Në një opinon të rrjetit britanik “The Guardian” thuhej sot se rregulli kryesor për të famshmit është se pasi ke hyrë në makinerinë e publicitetit, ‘duhet të harrosh se mund të mbash më sekrete’.
Ashtu si dikur kur imazhi i Trotskit u zhduk nga portreti i byrosë politike sovjetike, ndërhyrjet në fotot publike gjithmonë shkaktojnë zhurmë.
Çfarë sekretesh fshihen në bluzën e modifikuar të së bijës, në pjesën e errësuar apo në zinxhirin e shtrembëruar? Çfarë tmerresh të dinastive kërkon të tregojë mungesa e unazës së martesës së princeshës?
Çështja e operacionit të princeshës vjen pak pas asaj të kancerit të vjehrrit të saj mbret, çka mund të sugjerojë se ka diçka që s’shkon me shëndetin e tyre, që ndoshta familja kërkon ta mbajë private.
Pallati mbretëror tashmë duhet të mendojë me vete se perse nuk dalin në media budallëqet e princit Harry, tani që janë më të nevojshme?
Fotoja e princeshës e publikuar në fundjavë ishte shumë qetësuese, e buzëqeshur më në fund pas disa javë mos-paraqitjeje në publik. Por teksa të gjithë presin lavdërime ndaj saj për paraqitjen, ndodhi e kundërta.
Mediat nisën të hetonin detajet e kuruara ose të modifikuara të imazhit, aq sa princesha u detyrua të pranonte publikisht modifikimiet e bëra nga stafi i imazhit të familjes mbretërore.
Familja mbretërore britanike ka qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes, ndryshe nga monarkë të tjerë të Evropës. Mbretëresha e prezantonte shpesh rrjetin e saj të gjerë familjar, me pallatet, titujt e funksionet. Kjo sepse mbretëria përfitonte nga fama e saj në botë dhe media është thelbësore për këtë.
Morali i redaktimit të fotos së princeshës është i thjeshtë. Duhet treguar gjithçka. Princesha ka pranuar redaktimet e fotos nga ekspertët, por jo arsyet e tyre.
Kjo ka sjellë dhe thashethemet, spekulimet dhe fabrikimet.
Në një kohë lajmesh e fotosh të rreme apo të pagjurmueshme, mbajtja e sekretit është armik i të vërtetës. Prandaj ata duhet të tregojnë si është puna, për të gjeneruar një respekt sado minimal te opinioni. /The Guardian/