– Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të diskutojnë sot për një plan për të përdorur miliarda euro fitime nga asetet financiare të ngrira ruse, për të blerë armë për Ukrainën. Në një samit dy-ditor në Bruksel që nis sot, liderët e unionit do të trajtojnë gjithashtu tema të ndryshme si lufta në Gaza, perspektiva e hapjes së bisedimeve të anëtarësimit në BE me Bosnjën dhe protestat e fermerëve.
27 liderët e bllokut do të debatojnë gjithashtu se si Evropa mund të bëjë më shumë për të mbrojtur veten dhe për të rritur industrinë e saj të armëve, duke reflektuar frikën se Rusia mund të mos ndalet në Ukrainë dhe SHBA-ja mund të mos jetë një mbrojtëse aq e vendosur për mbrojtjen e Evropës në të ardhmen.
Ukraina do të kryesojë axhendën e samitit, me Presidentin Volodymyr Zelensky që do t’i bashkohet udhëheqësve përmes lidhjes video. Udhëheqësit e BE-së kanë shprehur alarm në rritje për gjendjen e luftës në javët e fundit, me forcat ukrainase pa municione të mjaftueshme që luftojnë për të frenuar trupat ruse dhe një paketë ndihme ushtarake prej 60 miliardë dollarësh për Kievin të ‘ngecur’ në Kongresin e SHBA.
“Në vitin e tretë të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, ne përballemi me një moment kyç. Urgjenca, intensiteti dhe vendosmëria e palëkundur janë të domosdoshme”, shkroi Charles Michel, president i Këshillit Evropian të liderëve të BE-së, në letrën e tij të ftesës për samitin.
360grade.al