Gazetari i njohur Artur Zheji, i ftuar në “Real Story” foli për arrestimin e kryetarit në detyrë të Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, i cili akuzohet për shpërdorim detyre.
Ai shtoi se për këtë arrestim, Athina ka zgjedhur të heshtë për vetë faktin se ka bërë një autogol duke sulmuar drejtësinë shqiptare për prapavijë politike, në kohën kur kandidati i “Bashkë Fitojmë” Fredi Beleri, përfundoi në pranga, dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit.
Sipas tij, SPAK tregoi se është përtej politikës dhe godet veprimet korruptive, pavarësisht ngjyrave politike që kanë personat e dyshuar.
“Këndi që më habit është përgatitja e dosjes, kjo nuk e përjashton faktin e çfarë ka dosja brenda, por fakti që është e telekomanduar me një regji gjeopolitike mua më shqetëson. Fakti që SPAK-u, kjo është edhe autogol për Athinë, është autogol sepse tani nuk mund të akuzojë SPAK dhe drejtësinë shqiptare si drejtësi selektive. Po hesht sepse ka bërë edhe autogol, sepse është nxituar të hakmerret, Po them lobet, se nuk po them Athina se Athina është e madhe, por lobet, të cilat janë të interesuara për të radikalizuara marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë, pasi ka edhe pesën demokratike , të cilën e njohim dhe ne. Në këtë pikëpamje, u vërtetua me arrestimin e Goros, që drejtësia qenka e baraslarguar nga palët dhe të fut ne burg pavarësisht se je për helenizimin e Himarës dhe pavarësisht se e ke emrin Gjergji apo Jorgo. Nuk po futet në burg një minoritar helen grek, por po futet një fajtor I dyshuar për tjetërsim pronash, Ky është rasti. Ky është një pikë në favor të SPAK, një pikë humbëse për mazhorancën.”, tha ai.
Gjatë diskutimit, analisti Zheji shtoi më tej se: “Beteja për tokat e jugut është si në perëndimin e egër amerikan. Mendoj se tani do hapet, do shthuret një pëlhurë, e cila do ti ketë rrënjët shumë lart në superstrukturën e mazhorancën aktuale”, theksoi Zheji.
360grade.al