Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Vënie në dijeni për veprimtari të paligjshme me fëmijët shqiptarë

Vënie në dijeni për veprimtari të paligjshme me fëmijët shqiptarë

Nga Artur Shkurti

Drejtor i shkollës “Udha e shkronjave”

Tiranë, më 15 shkurt 2024 

Dërguar me e-mail: ora 13:57

Informim zyrtar për veprimtari të paligjshme masive lidhur me fëmijët shqiptarë, organizuar nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit dhe realizuar në praktikë nga një seri institucionesh varësie prej Ministrisë së Arsimit dhe shkollat publike dhe private (përjashtuar shkollën “Udha e shkronjave”) 

Z. Bajram Begaj

President i Republikës së Shqipërisë

Z. Edi Rama

Kryeministër i Republikës së Shqipërisë 

Znj. Lindita Nikolla 

Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë 

Znj. Ogerta Manastirliu 

Ministre e Arsimit dhe e Sportit

Z. Olsian Çela 

Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë

Z. Altin Dumani

Drejtues i Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion

Z. Sokol Sadushi 

Kryetar i Gjykatës së Lartë

Z. Arben Shehu

Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit 

Znj. Erinda Ballanca

Avokati i Popullit 

Për dijeni Opinionit Publik dhe veçanërisht organeve të mediave

I nderuar President, 

Të nderuar drejtues të shtetit, 

Në këtë letër, ne do t’ju informojmë për një veprimtari masive të hapur të jashtëligjshme me fëmijët shqiptarë. Do të mundohem të mbaj thjesht shpjegimin, pa e ngarkuar me termilogji ligjore, sepse këto do t’i gjeni mjaft të detajuara në linket që janë. 

Thelbi i dëmit që kanë të gjithë fëmijët shqiptarë (6-18 vjeç) është “shkelja e privatësisë së tyre” përmes marrjes në mënyrë të paligjshme të të dhënave të tyre personale të përhershme dhe atyre që krijohen dita ditës nga shkollat shtetërore dhe private. 

Fabula: Qeveria shqiptare nxjerr një VKM në dhjetor 2021 që jepte tiparet e një databaze por jo edhe detyrimin për ta plotësuar këtë databazë. Vetëm me kaq, një muaj më pas në janar 2022, Ministria e Arsimit përmes kanaleve shpesh jo nga e-maile zyrtare, por nga e-maile jozyrtare fillon të njoftojë shkollat që të plotësojnë (popullojnë) databazën SMIP me të dhënat e fëmijëve. (Vini re: databaza që do muaj të tërë punë ishte gati për një muaj pas VKM-së. Si u bë gati pa dalë VKM, kur databaza duhej të ishte shtetërore dhe procedurat zgjasin jashtëzakonisht shumë në këtë rast dhe testimet edhe më shumë?!)

“Udha e shkronjave” kundërshton menjëherë Zyrën Arsimore  Tiranë dhe njofton Ministrinë e Arsimit për arsyetimin e saj ligjor se pse ka marrë vendimin që të mos regjistrohet në këtë databazë. Argumenti kryesor yni është që nuk ka asnjë bazë ligjore për SMIP. Mund të provohet lehtësisht që edhe pa patur të dhëna brenda asaj databaze dhe ajo do të dilte në kundërshtim të hapur me shumë procedura e ligje, jo më që “mbushja e databazës” kërkon respektimin e ligjit 9887 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe të ligjit 69/2012 “Për arsimin parauniversitar”, në veçanti nenet 66, 67. 

Ministria e Arsimit nuk nxori asnjë urdhër të botuar në Fletoren Zyrtare, ndërkohë për të dhënë idenë se urdhëri ishte nxjerrë, qarkulloi në shkolla Urdhëri 589, datë 16.10.2023, që përsëri nuk mbante urdhërime dhe ndërkohë ishte 2 vjet me vonesë, ndërkohë që shkollat kishin filluar punën. Pra shkollat u urdhëruan të punojnë pa bazë ligjore dhe ashtu po vijojnë. 

