Kevin Sekniqi është shqiptari i radhës që ka zbuluar sukses të jashtëzakonshëm në “Tokën e Ëndrrave” përtej oqeanit.
Edhe pse vetëm 30 vjeç kjo nuk e pengoi gjeniun shqiptar që të bashkë-themelonte një nga start-upet më të suksesshme në Amerikë, në fushën e Blockchain (Zinxhirët e Blloqeve), teknologjia që qëndron pas kriptomonedhave si Bitcoin.
Si themelues dhe shefi i teknologjisë në kompaninë AvaLabs, prestigjiozja amerikane Forbes e shpalli Sekniqin si liderin më me influencë në fushën e Financës në edicionin e saj “30 më të mirët nën 30 vjeç.”
Shpirti i sipërmarrjes sipas tij është i lindur, por qyteti ku kaloi adoleshencën, Shkodra, ia dha lirinë për të ëndërruar
“Kohën në Shkodër me lirinë që kam pasur, për të eksploruar ato që kam pasur qejf të eksploroj, kanë qenë shumë të rëndësishme për zhvillimin tim dhe nuk e ndërroj me asgjë‘, tha Kevin Sekniqi, Bashkë-Themelues AvaLabs.
Me eksperiencën nga pas dhe historinë e suksesit, Sekniqi është gati të hapë portën e mundësive për të gjithë të rinjtë shqiptarë në botën e kriptomonedhave, industri që po njeh zhvillim të vrullshëm
“Shumë shpesh më vjen keq që shoh se si ai truri i madh i Shqipërisë ikën dhe nuk ka mundësi me investuar për të ardhmen. Njoh persona jashtëzakonisht të talentuar në Shqipëri që janë duke hapur disa start-upe. Është jashtëzakonisht e qartë që talentet më të mira në Shqipëri janë të njëjtin klas dhe kategori me ata në Amerikë. Do doja të kisha qejf që Shqipërinë ta shihja kampione në Ballkan dhe Evropë në teknologji”, deklaroi ai.
Ndërsa pagesat digjitale dhe inteligjencat artificiale po ndryshojnë përditshmërinë për njerëzit kudo në glob, Shqipëria ka mundësinë të bëhet pararojë e zhvillimit sipas talentit shqiptar
“Mendoj se me start-upe do mundohem të sjell influencë, kapital për të zhvilluar brezin e ri në fushën teknologjike, por jo vetëm aty, edhe në industri apo shkencë janë nga fushat më të rëndësishme për të zhvilluar shtetin dhe do kisha shumë dëshira të jepja kontributin tim në këtë pjesë”, tha Kevin Sekniqi, Bashkë-Themelues AvaLabs.
Top Channel