Fermerët e Evropës kanë shtuar protestat kundër masave të Bashkimit Evropian dhe rritjes së çmimeve, duke bllokuar rrugët e Polonisë, Hungarisë, Spanjës dhe Belgjikës.
Rreth 1,400 traktorë kanë marrë pjesë në protestën në Poznan të Polonisë dhe rrugët janë bllokuar përgjatë gjithë vendit. Për të katërtën ditë rresht, traktorët kanë bllokuar trafikun edhe nëpër disa rajone të Spanjës. E, protestat e fermerëve janë shtrirë përgjatë gjithë kontinentit.
Fermerë në Poloni dhe Hungari ankohen se BE-ja nuk po bën mjaftueshëm t’i ndalojë importet e lira prej Ukrainës. Sipas tyre, kjo po shkakton rënie të prodhimit vendor. Fermerët duan që BE-ja të rivendosë kërkesën që kamionistët ukrainas të marrin leje për të punuar në 27 shtetet anëtare.
Në Poloni, rreshtat e traktorëve, shumica duke valëvitur flamurin polak, janë parë në 256 rrugë të vendit, duke bllokuar trafikun.
Ministri i ri i Bujqësisë, Czeslaw Siekierski, ka mbështetur fermerët, duke argumentuar se edhe pse Polonia donte të vazhdonte t’i ndihmonte Ukrainës, kjo nuk duhet të bëhej në kurriz të fermerëve polakë.
Shumë fermerë mbanin pankarta duke protestuar kundër Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së, e synuar të ulë emetimet e gazit nga serrat.
Më herët këtë javë Komisioni Evropian ka rekomanduar që emetimet duhet të ulen për 90 për qind deri në vitin 2040 në krahasim me nivelin e 2015-s, por hoqi planin e Marrëveshjes së Gjelbër për të përgjysmuar përdorimin e pesticideve nëpër Evropë. Fermerët janë ankuar se përgjysmimi i përdorimit të pesticideve, dëmton të korrat dhe prodhimin e ushqimit.
Qindra fermerë hungarezë parkuan traktorët e tyre në kufi me Ukrainën, në Zahony të premten, duke iu bashkëngjitur protestave të mbarë Evropës për herë të parë.
Organizatorët kanë thënë se ishin duke protestuar kundër produkteve të lira të Ukrainës që po mbizotëronin tregun hungarez dhe gjithashtu për solidaritetin midis fermerëve të Evropës.
“Duke u bazuar në llogaritjet e mia, humbja mesatare e një fermeri këtë vit për drithërat që ne mbollëm shtatorin e kaluar do të jetë rreth 300 euro për hektar”, ka thënë eksperti hungarez, Csaba Juhasz. “Kjo duke llogaritur edhe subvencionet ose mbështetjet që marrin”.
Ai ka thënë se fermat me madhësi mesatare prej 100-400 hektarëve janë prekur më së shumti.
Fermerët hungarezë ndajnë shqetësime të ngjashme me fermerët e vendeve tjera, si çmimet e larta të plehut dhe importet e lira të drithërave, produkteve të bulmetit, vezëve dhe mishit ukrainas.
Por ata kanë mbështetjen e plotë të kryeministrit Viktor Orban, i cili u takua me fermerët në samitin e BE-së së javës së kaluar dhe ka akuzuar Brukselin që ka prioritizuar fermerët ukrainas mbi fermerët e Evropës.
Rreth 600 fermerë u nisën në qytetin Genk të Belgjikës, ku ministrat e BE-së po mbanin samitin industrial.
“Politikanët duhet t’i mbështesin këta fermerë”, ka thënë fermeri Wim Kwanten për transmetuesin “VRT”. “Megjithatë, po bëhen peng i objektivave të klimës dhe mjedisit – ne duam barazi për të gjithë fermerët evropianë”.
Në Spanjë fermerët bllokuan rrugët e disa zonave, duke shkaktuar trafik nëpër qytetet e mëdha si Bilbao, ku 100 traktorë u nisën për në qendër.
Banorët e Pamplonës janë zgjuar dhe kanë gjetur dhjetëra traktorë të parkuar në dy kolona në qendër të qytetit, duke e bllokuar qendrën historike.
Sindikata të bujqësisë në rajonin bask janë ankuar për politikat e BE-së dhe ministri Luis Planas ka thënë se respekton të drejtën e tyre për demonstratë, por ka kërkuar nga fermerët të shmangin dhunën.
Në Greqi, fermerët kanë kërkuar çmime të ulëta të rrymës elektrike, benzinë pa taksë dhe subvencionim për ushqim për kafshët dhe gjithashtu ndryshime në planin e mjedisit të BE-së.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis pritet të takohet me fermerët të martën tjetër, por Qeveria ka insistuar që rrugën të mbesin të hapura.
Zëdhënësi i kryeministrit ka thënë se është i hapur për dialog, por e drejta e një grupi të protestojë nuk duhet të bëhet në kurriz të të tjerëve.
Fermerët në Itali ishin nisur për në festivalin e këngës së Sanremos të premten, ku planifikuan të lexonin deklaratën në skenë.
Një paradë me traktorë ka qarkulluar në autostradën e Romës të premten mbrëma, por një tubim i madh i traktorëve në “Piazza San Giovanni” është anuluar, për të mos bezdisur publikun
Një karavan prej katër traktorësh ka ecur përgjatë Koloseut teksa fermerët prisnin takim me kryeministren Giorgia Meloni. Meloni ua la fajin rregullave “ideologjike” të BE-së.
Ministri i Bujqësisë, Francesco Lollobrigida, ka insistuar se Qeveria e tij mban anën e fermerëve në 9 nga 10 pikët.
360grade.al