Urdhërimi është bërë gjithmonë në një gjuhë “me dy kuptime” dhe shpesh nga adresa private të punonjësve të Zyrave Arsimore. 

Vetë fjala SMIP që përdoret aq gjerë dhe që në kuptimin e përditshëm nënkupton databazën qëndore online që mbledh të dhëna përmes domeinit smip.al në fakt ligjërisht nuk kupton domosdoshmërisht një databazë qëndrore online, por edhe një databazë të mbajtur në letër dhe që nuk shkel ligjet. 

Kjo mënyrë të vepruari me shkollat është e pandershme nga organet e Ministrisë së Arsimit nga zyrat juridike të saj dhe nga Zyrat Arsimore në të gjithë vendit. 

Thuhej fjala SMIP, por nuk përmendej gjëkundi emri i saktë i domeinit. 

Për të realizuar një proces kaq masiv do të kishte nevojë edhe për sanksione nëse nuk bëhej puna. Çuditërisht në asnjë dokument zyrtar nuk u prodhuan “sanksione” gjë që provon se nuk ka as “urdhërim” të drejtorve dhe të mësuesve. Nëse nuk ka “as urdhërim ligjor” dhe as “sanksion nëse urdhëri nuk zbatohet” çfarë çudie ndodhka që databaza qëndrore online është e mbushur me miliona të dhëna të fëmijëve shqiptarë, duke përjashtuar vetëm nxënësit e shkollës “Udha e shkronjave”?!

Në fakt, situata tregon një shtet paralel që “urdhëron paralel” dhe “sanksionon paralel” duke dubluar shtetin dhe këtë fuqi nuk mund ta ketë tjetër kush veç vetë organeve shtetërore, pra Qeverisë që prodhoi VKM 742 dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit që bëri realizimin praktik të një shteti paralel në këtë çështje. 

Është e jashtëligjshme, kriminale dhe antikombëtare që fëmijët shqiptarë të përgjohen, të spiunohen, t’u mblidhen të dhënat nga një databazë që në formë është shtetërore por qartësisht nuk ka asnjë gjurmë të menaxhimit ligjor. 

Ne e dimë shumë mirë që nëse do të ishte vetëm interes shtetëror, askush nuk do të nxitonte e ta bënte realitet pa u përputhur me të gjitha ligjet. 

Nga ana tjetër e dimë që vetëm një veprimtari kriminale ka nevojë për shmangien e kaq shumë ligjeve dhe rregullave sa janë shmangur me Databazën Qëndrore Online SMIP. 

Arsyetime mbi nenet 66, 67 të ligjit 69/2012 “Për arsimin parauniversitar” dhe ballafaqimi me praktikën e databazës qëndrore online SMIP

KREU XII – SHKELJET E KËRKESAVE LIGJORE NË FUSHËN E ARSIMIT PARAUNIVERSITAR

Neni 66 – Mbledhja dhe përpunimi i të dhënave personale

Citojmë: pika 1. Mbrojtja dhe përpunimi i të dhënave personale të nxënësve dhe të punonjësve të sistemit arsimor bëhen në përputhje me ligjin nr. 9887, datë 10.3.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, të ndryshuar.

Koment: Pra ligji 69/2012 dhe ligji 9887 bëjnë një dyshe ligjesh që janë tepër të fuqishme në mbrojtje dhe nuk gjendet asnjë urdhër dhe asnjë VKM që të reflektojë këtë mbrojtje në praktikën që ndërton.  

Citojmë: pika 2. Nxënësit janë të detyruar të japin të dhënat personale, sipas pikës 1 të këtij neni. Institucioni arsimor njofton paraprakisht personat për këtë detyrim ligjor. 

KOMENT: Pra (pika 1) nëse plotësohen kushtet e ligjit 9887. Deklarojmë që e gjithë praktika e shkollave është plotësisht në shkelje të ligjit 9887. Prindërit nuk njoftohen dhe nuk sqarohen për databazën dhe aq më tepër as një leje me shkrim nuk merret. Nëse do të merreshin lejet, ato do të merreshin pjesërisht dhe të qenët pjesor i prindërve do ta bënte pjesore dhe shkolllën dhe automatikisht databaza qëndrore do të kishte dështuar së plotësuari. Ndaj ka qenë interesi i paligjshëm i autorëve të databazës që të mos i udhëzojnë shkollat për marrje të lejes së prindërve. Kjo rëndë ka dëmtuar zbatimin e ligjit dhe pasojat kanë rënë mbi fëmijët shqiptarë. 

Citojmë: pika 3. Institucioni arsimor mbledh e përpunon të dhëna personale të personave dhe i vendos ato në dokumentet zyrtare, si dhe në dosjen vetjake të personit. Këto të dhëna personale përcaktohen me udhëzim të ministrit, pasi merret mendimi i Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Koment: Ne si shkollë “Udha e shkronjave” e kemi njoftuar zyrtarisht Komisionerin e të Dhënave Personale dhe shohim një indiferencë nga ky organ për mendimin tonë të pafalshme, që duhej ta kishte zgjidhur me autoritetin e vet menjëherë paligjshmërinë. Në këtë kuptim, ne besojmë që ky institucion është në rrethin e organizatorëve duke paralizuar veprimin e ligjit 9887 me moszbatim në praktikë. Të merren haptas miliona të dhëna sensitive çdo ditë nga mbi 400 000 fëmijë shqiptarë dhe Komisioneri të mos shpallë mendimin e vet zyrtar për një praktikë 

Citojmë: pika 4. Pëlqimi për t’i përdorur të dhënat personale jepet nga vetë personi kur ka mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, përndryshe jepet nga prindërit e tij. Pëlqimi paraqitet me shkrim.

Koment: Asnjë shkollë në Republikën e Shqipërisë nuk e ka respektuar këtë. Përse do të duhej ky nen nëse miliona e miliona të dhëna personale janë duke u marrë? 

Neni 67 – Mbrojtja e të dhënave personale të nxënësve

Citojmë:  pika 1. Personi ka të drejtë të njihet me të dhënat e tij personale, që disponon institucioni arsimor përkatës.

Koment: Kjo vlen nëse mbledhja është e ligjshme. Nëse Databaza Qëndrore online SMIP është ndërtuar në mënyrë të paligjshme, atëherë nuk duhet që fëmija ta realizojë këtë të drejtë përmes një databaze të paligjshme. Nëse kjo ndodh, atëherë shteti po zëvendëson shërbimet e ligjshme, ta zemë regjistrimin një regjistër fizik, me shërbime të paligjshme, me një databazë online. Nëse raportimi duhet të ndodhë nga mësuesi tek nxënësi, apo nga drejtori tek nxënësi, tani po ndodh në mënyrë të jashtëligjshme. Mësuesi dhe drejtori i dërgojnë të dhënat personale jashtë shkollës në një server qëndror të paligjshëm në të dhënat që ka dhe ky server u dërgon informacionin prindërve përsëri në mënyrë të paligjshme. 

Citojmë: pika 2. Punonjësit e institucionit arsimor nuk kanë të drejtë t’u vënë në dispozicion të tjerëve, jashtë institucionit, të dhëna personale të një personi, duke treguar identitetin e tij, me përjashtim të rasteve kur personi paraqet kërkesën ose jep pëlqimin.

Koment: Databaza qëndrore SMIP është jashtë shkollës, pra jashtë institucionit arsimor, pra nuk plotëson këtë kusht të vendosur nga ligji 69/2012 dhe të gjithë personat që kanë akses në këtë databazë që janë me funksione zyrtare ose janë persona privatë janë duke shkelur ligjin dhe këtë mundësi ua ka ofruar shkolla, me detyrimin praktik, por jo ligjor nga ana e Ministrisë. Këto të dhëna janë të gjitha me identitet të plotë dhe seriozisht rrezikojnë sigurinë dhe mirëqënien e fëmijës. 

Citojmë: pika 3. Drejtuesi i institucionit arsimor u dërgon zyrtarisht institucioneve, që përcaktohen me udhëzim të ministrit, të dhëna personale pa identifikuar  personat.

Koment – Databaza qëndrore SMIP  është qëndrore me varësi nga Ministria e Arsimit dhe të dhënat në të janë me identitet të plotë. Pra vetë Ministria e Arsimit po e shkel ligjin 69/2012 “Për arsimin parauniversitar” duke i detyruar shkollat që në kundërshtim me ligjiin t’i japin asaj të dhëna personale me identitet dhe sasira të tilla që nuk janë minimale, por maksimale, çdo sjellje, çdo notë, çdo mungesë ose prani në shkollë, çdo veprimtari, çdo lëndë, çdo kurrikul, që në kombinim japin në përmasa të mëdha identitetin e fëmijës. Faktikisht janë mbi 400 000 fëmijë (mosha 6-18 vjeç) që janë plotësisht të identifikuar në SMIP dhe ata janë seriozisht të rrezikuar.  

Citojmë: pika 4. Rezultatet e nxënësve në provimet kombëtare dhe të dhënat e tyre për hyrjen në institucionet e shkollave të larta, si dhe rezultatet e mësuesve në provimet e kualifikimit nuk zbulojnë identitetin e personit.

Koment – Ndërmjet rezultatit final dhe rezultatit të përditshëm, mbizotëron rezultati i përditshëm si vlerë, sepse ai është më përshkrues i personalitetit dhe në sasira më të mëdha, që qartësisht ndërton profil. I gjithë ky informacion po merret me identitet. 

Citojmë: pika 5. Punonjësi i institucionit arsimor e ka të ndaluar të japë të dhëna për arritjet mësimore dhe sjelljen e një nxënësi të institucionit arsimor në mënyrë publike ose t’ia japë ato një personi të veçantë.

Koment – Ky detyrim tashmë duket krejt pa kuptim, sepse 100% e mësuesve në shkolla publike dhe jopublike (përveç shkollës “Udha e  shkronjave”), po japin të dhëna personale të shumta personave jashtë shkollave shtetërore. Praktika e mësuesve dhe e shkollave qartësisht provon se ky detyrim nuk respektohet. Vetë Databaza  Qëndrore është e paligjshme dhe kjo do të thotë që të gjithë personat që punojnë aty janë duke shkelur ligjin. Databaza qëndrore thuajse e bën publike me numrin e shumë personave që kanë akses në të dhe të gjithë personat me pushtet që kanë akses në SMIP janë në cilësinë e personave të veçantë që nuk duhet të dinë, sepse nuk kanë lidhje me shkollën, nuk janë brenda shkollës, nuk janë staf i shkollës. 

Citojmë: pika 6. Të dhënat personale të një grupi personash mund t’u vihen në dispozicion institucioneve të tjera për studime, vetëm pas miratimit me shkrim të drejtorit të institucionit arsimor, pa zbuluar identitetin e tyre. 

Koment – Faktikisht “po e zbulojnë identitetin” dhe masivisht.

Shkelja e detyrimeve që rrjedhin nga Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (GDPR) e Bashkimit Evropian. 

Preambula 38 Linku: https://gdpr-info.eu/recitals/no-38/ “Mbrojtje e veçantë e të Dhënave Personale të Fëmijëve”. 

“Fëmijët meritojnë mbrojtje specifike në lidhje me të dhënat e tyre personale, pasi ata mund të jenë më pak të vetëdijshëm për rreziqet, pasojat dhe masat mbrojtëse në fjalë dhe të drejtat e tyre në lidhje me përpunimin e të dhënave personale. Një mbrojtje e tillë specifike duhet, në veçanti, të zbatohet për përdorimin e të dhënave personale të fëmijëve për qëllime të marketingut ose krijimit të profileve të personalitetit ose përdoruesve dhe mbledhjes së të dhënave personale në lidhje me fëmijët kur përdoren shërbimet e ofruara drejtpërdrejt për një fëmijë. Pëlqimi i mbajtësit të përgjegjësisë prindërore nuk duhet të jetë i nevojshëm në kontekstin e shërbimeve parandaluese ose këshilluese që i ofrohen drejtpërdrejt fëmijës.”

Koment: Jo vetëm që nuk ka mbrojtje specifike, por ka një sulm frontal ndaj të dhënave personale të fëmijëve dhe krejt hapur, krejt në shkelje të ligjit. 

Preambula 43 e GDPR https://gdpr-info.eu/recitals/no-43/  “Pëlqimi me vullnet të lirë” thotë:  

 “Për të siguruar që pëlqimi jepet lirisht, pëlqimi nuk duhet të ofrojë një bazë ligjore të vlefshme për përpunimin e të dhënave personale në një rast specifik kur ka një çekuilibër të qartë midis subjektit të të dhënave dhe kontrolluesit, veçanërisht kur kontrolluesi është autoritet publik dhe prandaj nuk ka gjasa që pëlqimi të jetë dhënë lirisht në të gjitha rrethanat e asaj situate specifike. Pëlqimi supozohet se nuk jepet lirisht nëse nuk lejon dhënien e pëlqimit të veçantë për operacione të ndryshme të përpunimit të të dhënave personale, pavarësisht se është i përshtatshëm në rastin individual, ose nëse ekzekutimi i një kontrate, duke përfshirë ofrimin e një shërbimi, varet mbi pëlqimin pavarësisht se pëlqimi i tillë nuk është i nevojshëm për një kryerje të tillë.”  

Koment: Qeveria dhe Ministria në mënyrë të paligjshme organizuan praktikisht detyrimin e shkollave që të mos merrni fare pëlqim, pra që është një nivel më i lartë i dhunës shtetërore ndaj të drejtave elementare. Sidoqoftë provohet që ata e kanë detyruar prindin të praktikojë shkeljen e të drejtës së mbrojtjes së fëmijës (pra anashkaluan vullnetin e lirë). Që kjo mbrojtje e fëmijës të aktivizohej do të duhej që shkolla t’i dërgonte njoftim prindit, t’i kërkonte mendim lidhur me çfarë shkolla dhe shteti do të bënte me këto të dhëna, përse i donte etj. Ministria zëvendësoi në mënyrë të rrufeshme për të gjithë prindërit shqiptarë shërbimet e ligjshme me shërbime të paligjshme. Në mungesë të shërbimeve të ligjshme, prindërit u detyruan të përdorin shërbimet online. Që ata t’i përdornin këto shërbime online, duhej të legalizonin shërbimet e databazës qëndrore online SMIP. 

Ne këtë e provojmë me disa raste nga shkolla jonë: 

Nëse prindërit që do të regjistroheshin në shkollën “Udha e shkronjave” kishin nevojë për Fletën e Shpërnguljes nga shkolla e tyre, kjo e fundit, që ishte e regjistruar në databazën qëndrore SMIP bëhej “seksere” për të na regjistruar në SMIP, duke refuzuar shërbimin e ligjshëm, pra transferimin e nxënësit sipas procedurës së Urdhërit 31 të Ministrisë së Arsimit, neni 78 me një procedurë të paligjshme online që nuk gjen referim në asnjë akt nënlgjor. Raste të tilla ne kemi patur shumë. Por ne i dokumentuam këto raste dhe nuk pranuam të regjistrohemi. Kjo do të thotë se të njëjtin presion zyrat arsimore e kanë shtrirë kudo nëpër shkolla. Fatkeqësisht ato u dorëzuan. 

TË NDERUAR DREJTUES TË LARTË TË SHTETIT

Fëmijët tuaj (të dhënat personale sensitive) nëse janë në moshën 6-18 vjeç,  ose janë përfshirë në databazën qëndrore SMIP ose nuk janë përfshirë. 

Nëse nuk janë përfshirë fëmijët tuaj, atëherë shteti është duke shkelur parimin e barazisë dhe po diskriminon fëmijët, sepse fëmijët tuaj do të ishin të mbrojtur, dhe ne ashtu duam të jenë të pa dëmtuar nga marrja e të dhënave personale, ndërsa fëmijët e të tjerëve, pra popullit, do të ishin të dëmtuar dhe ne nuk duam që ata të jenë të dëmtuar. 

Me shumë mundësi fëmijët tuaj janë përfshirë nga shkollat ku i keni fëmijët në databazën SMIP, në mënyrë të paligjshme. 

Ne nuk mundemi t’i japim shpjegim dukurisë masive të dështimit tonë kombëtar që të mbrojmë fëmijët nga kjo veprimtari hapur e paligjshme, krejt masive në kufijtë e 100%. 

Ne nuk mundemi të kuptojmë se si asnjë jurist, avokat, prokuror, gjykatës, noter, gazetar, politikan, specialist i shkencave kompjuterike e plot të tjerë nuk e ngrenë këtë problem. 

Nëse fëmijët tuaj janë të rrezikuar nga marrja në mënyrë të paligjshme e të dhënave nga databaza qëndrore online SMIP, pra paligjshmëria ka kapur fëmijët tuaj, atëherë kjo thellësisht rrezikon sigurinë tonë sepse nga fëmija rreziku vjen tek zyrtarët më të lartë të shtetit. 

Edhe një herë ju njoftojmë që këto probleme shkolla “Udha e shkronjave” i ka ngritur menjëherë sapo morëm njoftimin në janar të vitit 2022, pra dy vjet më parë. 

Ia kemi bërë të qartë Ministrisë së Arsimit dhe të Sportit dhe Zyrës Arsimore Tiranë vendimin tonë dhe arsyetimin tonë ligjor që të mos bëhemi pjesë e databazës qëndrore online SMIP. Nga na ligjore do të duhej që të ishin parashikuar sanksione për ne, por ato nuk janë parashikuar, pikërisht sepse veprimtaria e databazës ishte parashikuar që të ishte e paligjshme dhe vendosja e sanksioneve do të kishte kundërreagim dhe kjo është shmangur. 

Ndërkohë që nuk kemi patur sanksione të ligjshme, e kemi provuar në marrëdhënie me Zyrën Arsimore Tiranë që në të paktën pesë raste ata kanë refuzuar shërbimet e ligjshme si pjesë e presionit ndaj shkollës sonë që të bënim hapin e të regjistroheshim në databazën SMIP. U kemi thënë që hyrja jonë në këtë databazë nuk e bën atë të ligjshme, por synimi i tyre ishte të na korruptonin, duke arritur që ne ta shkelnim ligjin  ndaj nxënësve tanë. 

Ne nuk jemi futur në këtë databazë dhe jemi shumë të kënaqur që Republika e Shqipërisë e ka të paktën një shkollë që e respekton këtë detyrim madhor në një kohë kur masivisht, çuditërisht shkollat dhe mbarë opionioni dështoi rëndë. 

Në përfundim ju kërkojmë: 

Të hetoni respektimin e ligjit nga praktika e databazës qëndrore online SMIP dhe të merrni masa që të ndalohet pasojat negative mbi fëmijët shqiptarë. 

Duke qenë se dëmi për shtetin dhe shoqërinë shqiptare është i përmasave të jashtëzakonshme dhe i shtrirë në dy vjet, do të ishte me vlerë që ju të ndërtoni një komision koordinues ndërinstitucional me veprim të shpejtë. 

Çdo dëm e çdo plan  për të dëmtuar fëmijët fillon me njohjen e vetë fëmijës. Kjo punë është bërë tashmë masivisht, hapur dhe në mënyrë krejt të paligjshme dhe derisa puna është e paligjshme arsyet nuk mund të jenë pozitive, por do të jenë pjesë e një plani për të na dëmtuar e për të na dështuar si komb. 

Nuk e meritojmë se jemi komb me vlera! Ju shpresojmë që ta ndaloni! Çdo hap në këtë drejtim, ashtu si udhëzojnë edhe ligjet tepër mbrojtëse që kemi, duhet bërë bashkë me prindin shqiptar në dobi të fëmijës shqiptar, të familjes shqiptare, të kombit shqiptar! 

Me respekt për ju

Artur Shkurti

Share: