Home KRYESORE Gruaja në foton brënda artikullit, me gurët para vetes ka një tabelë...

Gruaja në foton brënda artikullit, me gurët para vetes ka një tabelë ku proteston me slloganin:

𝕭𝖔𝖑𝖑 𝖒𝖊 𝖊𝖐𝖟𝖊𝖐𝖚𝖙𝖎𝖒𝖊𝖙 𝖒𝖊 𝖌𝖚𝖗𝖊̈!

Nga Armir Shkurti

E them edhe unë sot, në këtë rrebesh gurësh mbi familjen Meta në Shënavlash të Durrësit. Gurë që nuk kursejnë të gjallë e të vdekur. Psikanalistë popullorë e folkfilozofë shpalosin teza nga më të larmishmet për shkaqet e krimit dhe pista plot fantazi për udhën nga Djalli udhëhoqi këtë familje në telenovelën e kësaj fundjave. Të gjithë profesorë e shenjtorë, për Zotin! Të gjithë me duart e zëna me gurët e thepisur, në hov për ti lëshuar me sa më forcë mbi viktimat, për tu shfaqur vetë sa më të zellshëm, sa më të inatosur e sa më të largët nga gjithë mëkatet që ngërthen tragjedia e Shënavlashit.

TË GJITHË NË GARË KUSH HEDH GURIN E PARË.

Për ta bërë më shekspiriane këtë tragjedi, një çakall i vërtetë shfaqet sot në mes të Tiranës. Një shenjë nga Zoti për të na përmendur, zgjuar nga dalldia e gjakut Edipian, duke na krahasuar neve me këtë shtazë që jeton me kërma?

Pas çdo vrasjeje në familje apo vetëvrasjeje korbat, shkabat e çakenjtë ia behin në çast. Të gjithë për një copë e një kafshatë. Projekt apo famë. Apo të dyja. Aty është edhe media. Për lajmin e parë. Mbërrin edhe shteti. Ky shtrëngon ligjet!! Por: ASNJË PREJ TYRE S’PRANON AS NJË GRIMË PLUHURI MBI SUPIN E VET. Të gjithë bashkë nguten të shtien gurin e parë. Ah, po çfarë trishtimi që edhe turma e madhe popullore, verbërisht gjuan viktimën!

Pse kaq dhunë në familje? Pse kaq dhunë në shoqëri? Kush e diskutoi dhe analizoi ndonjëherë këtë punë?

Prej mbi 3 dekadash duket sikur shqiptari ka hipur në një karusel që vetëm rrotullohet, pa shkuar askund dhe pa ndaluar kurrë. “Transformim” është sllogani që përsëritet në sinonimet “progres”, “reformë”, “ndyshim” e ç’të duash ti. Ajo që qe dje nuk është më sot dhe ajo që është sot nuk do të jetë nesër. “Për të mirën tonë”. Dale mo, po kush i ngarkoi këta të vendosin për të mirën tonë?

Një shoqëri që vetëm lëviz, me ndryshimin si qëllim në vetvete dhe jo si mjet për zhvillimin e individit, pa fjalë që sjell veç ankth, turbulli e pasiguri ndër njerëz. Një not i pakuptimtë në mes të një oqeani, pa busull e pa brigje. “Ndryshimi” si mekanizmi i parazgjedhur i politikës për të krijuar iluzione e për të bërë para, pa e shpënë askund shoqërinë, është themeli i çdo tensioni të individit e grupit, tension që mishërohet deri në dhunë të nivelit të llahtarit në Shënavlash a të vrasjeve e vetëvrasjeve të tjera, pa diskutuar kriminalitetin e lartë si alternativë e mbijetesës ekonomike në një vend “në ndryshim” të përjetshëm.

Me idealin kalorsiak për të na çuar një sahat e më parë në Europën e largët, politika shqiptare galopon me të katra, pa e çarë fare menderen se popullin e drobitur po e tërheq zvarrë, duke e gjakosur, rreckosur e copëtuar nëpër kalldrëmet e kësaj udhe kaq të mundimshme. Ne duhej të kishim pas qenë bërë popull një herë, të kishim pas patur konsoliduar ekonominë e lirë të tregut të lirë, shenjtëruar pronën e të tjerat pastaj do të vinin natyrshëm.

Të paktën 80 vitet e fundit politika shqiptare ka përdhunuar shqiptarin me mundime e sakrifica të panevojshme në emër të së ardhmes. Domethënë të një gjëje që as dihet në do vijë dhe në fakt as erdhi kurrë. Askush, asnjëherë nuk bëri gjë për atë brez dhe atë kohë. Ndaj asnjë brez në asnjë kohë në Shqipëri as nuk qe, as është e as do të jetë së afërmi, I PLOTËSUAR.

Pra, kur të marrësh gurin e rradhës, në tragjedinë e rradhës, nuk bën keq që t’ia vërvisësh atyre që të sundojnë e të poshtërojnë. E, nëse s’ke bythë ta bësh, të lutem, leri rehat ata që i ka gjetur halli e hap sytë mos të gjejë gjë ty, brenda pragut.

Share: