Home Gjeo-Ekonomia Bojkoti i zgjedhjeve në Veri, SHBA-ja shpreh keqardhje për mosshfrytëzim të së...

Bojkoti i zgjedhjeve në Veri, SHBA-ja shpreh keqardhje për mosshfrytëzim të së drejtës së votës

Ambasada amerikane në Kosovë, ka shprehur keqardhje të dielën për vendimin e Listës Serbe dhe figurave tjera politike serbe në Kosovë, që nuk kanë marrë pjesë në procesin e votimit për largimin ose jo të kryetarëve shqiptarë nga katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Sipas Ambasadës, përmes pjesëmarrjes në votim, serbët kanë mundur të “avancojnë në demokraci efektive dhe përfaqësuese”.

“Pjesëmarrja demokratike ndihmon që udhëheqësit të jenë përfaqësues të popullatave, të cilave u shërbejnë. Votimi është e drejtë kyçe në shoqëritë demokratike”.

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka bërë të ditur se procesi ka dështuar pasi në këtë proces kanë votuar 253 prej 46.556 qytetarëve që kanë pasur të drejtë vote.

Për të qenë i suksesshëm procesi, do të duhej të votonin 50 për qind plus 1 votues.

Kjo nënkupton se kryetarët aktualë do t’i vazhdojnë mandatet e tyre.

Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Kosovë, ka thënë se Shtetet e Bashkuara e kanë kuptuar prej ekipeve ndërkombëtare të vëzhgimit që dalja ka qenë jashtëzakonisht e ulët në votime.

“Ne jemi të vetëdijshëm që KQZ-ja u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të marrin pjesë. Ne i vlerësojmë përpjekjet e zyrtarëve zgjedhorë të Kosovës që t’ua mundësojnë të gjithë qytetarëve të Kosovës në katër komuna, që të marrin pjesë në këtë proces demokratik”.

Ky zëdhënës ka thënë se pozicioni amerikan është i qartë dhe i pandryshuar: SHBA-ja mbështet demokraci diverse, gjithëpërfshirëse dhe multi-etnike, dhe se kryetarët aktualë do të vazhdojnë punën sipas kornizës ligjore të Kosovës.

Autoritetet në Kosovë, po ashtu, kanë shprehur keqardhje për mospjesëmarrje të serbëve lokalë në votimet e organizuara të dielën dhe e kanë akuzuar Serbinë për përfshirje në këtë proces.

Lista Serbe, në anën tjetër, ka thënë se këtë ditë është dëshmuar uniteti i popullit serb.

Në një komunikatë për media, kjo parti ka pretenduar se më 21 prill është dëshmuar se nuk janë Lista Serbe dhe Serbia që po frikësojnë serbët, por kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe siç, ka thënë, njësitë e tij ilegale parapolicore, që sipas Listës Serbe kanë rezultuar me rrugë të zbrazëta në veri.

Përveç SHBA-së, edhe Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje për vendimin e marrë prej Listës Serbe./REL

Share: