Home Gjeo-Ekonomia Festa e Pranverës shënoi kulmin e turizmit global

Festa e Pranverës shënoi kulmin e turizmit global

Intervistoi Eda Merepeza

Gjatë Vitit të Ri Kinez, që sipas Kalendarit Hënor ka nisur më 26 janar dhe përfundon më 5 mars, udhëtimet kanë shënuar rekorde. Ndoshta mund të ketë ndikuar kthimi në normalitet pas periudhës pandemike, por shifra e udhëtimeve ka arritur në 9 miliardë, të realizuara me të gjitha mjetet e transportit në Kinë.

Me simbol jetik të saj bashkimin familjar, Festa e Pranverës ka regjistruar shifra të papara të transportit hekurudhor, me shpejtësi konkurruese dhe çmime të pranueshme, transportit rrugor të cilësisë së lartë, transportit ajror, me shtime të linjave të fluturimit, kryesisht jashtë vendit, si dhe transportin detar.

Më shumë se 300 milionë udhëtime të pasagjerëve u kryen nëpërmjet hekurudhave të Kinës nga 26 janari deri më 19 shkurt, që shënojnë 25 ditët e para të periudhës së udhëtimeve të Festës së Pranverës, sipas “China State Railway Group Co. , Ltd”.

Analisti Artur Nura, botues i portalit online Përqasje komenton për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) fluksin e jashtëzakonshëm të udhëtimeve gjatë Vitit të Ri Kinez

CMG: Si do ta komentoni këtë fenomen të udhëtimeve gjatë Festës së Pranverës në Kinë?

Artur Nura: Periudha pandemike ka ndikuar dhe duhet të jetë një eksponent i rëndësishëm i kësaj dinamike, por politikëbërja në Pekin ka perceptuar drejt zhvillimin ekonomik të vendit, por dhe atë global.

CMG: Është punuar gjatë viteve të pandemisë për të parë se si do të rimëkëmbej ekonomia dhe turizmi

Artur Nura: Unë i referohem fjalimeve të fundit të presidentit të Kinës Xi Jinping, i cili i ka orientuar të gjithë instrumentet politikë të vendit. Politika pa ekonominë është abstrakte, por dhe ekonomia pa një politikë të mirë mund të dështojë. Kina është një vend me politikë të majtë, me Partinë Komuniste në krye, por që ka dhënë një shembull për një kapitalizëm shumë dinamik. Duket se ky është një test që po bën qeveria kineze për të parë rezultatet.

CMG: Kjo është parë dhe gjatë punimeve të Konferencës së Punës Ekonomike që u zhvillua në dhjetor të vitit të kaluar, një nga objektivat ka qenë rritja e konsumit, si bazë për rritjen ekonomike të vendit.

Artur Nura: Është një strategji e mirëmenduar, por le t’i referohemi ekspertëve të ekonomisë për këtë zhvillim. Në këtë drejtim ka dy parime të rëndësishme. E para janë perceptimet pozitive që ndërtohen në ekonomi, që sjellin zhvillimin e ekonomisë. E dyta është dinamika ekonomike, sa më shumë dinamizëm të ketë ekonomia, aq më i lartë zhvillimi i saj.

Nëse i referohemi shifrave mësojmë se kemi 2.2 milionë udhëtime me avion gjatë periudhës së festës dhe 12.9 milion udhëtime me tren.

CMG: Këtu kemi të bëjmë dhe me infrastrukturën e Kinës, ndër më modernet në botë. Sa i përket udhëtimeve me tren, ato realizohen me hekurudha të shpejtësisë së lartë deri në 400 km në orë, të cilat mbulojnë pjesën më të madhe të territorit të vendit. Kjo është arsyeja që kinezët më së shumti përdorin për udhëtime trenat e shpejtë. Edhe linjat ajrore tashmë kanë rimarë vrullin e rritjes që vihet re dhe në Festën e Pranverës, duke shtuar linjat me vendet e Europës, por dhe të Afrikës, Azisë dhe Amerikës. Të gjitha këto rezultate ndikojnë në ekonomi

Artur Nura: Padyshim. Ndikimi është në ekonominë kineze, por jo vetëm sepse tashmë nuk kemi një turizëm të brendshëm, por dhe të jashtëm, i cili nuk vjen rastësisht, por vjen nga një politikë e mirëmenduar

CMG: Me këtë bum turistik të vitit të kaluar dhe fillimit të këtij viti, që përkoi me Festën e Pranverës, parashikohet që rritja e turizmit kinez të jetë 40 për qind.

Artur Nura: Është shifër e jashtëzakonshme. Të shkosh afër 50 përqindëshit do të thotë se do të sjellë një zhvillim galopant.

CMG: Kjo lidhet dhe me rritjen e mirëqenies së qytetarëve kinezë, kryesisht e klasës së mesme, sepse një person që nuk ka të ardhura të mjaftueshme nuk mund të planifikojë udhëtime të tilla, të cilat kanë koston e tyre

Artur Nura: Kina ka shtresën e mesme më dinamike në botë.Të gjitha politikat e mirëmenduara ndikojnë në këtë rritje. Nëse i referohemi diplomacisë kineze kemi politika liberale në raport me ekonominë, marrëveshje me shumë vende të botës për heqjen e vizave, si dhe marrëveshje të tjera jorastësore me disa vende të rëndësishme në plan global me heqje të njëanëshme të vizave. Kina i pranon qytetarët e vendeve europiane si Franca, Gjermania, Italia, Vendet e Ulta, Spanja, por dhe Malajzia

CMG: Kina ka realizuar politikën e heqjes së vizave me 154 vende, ku bën pjesë dhe Shqipëria si  dhe heqje të njëanëshme të vizave me 44 vende

Artur Nura: Kjo heqje e vizave nuk është rastësore sepse kemi të bëjmë me vende të BE-së me të cilat Kina ka konkurrencë ekonomike. Gjithashtu ka patur vizita të autoriteteve më të larta të BE-së në Pekin, por dhe të kryeministrt kinez në këto vende. Ka një dinamizëm të madh në këtë drejtim. Jam i bindur se kjo marrëveshje e njëanëshme e heqjes së vizave, ndonëse parashikon një kohë të caktuar, do të sjellë përfitime për Kinën, por dhe këto vende. Me rastin e Vitit të Ri Kinez ka patur festime në Europë të tij.  Po i referohem rastit të Italisë, konkretisht Milanos

CMG: Jeni një njohës i mirë i Italisë, korrespondent i medias italiane dhe keni informacion specifik për këtë

Artur Nura: Po. Sipas kryetarit të Bashkisë së Milanos në këtë qytet janë 33 mijë qytetarë me origjinë kineze, një pjesë e të cilëve ka shtetësinë italiane, pra komuniteti kinez, që është i përhapur në Romë dhe qytete të tjera të vendit. Ndërkohë në Milano ka 8 mijë ndërmarrje ekonomike kineze, që do të thotë  një raport i jashtëzakonshëm lidhur me popullsinë. Ndërsa ka vende në Europë që ndjekin një politikë proteksioniste Kina me këtë vendimmarrje i tregon Europës se nga shkëmbimet përfiton pala kineze, por dhe vetë ata.

CMG: Duke mbetur te Italia lexova një artikull interesant në median kineze që kishte të bënte me firmat e mëdha të modës në Itali, ku butikët e modës me rastin e Viti të Ri Kinez kanë patur produkte të dedikuara të kësaj feste për klientët.

Artur Nura: Pra biznesi industrial i është përshtatur zhvillimit dinamik.

CMG: Jo vetëm, sepse turisti kinez shpenzon dhe është në toplistën e turistëve ndërkombëtarë që kryejnë shpenzime. Turistët kinezë në vende të ndryshme të botës janë gjithëvjeçarë. Për shumë vende të botës, ashtu si dhe për Shqipërinë në këtë periudhë dimërore turizmi nuk ka gjallërinë e pjesës tjetër të vitit. Janë turistët kinezë që në pushimet e Festës së Pranverës gjallërojnë tregjet e vendeve të ndryshme të botës, me shpenzimet e tyre.

Artur Nura: I jep dinamizëm ekonomisë së vendeve që viziton dhe bëhet fjalë për grupe të mëdha turistësh, ku më i vogli përbëhet nga 50 vetë

Pra bëhet fjalë për shifra të jashtëzakonshme, sepse është një numër i madh turistësh nga Kina, të cilët shpenzojnë një buxhet të rëndësishëm, duke ndikuar në ekonominë lokale të vendeve që vizitojnë. Le t’i referohemi vendeve që e kanë mundësinë të vizitojnë Kinën, por qytetarët kinezë nuk mund t’i vizitojnë pa viza këto vende. Sipas të dhënave të Grupit HBX, Tajlanda, Japonia, SHBA, Spanja, dhe Mbretëria e Bashkuar janë konsumatorë të kësaj periudhe feste në Kinë. Turistët nga këto vende vizitojnë në Kinë qytete si Shangai, Guanzhou, Makao dhe Hong-Kong. Është një motorr i rëndësishëm ekonomik që sjell zhvillim ekonomik të Kinës, por duke patur shkëmbime të shumta ndoshta në të ardhmen e afërt heqja e vizave do të bëhet dhe për qytetarët kinezë nga këto vende.

CMG: Nëse do të ndalemi tek Shqipëria, pas festës së Vitit të Ri tonit, është një periudhë kur bie niveli i turistëve që e vizitojnë. Por këtë vit nuk ka ndodhur kështu. Kemi realizuar një reportazh për këtë ku mësuam se vetëm në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” të Krujës nga janari numri i turistëve kinezë ka arritur në afro 500, duke kryesuar listën e vizitorëve të tij.  Këta turistë janë pjesë e një pakete turistike në Ballkanin Perëndimor dhe pritet që numri i turistëve kinezë në Shqipëri të rritet gjatë vitit.

Artur Nura:Marrëdhëniet shqiptaro-kineze janë historike, madje unë kam kujtime me kinezë gjatë periudhës së miqësisë midis dy popujve që nuk mund të shlyhen në kujtesën time. Si unë janë me mijëra të tjerë. Duhet patjetër një politikë liberale sepse është një potencial i jashtëzakonshëm dhe të jepen subvencione në mënyrë që ky potencial ekonomik dhe turistik të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

CMG: Turistët nga Kina janë më së shumti kulturorë dhe nuk janë turistët sezonalë të bregdetit. Atyre u pëlqen të vizitojnë muzetë, qendrat kulturore dhe arkeologjike të një vendi. Kjo jo vetëm në Shqipëri, por as në vendet turistike të njohura europiane si Italia, Spanja të shumëfrekuentuara nga turistët kinezë, ata nuk qëndrojnë në plazhe, por duan të njihen me kulturën, historinë dhe gastronominë e një vendi. Industria shqiptare e turizmit duhet ta ketë në fokus këtë profil të turistit kinez.

Artur Nura. Po, duhet ta kenë në konsideratë. Sipas të dhënave perëndimore, gjatë Vitit të Ri Kinez të gjithë turistët kinezë kalonin 2-6 ditë në vendet ku kishin shkuar të vizitonin. Mendoni çfarë potenciali ekonomik është ky. Ne si një vend i vogël padyshim duhet të përfitojmë nga ky interesim kulturor i turistëve kinezë të cilët vijnë dhe shpenzojnë dhe përfitojnë zonat lokale, bashkitë por dhe familjet, pra vetë Shqipëria.

CMG: Është një mundësi e mirë për Shqipërinë që të ketë turizëm gjithëvjetor, madje duke shfrytëzuar dhe paraqitjen e saj turistike në faqet e para të mediave më të njohura në botë.

Artur Nura: Ka filluar të punohet për këtë, madje dhe për zhvillimin e turizmit malor në veri sepse kemi vende të bukura dhe territori ynë përbëhet nga ¾ male. Duhet të kemi politika të studiuara për një turizëm vjetor dhe muajt janar dhe shkurt po e vërtetojnë këtë gjë. Mjafton të dalësh në qendër të Tiranës dhe sheh grupet e turistëve. Turistët kinezë janë një potencial i jashtëzakonshëm  dhe duhen gjetur mënyrat për t’ua ofruar Shqipërinë grupeve të tilla.

CMG: Ende nuk kam një informacion zyrtar në shifra për numrin e turistëve shqiptarë që vizitojnë Kinën.

Artur Nura: Ka bërë një reportazh të bukur për vizitën në Kinë kolegu ynë Rezear Xhaxhiu me bashkëshorten, por ka dhe grupe shqiptarësh  që po e vizitojnë si dhe agjenci turistike, që po punojnë në këtë drejtim./CRI.CN

Share: