Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist që tronditi Moskën mbrëmjen e sotme ku në një sallë koncerti disa persona të maskuar dhe të armatosur hapën zjarr duke vrarë 40 persona dhe plagosur 100 të tjerë.
Agjencia e lajmeve Reuters raporton se Shteti Islamik e mori përgjegjësinë për sulmin në kanalin e tij Telegram. Ky pretendim nuk është verifikuar ende në mënyrë të pavarur. BBC shkruan se ky grup ka kryer sulme në një numër vendesh, megjithatë korrespondenti i çështjeve të sigurisë, Gordon Corera shkruan se ata ndonjëherë në të kaluarën kanë marrë përgjegjësinë edhe për sulme në të cilat nuk kanë pasur të bëjnë.
Më 7 mars, Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) tha se parandaloi një sulm në një sinagogë në Moskë që ishte planifikuar nga një celulë e Shtetit Islamik. Për sulmin terrorist, pati reagime të menjëhershme nga ndërkombëtarët, me SHBA-të që sqaruan se nuk kishin të dhëna se pas kësaj mund të fshiheshin ukrainasit. Ndërsa Bashkimi Europian e dënoi sulmin e rëndë ndaj civilëve. Nga ana tjetër ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev paralajmëroi Ukrainën se nëse kishte gisht në sulm, do të merrte përgjigjie “shkatërrimtare”.
Javë më parë, SHBA paralajmëroi Rusinë se mund të ishte shënjestër e sulmeve terroriste. Në pamjet e publikuara në media dhe rrjetet sociale, shihet momenti kur 6200 të pranishëm që po ndiqnin një koncert të një grupi të muzikës rrok, alarmohen nga të shtënat me armë dhe tentojnë të largohen për të shpëtuar jetën.
Salla shpërtheu në flakë pasi autorët të cilët mendohet të kenë qenë 3 ose 5 persona hodhën edhe grantata. Mediat e huaja nuk kanë bërë me dije detaje nëse agresorët janë arrestuar. /LAPSI.al