Home Gjeo-Ekonomia Pas deklaratave të Putin për përdorimin e armëve bërthamore, reagon SHBA: Retorikë...

Pas deklaratave të Putin për përdorimin e armëve bërthamore, reagon SHBA: Retorikë të papërgjegjshme e tij

Shtetet e Bashkuara të Amerikës raportuan se nuk kanë parë ndonjë shenjë se Rusia është duke u përgatitur për ta përdorur ndonjë armë bërthamore dhe do të vazhdojnë ta vëzhgojnë atë me kujdes.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, e bëri këtë deklaratë pasi presidenti Vladimir Putin gjatë ditës së sotme u shpreh se Moska ka armë për t’i goditur caqet në Perëndim.

“Kjo nuk është hera e parë që dëgjojmë retorikë të papërgjegjshme nga Vladimir Putin. Kjo nuk është mënyra se si duhet të flasë lideri i një shteti të armatosur me armë bërthamore”, tha ai.

Duke folur mëngjesin e së enjten gjatë një fjalimi para kombit në Moskë, lideri rus u shpreh se vendet e Perëndimit rrezikojnë nxitjen e një lufte bërthamore, nëse dërgojnë trupa për të luftuar në Ukrainë.

“Ne gjithashtu kemi armë me të cilat mund t’i godasin caqet në territorin e tyre”, tha Putin. “A nuk e kuptojnë këtë ata? Perëndimi duhet “patjetër, në fund, ta kuptojë se e gjithë kjo rrezikon nxitjen e një konflikti me përdorimin e armëve bërthamore, dhe si përfundim shkatërrimin e qytetërimit. Ne e mbajmë mend fatin e atyre të cilët dikur dërguan kontingjentet e tyre në territorin e vendit tonë. Por, pasojat e ndërhyrjeve të mundshme do të jenë shumë më tragjike tani”, tha ai.

Top Channel

Share: