Home KRYESORE Një plumb fatal për vetë filmin.

Një plumb fatal për vetë filmin.

Nga Dashnor Kokonozi

Nuk e di për çfarë arsyesh nuk më qe bërë mbarë të shoh filmin artistik shqiptar “Delegacioni” (Le dernier prisionnier, sipas versionit frëng). Por nëse e vura menjëherë në krye të përparësive të mia, kjo ndodhi fill pasi pashë dokumentarin « Fluturat » të regjisorit Bujar Alimani, që është edhe regjisorit i filmit të mësipërm.

Ende nuk kisha parë të dilte nga duart e një krijuesi shqiptar një dokumentar me një estetikë dhe gjuhë filmike aq shprehëse, sa pa asnjë ndërhyrje tjetër veç dëshmive të protagonistëve të tij dhe të një montazhi të studiuar në mënyrë milimetrike, të arrinte të shprehte vuajtjet e dhimbjen e atyre grave dhe vajzave të familjeve të njohura shqiptare në kampet i internimit të regjimit komunist. Edhe pse shumë prej tyre kishin lindur e ishin rritur në internim, me shumë dinjitet shmangnin ato çdo lloj opinioni ndaj torturuesve të tyre, duke lënë të nënkuptohet gjithçka.

Dokumentari më ngjalli po aq emocione sa edhe “Shoah”, dokumentari monumental i C. Lanzman-it, për kampet e shfarosjes. madje edhe gjuhën filmike të dokumentarit të Alimanit e shoh në të njëjtën linjë estetike sikundër ajo e Lanzman-it.

Delegacioni.

Që në sekuencat e para filmike të filmit “Delegacioni” ndjeva sigurinë se me subjektin dhe atmosferën që krijonte, filmi ishte një thyerje e vërtetë me gjithë çfarë kisha parë deri atëherë. Veçanërisht këmbëngul te gjuha filmike e Alimanit. Rrjedhshëmria e skenave dhe atmosfera të lë përshtypjen se je ulur diku dhe sheh jetën që rrjedh para teje… Profesionalizëm i nivelit të lartë.
Nxjerrrja me të shpejtë nga burgu e një disidenti për shkak të ardhjes së një delegacioni evropian, në përbërje të të cilit është edhe një shok kursi i të burgosurit tonë, përbën pa dyshim një gjetje të rrallë e të veçantë e skenaristit Artan Minarolli.

Tek e shihja, kisha përshtypjen se ndodhesha përpara një filmi me të ardhme të jashtëzakonshme në sallat botërore. V. Zhysti, Sh. Xhepa dhe Xh. Ferri janë në lartësinë e talentit të tyre, veçanërisht i pari se të tjerët kanë ca prirjen të luajnë “të keqin”.

E megjithtë, me sa di edhe pse filmi është vlerësuar shumë nga specialistët, nuk ndodhi ajo që pritej. IMBd për të ka një vlerësim 6.6/10, që nuk është i keq, përkundrazi, por duke lexuar edhe shënimet pozitive të shikuesev francezë që janë mjaft dashamirës ndaj tij, nuk e kuptova menjëherë përse ky film nuk u ngjit më lart në klasifikim.

Përpiqem të kuptoj këtë enigmë dhe i kthehem sekuencave të tij të veçanta. Çfarë i mungon një filmi të tillë, që në dukje të lë përshtypjen se ka gjithçka që duhet?

Përshtypje që krijova, dhe këtë do ta them ashtu siç e mendoj, është se ky film përfundon aty ku në një farë mënyrë duket se me të vërtetë fillon. Plumbi i revolverit të Asllanit (Xh. Ferri) është fatal jo vetëm për Leon (V. Zhusti), por edhe për vetë filmin.

Qe një vrasje krejtësisht e panevojshme! Brutaliteti i regjimit po shfaqej ngadalë por vetëm në anën e tij të jashtme. Bisedat e shkurtra e të prera gjatë rrugës, qenë si një bisturi që po hapnin plagët e infektuara. Dhe papritur vjen një plumb dhe gjithçka ndalon aty sa kohë që ishin të gjitha mundësitë që autopsia e sapo filluar të shkonte shumë më thellë në një linjë sa brutale aq edhe parodike.

Se kemi rastin e jashtëzakonshëm që regjimi i Tiranës po kërkonte të bënte “figurë të mirë” dhe sa më shumë përpiqej aq më qesharak bëhej.
As që guxoj të mendoj se çfarë mrekullie do të ishte skena e takimit të Leos që vinte nga qelia me shokun e tij të dikurshëm të universitetit (Richard Sammel) të cilin Evropa e kishte dërguar të inkurajonte reformat. Dhe kjo në prani të ofiqarve të regjimit të “mallëngjyer” për të drejtat e njeriut! Pa folur për qindra detaje të mundëshme hipokrizie dhe grimi të trashë me të cilin regjimi po përpiqej të paraqitej para delegacioneve envopianë duke mbajtur pas duar e përgjakura.
Por kjo nuk shkon në fund. Siç thamë, vjen një plumb i çuditshëm dhe i pamotivuar dhe ajo fillesë e mrekullueshme, ndërpritet aty.
Gjithsesi, mendimi im.

Share: