kurriz të tyre.
E njëjta gjë ndodh më familjen, një familje e shtypur dhe e dhunuar për një kohë të gjatë, reagon. E pasojat e saj shpesh janë të tmerrshme.
Me këto pasoja po përballet prej disa kohësh edhe familja shqiptare. Krimet brenda në familje sjellin në vëmendje dramën e shumë familjeve shqiptare, atë të dhunës familjare. Babai-padron ose burri-padron, i cili, me autoritetin dhe egërsinë e tij u imponohet familjarëve të tjerë. Rastet janë pafund dhe duket sikur kjo është vetëm maja e ajsbergut.
Lindja, rritja apo bashkëjetesa në një ambjent toksik e të dhunshëm nuk mund të gjenerojë dashuri apo respekt. Në fund të fund dashuria dhe respekti fitohen edhe kur përballë kemi prindërit, fëmijët, gratë, burrat apo cilindo tjetër. Quhen marrëdhënie njerëzore dhe si të tilla kanë në thelb të tyre simbiozën dhe jo imponimin. Nga ana tjetër, nuk mund të gjykojmë si despotë situata të ndërlikuara ku shpesh prindërit të cilët duhet të garantojnë një strehëz të ngrohtë familjare dhe madje ta mbrojnë me çdo kusht, e kthejnë atë ne një ferr tokësor.
Dhuna dhe autoriteti nuk sjellin të mira dhe kjo nuk vihet në dyshim. Nuk mund të këtë dialog kur mungon e drejta e fjalës. Nuk ka dashuri ku ka dhunë, por urrejtje, qoftë ajo edhe ndaj një prindi. Nuk mund të këtë dashuri dhe respekt ndaj një babai-padron i cili nuk e merr në konsideratë ekzistencën e vajzës së tij. Kur nuk e trajton atë si të barabartë. Kur nuk i jep mundësi t’i dëgjohet as zëri i saj e aq pak ta trajtojë si qenie njerëzore. Ajo qenie njerëzore, e quajtur vajzë, e cila kërkon të drejtën e saj legjitime për tu shkolluar dhe ndërtuar vetë avenirin e saj. Këto janë të drejta themelore por që shpesh në familjet e prapambetura dhe autoritare konsiderohen ëndrra të paimagjinueshme. E kur skëterra mbyt ditët e netët e atyre që jetojnë nën këtë dhunë konstante, errësira mbyt dritën e arsyes.
Pyetja lind natyrshëm: cilat janë viktimat e vërteta në këto raste?
Në çdo rast dhuna duhet denoncuar por a e gjejnë forcën njerëzit për të kapërcyer paragjykimet dhe a kanë besim në institucionet shtetërorë? Kjo është një pikëpyetje e madhe e cila duhet të zgjojë institucionet ekzistuese ose të ngrihen të reja më qëllim trajtimin dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës familjare dhe në përgjithësi.