Departamenti Amerikan i Shtetit e pohoi se është në dijeni të raportimeve të mediave për takimin mes Marko Gjuric, ambasadorit serb në Shtetet e Bashkuara dhe Milan Radojçiç, i cili është në listën e zezë të SHBA-së për përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar.
“Ne kemi një qëndrim të qartë për zotin Radoiçiç. Ai ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, përmes avokatëve të tij. Ai është një kriminel që duhet të mbahet përgjegjës”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, për Radion Europa e Lirë. Serbia, vazhdon reagimi i DASH, duhet të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin “e kryer nga strukturat paraushtarake në Banjskë të Kosovës, që rezultoi me vdekjen tragjike të një efektivi të Policisë së Kosovës”. Pak ditë më parë, në rrjetin social X u publikua një foto ku shihej Gjuric, ambasadori aktual i Serbisë në Uashington dhe Milan Radojçic, ish-nënkryetari i Listës Serbe, i cili është në listën e sanksioneve amerikane. Në foto, ata shiheshin së bashku në një restorant. Nuk dihet se kur dhe ku është bërë fotografia, si dhe kush është autori. Gjithashtu nuk dihet nëse fotografia është bërë në kohën kur Gjuric ishte ambasador i Serbisë në SHBA.
Vetë Gjuric deklaroi pas publikimit të fotografisë tha se nuk duhet të turpërohet për kontaktet e tij. Ish-drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverisë së Serbisë, u emërua ambasador në Uashington në tetor të vitit 2020. Edhe vetë presidenti serb, Aleksandër Vuçiç e përmendi shkurtimisht çështjen e fotos në një konferencë shtypi së fundi, ku tregoi se kishte preferuar të mos i drejtonte Gjuricit asnjë pyetje lidhur me të./BW