Home KRYESORE Zbardhen të pathënat e gjyqit të Ramiz Alisë dhe Adil Çarçanit, merrnin...

Zbardhen të pathënat e gjyqit të Ramiz Alisë dhe Adil Çarçanit, merrnin arin e thesarit të shtetit për të bërë dhëmbë floriri

Gjyqi më voluminoz i fillimeve të demokracisë ka qenë ai ndaj 10 ish-zyrtarëve të lartë të regjimit komunist, përfshi edhe ish-Presidentin Ramiz Alia, ish-kryeministrit Adil Çarçani.

Në botimin nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë “Gjyqet ndaj nomeklaturës komuniste 1993-1996” publikohet vendimi i plotë ku ndër të tjera ish-Presidenti Alia dhe ish-kryeministri Çarçani akuzohen edhe se merrnin arin e thesarit të shtetit për të bërë dhëmbët.

Në fund të seancës gjyqësore, siç rezulton edhe nga vendimi i plotë, Ramiz Alia përveçse me burg është dënuar edhe t’i kthejë arkës së shtetit 1.1 milionë lekë prej abuzimeve të bëra ndër vite.

Vendimi

Të pandehurit Manush Myftiu, Adil Çarçani, Ramiz Alia, Rita Marko, Simon Stefani, Hekuran Isai akuzohen edhe për veprën penale të shkeljes së barazisë së shtetasve nëpërmjet krijimit të privilegjeve të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 107 e 13 të Kodit Penal. Nga provat e administruara në seancë gjyqësore rezulton se trajtimi i udhëheqjes së lartë të partisë e të shtetit është bërë kryesisht me vendimet e Byrosë Politike nr.28/11 datë 23.8.1956, nr.163 datë 15.6.1961, nr.352 datë 5.11.1963, nr. 242 datë  27.7.1964, nr. 172 datë 1.12.1966, nr. 39 datë 23.3.1976, nr.1 datë 5.1.1983. Këto vendime janë miratuar e nënshkruar nga të pandehurit e mësipërm sipas periudhave të qenies së tyre anëtarë të Byrosë Politike.

Këta të pandehur kanë gëzuar të drejtën të pushonin në vende të veçanta të administruara nga Drejtoria e Pritjes, e cila kishte në administrim dhjetëra vila luksoze në vendet më piktoreske të Shqipërisë. Për kohën që këta të pandehur pushonin në këto vila, shpenzimet i përballonte shteti, ndërsa kur pushonin familjarët e tyre paguanin qira deri në tre dhoma dhe shpenzimet e tjera njësoheshin me ato të punonjësve.

Gjithashtu të pandehurit jetonin në një “bllok” vilash, në objekte me sipërfaqe të tepruara në krahasim me përbërjen familjare të tyre. Në periudha të ndryshme kohe këtyre vilave u bëheshin rikonstruksione e shtesa të objekteve gjithmonë sipas kërkesave të tyre.

Këta të pandehur nuk paguanin shpenzimet faktike për qira, dritë, ujë e ngrohje, pasi 50% dhe 70% të tyre përballoheshin nga shteti dhe asnjëherë këta të pandehur nuk duhet të paguanin më shumë se 250 lekë në muaj, në një kohë që me vendimin e Qeverisë të datës 30.10.1980, të gjithë shtetasit ishin të detyruar të paguanin vlerën reale të shpenzimeve të mësipërme.

Rezultoi se disa nga të pandehurit gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre kanë qenë edhe anëtarë Qeverie, dhe ndërkohë që ata merrnin vendime për shtetasit për të paguar vlerën reale të shpenzimeve, nga ana tjetër për veten e tyre këto marrëdhënie me shtetin i rregullonin nëpërmjet vendimeve të Byrosë Politike, të cilat siç doli më sipër i favorizonin ata tej masës.

Rezultoi gjithashtu se këta të pandehur gëzonin një trajtim mjekësor të veçantë, i cili realizohej në klinikën speciale ku ata trajtoheshin me ilaçe e barna falas, si dhe me punime stomatologjike në ar i cili tërhiqej nga thesari i shtetit, përsëri falas për këta të pandehur.

Në banesat e tyre shërbenin një numër i konsiderueshëm njerëzish e gjithashtu banesat ishin të pajisura me orendi e mobilie, shpenzimet për të cilat i mbulonte shteti.

Këta të pandehur përveç favoreve që i krijonin vendimet e Byrosë Politike, me veprimet e tyre kanë krijuar praktika të cilat dilnin jashtë këtyre vendimeve që kishin marrë në Byronë Politike. Kështu, në shumë raste kur të pandehurit ose familjarët e tyre kanë shkuar jashtë shtetit për vizita mjekësore kanë marrë me vete pa pagesë vlera materiale si dhurata për mjekët e huaj (kryesisht artikuj artistikë), vlera e të cilave ka kaluar padrejtësisht në shpenzimet e shtetit.

Për këtë problem i pandehuri Adil Çarçani, në formë urdhri ka nxjerrë shkresën sekrete Nr. 237 datë 19.2.1971, dërguar për zbatim Drejtorisë së Pritjes. Pra, vetëm mbi këtë bazë, pa u mbështetur në asnjë akt ligjor apo nënligjor, janë lëshuar një sërë autorizimesh nga të pandehurit Adil Çarçani e Manush Myftiu me të cilat për vete dhe të pandehurit e tjerë siguronin dhuratat që siç thamë i paguante shteti. Nga hetimi gjyqësor rezultoi se këtë praktikë nuk e kanë ndjekur të pandehurit Hekuran Isai dhe Simon Stefani.

Megjithëse për të pandehurit e akuzuar dhe për familjet e tyre funksiononin linja të posaçme prodhimi ushqimor dhe industrial, përsëri këta të pandehur kërkesat e tyre dhe të familjarëve preferonin t’i plotësonin nëpërmjet porosive që i jepnin Drejtorisë së Pritjes ose blerjes së tyre kur dilnin jashtë shtetit me valutë të huaj. Për më tepër, pas këtyre blerjeve, mallrat vlerësoheshin me çmime favorizuese dhe jo në bazë të konvertimit të valutës së tërhequr e të shpenzuar. Ndërkohë vendimi i Këshillit të Ministrave nr.227 datë 17.9.1975, ndalonte blerjen me valutë në dorë të mallrave, përveç rasteve të veçanta.

Pa asnjë bazë ligjore e nënligjore të pandehurve u janë mbuluar nga shteti deri edhe shpenzimet e vogla ditore në vleftën prej 3 lekë në ditë; po kështu, ata kanë përfituar edhe një kuotë shtesë për kohën e pushimeve në masën 3.2 lekë në ditë.

Nga këto veprime duket qartë se këta të pandehur kanë krijuar për veten e familjarët e tyre privilegje, duke bërë një jetë me një standard shumë më të lartë e të pakrahasueshëm me atë të popullit. Gjithashtu këto veprimet bien ndesh edhe me parimet kushtetuese.

Në nenin 14 të Kushtetutës së vitit 1950 nuk njihet asnjë privilegj për shkak të origjinës, pozitës, pasurisë ose shkallës së kulturës, ndërsa në nenin 40 të Kushtetutës së vitit 1976 sanksionohet se nuk njihet asnjë kufizim apo privilegj në të drejtat dhe detyrat e shtetasve për arsye pozite shoqërore.

Po kështu, Kodi Penal i vitit 1977, i nxjerrë në bazë e për zbatim të Kushtetutës, në nenin 107 të tij parashikon si vepër penale shkeljen e barazisë së shtetasve, vepër kjo të cilën të pandehurit e kanë konsumuar plotësisht nëpërmjet krijimit të privilegjeve.

Lidhur me padinë civile të ngritur në këtë gjykim nga ana e përfaqësuesit të akuzës, gjykata vlerëson se ajo duhet pranuar pjesërisht, pasi për disa zëra disa nga të pandehurit nuk mund të përgjigjen civilisht në bazë të nenit 155 të Kodit të Procedurës Penale.

Trupi gjykues vlerëson se i pandehuri Simon Stefani nuk duhet të përgjigjet civilisht për vlerën 12.158 lekë të dhuratave të vëna në ngarkim të tij, pasi siç thamë më lart nuk rezulton që t’i ketë marrë ato.

Gjithashtu duke u mbështetur në vendimin nr.32 datë 18.3.1994 të Gjykatës së Kasacionit, trupi gjykues vlerëson se duhet të zbritet edhe vlera e pagave të personelit në familjet e të pandehurve, si dhe e ushqimit të personelit, 7 lekë në ditë. Për zërin e amortizimit të orendive e pajisjeve shtëpiake, të pandehurit duhet të përgjigjen civilisht vetëm për periudhën 1986 deri në gusht 1990, pasi norma e amortizimit është e llogaritur mbi bazën e urdhrit të përbashkët të Komisionit të Planit të Shtetit dhe Ministrisë së Financave nr.997 dhe 1288 të vitit 1985, i cili merrte fuqi ligjore më 1.1.1986. Po kështu, trupi gjykues vlerëson se ata të pandehur që kanë kryer shpenzime në rast fatkeqësish nuk duhet të përgjigjen civilisht për këto shpenzime.

Përfundimisht, duke u bazuar në aktin e ekspertimit kontabël, të gjashtë të pandehurit duhet të përgjigjen civilisht për shumat përkatëse, sipas pasqyrës përmbledhëse që i bashkëngjitet këtij vendimi.

Përfundimisht, të gjithë të pandehurit duhen deklaruar fajtorë për veprat penale që akuzohen për ato episode të argumentuara në këtë vendim. Këto episode karakterizohen nga një mendim unik kriminal, veprime të njëjta, duke përbërë kështu një vepër penale të vetme.

Trupi gjykues vlerëson se ndodhemi përpara një krimi vazhdues që ka sjellë pasoja sistematike e të qëndrueshme, të kryera nga subjekte me detyra të larta të përhershme partiake e shtetërore.

Në llojin e masën e dënimit gjykata ka parasysh rrezikshmërinë e theksuar shoqërore të veprave penale të kryera nga të pandehurit, pasi ato prekin marrëdhënie të rëndësishme shoqërore të mbrojtura nga Kushtetuta e Ligji Penal, rrezikshmërinë shoqërore të të pandehurve, pasojat e veprimtarisë së tyre kriminale, faktin që të pandehurit kanë kryer disa vepra penale, kryerja e tyre në bashkëpunim, faktin që veprat penale janë kryer nga persona me detyra të rëndësishme shtetërore e shoqërore, të parashikuara këto të fundit si rrethana rënduese nga neni 31/b dhe 31/d të Kodit Penal.

Gjithashtu gjykata ka parasysh moshën e të pandehurve, gjendjen e rëndë shëndetësore të disa prej të pandehurve, vërtetuar kjo me aktet e ekspertimit të administruara në seancë gjyqësore, e sidomos gjendjen shëndetësore aktualisht tepër të rënduar, gjë që u pasqyrua në seancë gjyqësore, të të pandehurve Manush Myftiu dhe Adil Çarçani, për të cilët gjykata vlerëson se dënimi duhet t’u jepet me një kohë prove për një afat që gjykata do ta shohë të arsyeshme, duke urdhëruar kështu pezullimin e ekzekutimit të vendimit.

Në zbatim të nenit 51 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Manush Myftiu duhet t’i ndryshojë edhe masa e sigurimit, duke u zgjedhur një masë më e përshtatshme për të deri në marrjen formë të prerë të këtij vendimi.

P Ë R  K Ë T O  A R S Y E

Gjykata, në bazë të nenit 149 e 150 të Kodit të Procedurës Penale,

V E N D O S I

  1. Deklarimin fajtor të të pandehurit MANUSH MYFTIU për veprën penale të

shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, me pasojë shkeljen e lirive dhe të drejtave themelore të shtetasve, dhe në bazë të neneve 106, 13, 31/b, 31/d të Kodit Penal e dënon me 5 (pesë) vjet heqje lirie.

Deklarimin fajtor të po këtij të pandehuri për veprën penale të shkeljes së barazisë së shtetasve në bashkëpunim, dhe në bazë të neneve 107, 13, 31/b e 31/d të Kodit Penal e dënon me 4 (katër) vjet heqje lirie.

Përfundimisht, në bashkim të dënimeve në bazë të nenit 35 të Kodit Penal, të

pandehurin Manush Myftiu e dënon me 5 (pesë) vjet heqje lirie.

Në bazë të nenit 38 të Kodit Penal (të ndryshuar) urdhëron pezullimin e ekzekutimit të këtij vendimi duke ia dhënë dënimin e mbetur me kohën e provës për 5 (pesë) vjet, me kusht që brenda këtij afati të mos kryejë asnjë vepër penale tjetër po kaq të rëndë ose më të rëndë.

Ndryshimin e masës së sigurimit për këtë të pandehur nga “arrest” në mbyllje në shtëpi pa rojë, duke urdhëruar ekzekutimin e menjëhershëm të saj.

Detyrimin e këtij të pandehuri të paguajë në favor të Drejtorisë së Shërbimeve

Qeveritare shumën 424.464 lekë.

  1. Deklarimin fajtor të të pandehurit ADIL ÇARÇANI për veprën penale të

shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, me pasojë shkeljen e lirive dhe të drejtave themelore të shtetasve, dhe në bazë të neneve 106, 13, 31/b, 31/d të Kodit Penal e dënon me 5 (pesë) vjet heqje lirie.

Deklarimin fajtor të po këtij të pandehuri për veprën penale të shkeljes së barazisë së shtetasve në bashkëpunim, dhe në bazë të neneve 107, 13, 31/b e 31/d të Kodit Penal e dënon me 4 (katër) vjet heqje lirie Përfundimisht, në bashkim të dënimeve në bazë të nenit 35 të Kodit Penal, të pandehurin Adil Çarçani e dënon me 5 (pesë) vjet heqje lirie.

Në bazë të nenit 38 të Kodit Penal (të ndryshuar) urdhëron pezullimin e ekzekutimit të këtij vendimi duke ia dhënë dënimin e mbetur me kohën e provës për 5 (pesë) vjet, me kusht që brenda këtij afati të mos kryejë asnjë vepër penale tjetër po kaq të rëndë ose më të rëndë.

Detyrimin e këtij të pandehuri të paguajë në favor të Drejtorisë së Shërbimeve

Qeveritare shumën 667.727 lekë.

  1. Deklarimin fajtor të të pandehurit RAMIZ ALIA për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, me pasojë shkeljen e lirive dhe të drejtave themelore të shtetasve, dhe në bazë të neneve 106, 13, 31/b, 31/d të Kodit Penal e dënon me 8 (tetë) vjet heqje lirie.

Deklarimin fajtor të po këtij të pandehuri për veprën penale të shkeljes së barazisë së shtetasve në bashkëpunim, dhe në bazë të neneve 107, 13, 31/b e 31/d të Kodit Penal e dënon me 5 (pesë) vjet heqje lirie.

Përfundimisht në bashkim të dënimeve në bazë të nenit 35 të Kodit Penal, të

pandehurin Ramiz Alia e dënon me 9 (nëntë) vjet heqje lirie, duke i filluar vuajtja e dënimit nga data 12.9.1992.

Detyrimin e këtij të pandehuri të paguajë në favor të Drejtorisë së Shërbimeve

Qeveritare shumën 1.174.167 lekë.

  1. Deklarimin fajtor të të pandehurit RITA MARKO për veprën penale të

shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, me pasojë shkeljen e lirive dhe të drejtave themelore të shtetasve, dhe në bazë të neneve 106, 13, 31/b, 31/d të Kodit Penal e dënon me 7 (shtatë) vjet heqje lirie.

Deklarimin fajtor të po këtij të pandehuri për veprën penale të shkeljes së barazisë së shtetasve në bashkëpunim, dhe në bazë të neneve 107, 13, 31/b e 31/d të Kodit Penal e dënon me 5 (pesë) vjet heqje lirie.

Përfundimisht, në bashkim të dënimeve në bazë të nenit 35 të Kodit Penal, të

pandehurin Rita Marko e dënon me 8 (tetë) vjet heqje lirie, duke i filluar vuajtja e dënimit nga data 4.12.1991.

Detyrimin e këtij të pandehuri të paguajë në favor të Drejtorisë së Shërbimeve

Qeveritare shumën 275.873 lekë.

  1. Deklarimin fajtor të të pandehurit SIMON STEFANI për veprën penale të

shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, me pasojë shkeljen e lirive dhe të drejtave themelore të shtetasve e në dëm të jetës së disa personave të vrarë në kufi, dhe në bazë të neneve 106, 13, 31/b, 31/d të Kodit Penal e dënon me 7 (shtatë) vjet heqje lirie.

Deklarimin fajtor të po këtij të pandehuri për veprën penale të shkeljes së barazisë së shtetasve në bashkëpunim, dhe në bazë të neneve 107, 13, 31/b e 31/d të Kodit Penal e dënon me 4 (katër) vjet heqje lirie.

Përfundimisht, në bashkim të dënimeve në bazë të nenit 35 të Kodit Penal, të

pandehurin Simon Stefani e dënon me 8 (tetë) vjet heqje lirie, duke filluar vuajtja e dënimit nga data 8 korrik 1992.

Detyrimin e këtij të pandehuri të paguajë në favor të Drejtorisë së Shërbimeve

Qeveritare shumën 188.869 lekë.

  1. Deklarimin fajtor të të pandehurit HEKURAN ISAI për veprën penale të

shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, me pasojë shkeljen e lirive dhe të drejtave themelore të shtetasve, dhe në bazë të neneve 106, 13, 31/b, 31/d të Kodit Penal e dënon me 4 (katër) vjet heqje lirie.

Deklarimin fajtor të po këtij të pandehuri për veprën penale të shkeljes së barazisë së shtetasve në bashkëpunim dhe në bazë të neneve 107, 13, 31/b e 31/d të Kodit Penal e dënon me 3 (tre) vjet heqje lirie.

Përfundimisht, në bashkim të dënimeve në bazë të nenit 35 të Kodit Penal, të

pandehurin Hekuran Isai e dënon me 5 (pesë) vjet heqje lirie, duke i filluar vuajtja e dënimit nga data 28.9.1991.

Detyrimin e këtij të pandehuri të paguajë në favor të Drejtorisë së Shërbimeve

Qeveritare shumën 413.082 lekë.

  1. Deklarimin fajtor të të pandehurit ARANIT ÇELA për veprën penale të

shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, me pasojë shkeljen e lirive dhe të drejtave themelore të shtetasve, dhe në bazë të neneve 106, 13, 31/b, 31/d të Kodit Penal e dënon me 7 (shtatë) vjet heqje lirie, duke filluar vuajtja e dënimit nga data 8.1.1993.

  1. Deklarimin fajtor të të pandehurit ZYLYFTAR RAMIZI për veprën penale të

shpërdorimit të detyrës në dëm të jetës së personit dhe në bazë të nenit 106 të Kodit Penal e dënon me 6 (gjashtë) vjet heqje lirie, duke i filluar vuajtja e dënimit nga data 18.10.1993.

  1. Deklarimin fajtor të të pandehurit RRAPIMINO për veprën penale të

shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, me pasojë shkeljen e lirive dhe të drejtave themelore të shtetasve, dhe në bazë të neneve 106, 13, 31/b e 31/d të Kodit Penal e dënon me 4 (katër) vjet heqje lirie, duke i filluar vuajtja e dënimit nga data 18.10.1993.

  1. Deklarimin fajtor të të pandehurit VEIZ HADËRI për veprën penale të

shpërdorimit të detyrës dhe në bazë të nenit 106 të Kodit Penal e dënon me 3 (tre) vjet heqje lirie, duke i filluar vuajtja e dënimit nga data 31.12.1993.

Kundër vendimit lejohet ankim ose protestë në Gjykatën e Apelit brenda 5 ditëve, duke filluar ky afat tre ditë pas shpalljes së vendimit.

U shpall sot më datë 2.7.1994.

SEKRETARE GJYQTAR

Entela Haxhiaj Andi Çeliku

(Firma) (Firma)

ANKIME KUNDËR VENDIMIT

Kundër këtij vendimi është bërë ankim dhe aktet i janë dërguar për shqyrtim Gjykatës së Apelit Tiranë që me vendimin Nr. 378 datë 5.9.1994 ka

VENDOSUR

  1. Lënien në fuqi të vendimit gjyqësor nr.505 datë 2.7.1994 të Gjykatës së Rrethit Tiranë për të pandehurin Adil Çarçani, Manush Myftiu, Hekuran Isai, Simon Stefani, Rapi Mino, Zylyftar Ramizi e Veiz Hadëri.
  2. Lënien në fuqi të vendimit gjyqësor nr.505 datë 2.7.1994 të Gjykatës së Rrethit Tiranë për sa i përket cilësimit ligjor, fajësisë dhe masës së dënimit për akuzën e parashikuar nga neni 106 të Kodit Penal në ngarkim të presidentit Ramiz Alia.

Lënien në fuqi të këtij vendimi, kualifikimit ligjor, fajësisë për sa i përket veprës

penale të shkeljes së barazisë së shtetasve, duke ndryshuar masën e dënimit në ngarkim të të pandehurit Ramiz Alia nga 5 (pesë) vjet heqje lirie në 2 (dy) vjet heqje lirie.

Përfundimisht, në bashkimin e dënimeve në bazë të nenit 35 Kodit Penal të

pandehurin Ramiz Alia e dënon me një dënim të vetëm 8 (tetë) vjet heqje lirie.

Vuajtja e dënimit fillon nga data 12.9.1992.

  1. Lënien në fuqi të vendimit Nr. 505 datë 2.7.1994 të Gjykatës së Rrethit Tiranë për sa i përket cilësimit ligjor, fajësisë, masës së dënimit për akuzën e parashikuar nga neni 107–13 të Kodit Penal në ngarkim të të pandehurit Rita Marko.

Lënien në fuqi të vendimit gjyqësor për kualifikimin ligjor dhe fajësinë për sa i

përket veprës penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, me pasojë shkeljen e lirive dhe të drejtave të shtetasve në bazë të nenit 106–13, 31/b e d të Kodit Penal, duke ndryshuar masën e dënimit nga 7 vjet heqje lirie në 6 vjet heqje lirie.

Përfundimisht, në bashkimin e dënimeve në bazë të nenit 3 të Kodit Penal të

pandehurin Rita Marko e dënon me një dënim të vetëm me 6 (gjashtë) vjet heqje lirie.

Vuajtja e dënimit fillon nga data 4.12.1991.

  1. Lënien në fuqi të vendimit gjyqësor me nr.505 datë 2.7.1994 të Gjykatës së

Rrethit Tiranë për sa i përket kualifikimit ligjor dhe fajësisë së veprës penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, me pasojë shkeljen e të drejtave themelore të shtetasve në bazë të

nenit 106–13, 31/b e d të Kodit Penal, duke e ndryshuar këtë vendim për sa i përket masës së dënimit, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Aranit Çela me 5 (pesë) vjet heqje

lirie. Vuajtja e dënimit fillon nga 8.1.1993.

  1. Lënien në fuqi të vendimit nr.505 datë 2.7.1994 të Gjykatës së Rrethit Tiranë për sa i përket padisë civile.

K/SEKRETARE E GJYKATËS

Flutura Kadiu

(Firma)

Kundër këtij vendimi është bërë ankim dhe aktet i janë dërguar për shqyrtim Gjykatës Kasacionit Tiranë që me vendimin Nr.208 datë 30.11.1994 ka

VENDOSUR

  1. a) Lënien në fuqi të vendimit Nr.378 datë 17.9.1994 të Gjykatës së Apelit Tiranë lidhur me fajësinë dhe kualifikimin e veprave për të cilat janë deklaruar fajtorë të pandehurit.
  2. b) Ndryshimin e masave të dënimit për të pandehurit e mëposhtëm:
  3. Ramiz Alia, sipas nenit 106, 31/b, d të Kodit Penal e dënon me 4 vjet heqje lirie.

Për nenin 107, 31/d të Kodit Penal e dënon me 2 vjet heqje lirie.

Në bashkim të dënimeve në bazë të nenit 35 të Kodit Penal e dënon me 5 vjet heqje lirie.

  1. Rita Marko, në bazë të nenit 106, 31/b, d të Kodit Penal e dënon me 5 vjet heqje lirie. Për veprën penale të parashikuar nga neni 107, 31/b, d të Kodit Penal e dënon me 2 vjet heqje lirie. Në bashkim të dënimeve në bazë të nenit 35 të K.P. e dënon me 5 (pesë) vjet heqje lirie.
  2. Simon Stefani, në bazë të nenit 106, 31/b e d të Kodit Penal e dënon me 5 vjet heqje lirie. Për veprën penale të parashikuar nga neni 107, 31/b, d të Kodit Penal e dënon me 2 vjet heqje lirie.

Përfundimisht, në bashkim të dënimeve në bazë të nenit 35 të Kodit Penal e dënon me 6 (gjashtë) vjet heqje lirie.

  1. Hekuran Isai, në bazë të nenit 106, /31/b, d të Kodit Penal e dënon me 3 vjet heqje lirie.Për veprën penale të parashikuar nga neni 107, 31/b, d të Kodit Penal e dënon me 2 vjet heqje lirie.Përfundimisht, në bashkim të dënimeve në bazë të nenit 35 të Kodit Penal e dënon me 4 (katër) vjet heqje lirie.
  2. Aranit Çela, në bazë të nenit 106, 31/b, d të Kodit Penal e dënon me 4 vjet heqje lirie.
  3. Rrapi Mino, në bazë të nenit 106, 31/b, d të Kodit Penal e dënon me 3 (tre) vjet heqje lirie.
  4. Zylyftar Ramizi, në bazë të nenit 106 të Kodit Penal e dënon me 5 (pesë) vjet heqje lirie.
  5. Veiz Hadëri, në bazë të nenit 106 të Kodit Penal e dënon me 2 (dy) vjet heqje lirie.

Lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës Apelit Tiranë lidhur me masën e dënimit për të

pandehurit Adil Çarçani e Manush Myftiu.

Lënien në fuqi të vendimit për sa i përket detyrimit civil.

Tiranë, më 6.12.1994

K/SEKRETARE E GJYKATËS

Flutura Kadiu

(Firma)

Top Channel

Share: