Me një lëvizje më shumë taktike sesa politike, Sali Berisha ka vendosur të “shpërblejë” Gazment Bardhin dhe deputetët që e ndjekin me poste në partinë që ai drejton nga shtëpia e tij.Të martën, Rithemelimi pritet të miratojë ndryshimet statutore që i hapin dyert e Kryesisë për deputetët që kanë vendosur te rikthehen në shtëpi, pasi njohën Sali Berishë si kryetar. Mekanizmi i gjetur për të përfshirë grupin Bardhi në forumet e Rithemelimit është përfshirja në Kryesi e funksioneve që deputetët mbajnë në Parlament një formulë e njohur për demokratët, pasi e njëjta zbatohet edhe nga Lulzim Basha.
Lideri i Rithemelimit ka vendosur që nga dy nënkryetarë, të bëhet me katër. Krahas Luçiano Bocit dhe Oerd Bylykbashit, numrin dy të partisë do e gëzojë edhe Gazment Bardhi për shkak te funksionit si kryetar grupit. Të njëjtin fat do të ketë edhe Agron Gjekmarkaj, i cili për shkak të postit të nënkryetarit të Kuvendit do të gëzojë edhe atë të nënkryetarit të partisë.Sali Berisha ka vendosur ta zgjerojë Kryesinë, duke përfshirë në të edhe drejtuesit e Komisioneve Parlamentare, duke tentuar të “joshë” me post edhe Jorida Tabakun, e cila ka vendosur të ecë në një rrugë të kundërt me grupin, duke mos e njohur liderin e Rithemelimit si kryetar.
Emra të tjerë të grupit Bardhi, do të afrohen nga Berisha në strukturat e Rithemelimit. Ervin Salianji do të futet në Kryesi, falë postit që ai mban si zëvendëskryetar i Grupit Parlamentar, ndërsa Zheni Gjergji për shkak të postit si kryetare e Komisionit të Shëndetësisë automatikisht bëhet pjesë e këtij forumi.
Ndryshimet statutore më parë do të marrin bekimin e Kryesisë të martën dhe në të njëjtën ditë, do të konfirmohen edhe në Këshillin Kombëtar.