Ish-kryeministri Sali Berisha, gjatë fjalës së tij të mbajtur në tubimin qytetar, ka uruar shqiptarët për festën e shenjtë të Bajramit. Berisha theksoi se, kjo ditë që përkon me 100 ditë qendresë, na rikujton se Zoti është me ne.
Berisha, duke mbajtur fjalën në ditën e 100 të tubimit qytetar tha se secili nga ne duhet të kuptojë rëndësinë e betejën që po luftojmë.
“Të dashur qëndrestarë dhe qëndrestare, misionarë të lirisë dhe dinjitetit njerëzor.
Sot është një ditë e shenjtë.
Sot është dita e madhnueshme e Fitër Bajramit.
Së bashku të urojmë nga zemra çdo besimtar mysliman shqiptar, të urojmë që sakrificat e tyre, të urojmë që durimin e tyre, të urojmë që përkushtimin e tyre, Zoti i madh e mëshirëplotë t’ua kthejë në mirësi dhe begati.
Gëzuar dhe urime.
Të dashur miq, Zoti i madhërueshëm është një, është unik në çdo gjë dhe në mënyrën se si ai vepron.
Kështu ndodhi që në këtë ditë të shenjtë, të përkonte edhe një ngjarje e rëndësishme për ne, demokratët.
Sot mbushen 100 ditë nga qëndresa jonë epike në Rrugën e Shpresës.
Një falënderim të përzemërt, mirënjohje të pakufishme shkon për të gjithë ju, luftëtarë të pamposhtur, që për 100 ditë qëndruat të palëkundur.
100 ditë në të ftohtë, në shi, breshër, stuhi, ju qëndruat, nuk kapitulluat.
Misionarë të vërtetë, fitimtarë.
Kjo ditë që përkon me festën e shenjtë të Bajramit, na rikujton se Zoti është me ne, se Zoti është gjithmonë krah të mirës.
Por njëkohësisht kjo na rikujton për përgjegjësinë tonë të madhe, që të përmbushin këtë mision hyjnor për të shpëtuar Shqipërinë nga e keqja, për të shpëtuar Shqipërinë nga armiqtë e saj, që kërkojnë të shuajnë kombin tonë me vjedhje, me krime dhe me shpopullim.