Home Gjeo-Ekonomia Sejdarasi: Tremujori i pare i ekonomisë globale mes sfidash dhe objektivash

Sejdarasi: Tremujori i pare i ekonomisë globale mes sfidash dhe objektivash

Tremujori i pare i vitit 2024 në ekonominë globale, në optikën e analistit Bardhi Sejdarasi duket pozitiv. Në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës Sejdarasi thotë se  veçanërisht këmbëngulja për të kapur tregues më të lartë siç janë parashikimet e bëra nga ekspertë të njohur, sjell mundësinë  e  një viti me rritje ekonomike në Kinë dhe më pak në Europë dhe shtete të tjera.

Foto cover Bardhi Sejdarasi në intervistë për CMG

CMG: Banka Botërore paralajmëroi në fillim të vitit se rritja ekonomike botërore parashikohet të ngadalësohet në 2.4%. Ndërkohë eurozona pritet të rritet me 0.7% në kufijtë e shmangies së një recesioni. Në 3 mujorin e parë të vitit, cila është panorama ekonomike botërore? A ka vend për shprehjen shqiptare “Fillimi i mbarë, gjysma e punës”, në këtë panorama?

Bardhi Sejdarasi: Një pjesë e mire e shteteve që ne analizojmë i raportojnë treguesit në frymën nëse vërtet shifrat e  tremujorit të pare i japin krahun ekonomisë reale, Sepse në fund analiza bëhet me arritjet gjatë një viti ekonomik. Ka vend për të bërë një analizë në nivelin makro dhe mikro dhe mund t’i referohemi zonave të veçanta siç është Europa, por mund t’i referohemi dhe shteteve të veçanta.

Viti 2024 shënon për here të pare  greva të njëpasnjëshme në një periudhë të gjatë, si greva njëmujore.

CMG: Ndërkohë tabloja gjeopolitike mbetet ajo që ka qenë dhe ekonomia ndikohet nga kjo.

Bardhi Sejdarasi: Ndikimi është i dukshëm në ekonomi, sepse rritet temperatura e ekonomisë dhe për “sëmundje” të përkohshme. Shtete si Spanja, Belgjika, Gjermania kanë patur probleme të mëdha sepse protestat janë bërë si një sport popullor. Kur vazhdon një protestë një muaj apo gjatë gjithë vitit krijon probleme shumë të mëdha sepse ndalohet ritmi i ekonomisë.

Grevat dhe protestat në fillim të këtij viti nuk ishin pare në 25 vite dhe kjo ka bërë që shtete, të cilat konsideroheshin si lokomotiva të Europës, siç është Gjermania kanë krijuar probleme të mëdha jo vetëm thjesht brenda vendit, por duke krijuar recesion. Recesion quhen 2 tremujorë të njëpasnjëshëm me rritje negative të ekonomisë. Gjithashu është shënuar inflacioni më i lartë në 50 vitet e fundit. Është aq e dukshme kjo për Europën, por dhe për Gjermaninë sa pagat reale të vitit 2023 ishin më të ulta se sa ato të pas Luftës së Dytë Botërore.

Kemi një situate pak të mjegullt dhe madje nëse e lidh Europën në tërësi dhe Gjermaninë në veçanti me Kinën u dëmtuan shumë importet sepse Gjermania ishte shteti i pare eksportues në drejtim të Kinës. Pikërisht ky recesion ka bërë të kemi tregues të tjerë që kanë ulur nivelin e rritjes ekonomike të shteteve të BE-së dhe kanë ndërtuar marrëdhëniet ekonomike të shteteve të BE-së me vende të tjera në botë.

CMG: Po ekonomia më e madhe e botës, ajo e SHBA-së si paraqitet në këtë tremujor?

Bardhi Sejdarasi: Ka të njejtat probleme dhe të njejtin ngërç. Aty mplekset dhe historia që lidhet me ritmin e rritjes së ekonomisë, por veçanërisht me zgjedhjet presidenciale në këtë vend.

I gjithë ky ansambël faktorësh dëmtojnë ekonominë botërore. Banka Botërore, Fondi Monetar dhe disa institucione prestigjioze ndërkombëtare nuk kanë qenë shumë optimistë kur kanë parashikuar ritmet e rritjes ekonomike në nivel global. Madje dhe rishikimi që bëhet here pas here nga institucionet europiane si Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) apo Banka Europiane e Investimeve (BEI), apo jashtë Europës  nuk kanë qenë shumë optimistë për të mbajtur ato tregues që kishin që nga parashikimet që janë bërë në dhjetor të vitit të kaluar. Ato kanë ulur gradualisht treguesit e rritjes ekonomike për disa shtete të Europës.

Ekonomia kineze në 2024 (Foto CMG)

Ekonomia kineze në 2024 (Foto CMG)

Nuk gjykoj që mund të kemi shtete në recesion sepse treguesit ende nuk e kanë dhënë këtë mundësi për të bërë një analizë, por shoh që ritmet e rritjes ekonomike 0.7 për qind është sikur të mos jetë rritur fare.  

CMG: Ekonomia kineze si paraqitet në këtë tablo ?

Bardhi Sejdarasi: Gjatë Dy sesioneve të rëndësishme të Kinës kam fiksuar një element që ishte barometri i matjes së ekonomisë dhe ishte një postulat dhe jam i befasuar se si ndodhi që pas dy sesioneve u dhanë rezultatet. Bëhet fjalë për produktivitetin me cilësi të lartë dhe pikërisht ky element ka bërë sot që jo vetëm agjencitë e ndryshme ndërkombëtare që menaxhojnë treguesit e ekonomisë botërore, por dhe vetë brenda institucioneve kineze të ketë një frymë pozitive përsa i përket treguesve të rritjes ekonomike.

Nuk është pak të kesh 4.2 për qind të rritjes ekonomike, të planifikosh 5 për qind dhe të biesh në konsensus me të gjthë aktorët politikë dhe të shikosh që në tremujorin e pare të vitit ke kaluar në 7 për qind, madje në fushën e mbrojtjes në 7.2 për qind dhe në total shkon në një tregues që befason të gjithë ata që merren me parashikimin ekonomik.

CMG: Ka ndikuar dhe rritja e konsumit por dhe e turizmit, që ka përkuar në 3 mujorin e pare dhe  me Festën e Pranverës dhe udhëtimet e shumta brenda vendit.

Bardhi Sejdarasi: Për këtë arësye iu drejtova të dhënave të Zyrës Kombëtare të Statistikave të Kinës dhe pashë që në vitin 2023, viti i fundit të marrim në analizë për të krahasuar me 2024, tregu i madh i Kinës ishte avantazhi më i madh. Kina tejkaloi 17.64 triliardë dollarë vetëm brenda një viti dhe është vendi më i madh në botë me të ardhura mesatare.  Gjithashtu është tregu i dytë më i madh në botë i mallrave të konsumit që vjen nga eksportet dhe turizmi, por Kina është dhe vendi prodhues dhe tregtar i mallrave për shumë vite radhazi.

Këtë pozicion të Kinës nuk ka mundur ta konkurrojë asnjë vend tjetër. Ky treg i madh dhe këto resurse dhe shifra që burojnë nga menaxhimi i këtij tregu të madh e bën Kinën vendin e dytë në botë sot përsa i përket marrëdhënieve tregtare dhe zhvillimit ekonomik. Shumë shpejt parashikohet që shifrat të shkojnë në një nivel të tillë sa deri në vitin 2030 Kina pritet të jetë vendi i pare në botë  sa i përket ritmeve të rritjes ekonomike dhe nivelit të të ardhurave.

Ka një tendencë pozitive dhe një impuls të mire të menaxhimit të ekonomisë pas Dy sesioneve. Ndërkohë hapja e tregut për investime të huaja ka bërë që tremujori i pare i këtij viti të ketë këta tregues. Kjo është e rëndësishme dhe Wechat dhe Alipay i kanë të lira pagesat me karta elektronike, duke u krijuar mundësi të gjithë atyre që shkojnë në Kinë  për tregti apo turizëm pagesat i bëjnë në këtë mënyrë online. Ritmet e zhvillimit ekonomik e bëjnë Kinën që të ofrojë shërbime me cilësi.

Kryeministri kinez Li Qiang dhe sekretarja amerikane e Thesarit Janet Yellen (Foto CGTN)

Kryeministri kinez Li Qiang dhe sekretarja amerikane e Thesarit Janet Yellen (Foto CGTN)

CMG: Në disa informacione të fundit paraqiten shkëmbimet midis Kinës dhe Europës, ku bëhet fjalë për  portet e Kinës verilindore, të cilat kanë trajtuar mbi 1433 udhëtime me tren mallrash Kinë-Europë në tremujorin e parë të këtij viti. Korridori lindor i shërbimit të trenave të mallrave Kinë-Europë lidh mbi 60 qytete kineze me 14 vende europiane, duke transportuar më së shumti produkte mekanike dhe elektrike, produkte ushqimore dhe prodhime bujqësore. Si paraqitet  bashkëpunimi Kinë-Europë këtë fillim viti?

Bardhi Sejdarasi: Shifrat të japin një pasqyrë më të plotë  sepse nëpërmjet shifrave njerëzit shohin trendin e zhvillimit. Ka një tregues prej 400 milionë eurosh që kanë qenë eksportet e tregtisë së Kinës me BE-në. Ka një ulje të dukshme, por pas këtij rekordi historik të vendosur në vitin 2022, edhe viti 2023 ka një tregues tërësisht në rritje.

Sot BE-ja merr 1/5 e importeve të Kinës  dhe 13,7 për qind është pjesa e SHBA-së, 7,2 për qind është Britania e Madhe, 5,5 për qind Zvicra dhe 4, 7 për qind Norvegjia. Gjithashtu Holanda është sot importuesi më i madh i produkteve kineze me një vlerë prej 117 miliardë euro.

Marrëdhëniet tregtare falë kushteve dhe incentivave që përdoren nga vende të ndryshme dhe në këtë rast dhe ekonomia kineze kanë bërë që një pjesë e mire e shteteve të BE-së të vazhdojnë të kenë shkëmbime tregtare në nivele të tilla me Kinën me shifra të tilla domethënëse.

Pavarësisht debateve mes shteteve kemi të bëjmë me një trend në rritje shkëmbimesh tregtare. Rritja është e dukshme dhe besoj se do të kemi një raport historik në fund të vitit 2024, duke u nisur pikërisht nga këto shifra të tremujorit të pare të vitit. Shkëmbimet tregtare që ndikojnë janë veçanërisht ato që lidhen me importet e makinave. Në këtë aspekt Kina sot është lider.   

CMG: Cila është pesha dhe rëndësia e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar Kinë-Europë për ekonominë botërore.

Bardhi Sejdarasi: Kina ka një strategji shumë specifike që lidhet me mënyrën se si lëvizin mallrat dhe shërbimet nga ky vend deri në Europë. Nëse i referohemi portit të Pireut që është më i madhi në Mesdhe, i cili është privatizuar dhe ka patur një transaksion prej 2 milion kontejnerësh. Vetëm në tremujorin e pare të këtij viti raportohen 5 milionë kontejnerë që menaxhohen te kjo portë hyrëse e Mesdheut. Kompania shtetërore kineze Cosco  jo vetëm që afron këtë rrjet të madh të këvozjes së produkteve që vijnë me anije dhe shpërndahen pothuajse në të gjithë Europën.

Banka Botërore (Foto Monitor)

Banka Botërore (Foto Monitor)

U ofrohet gjithashtu mundësi dhe kompanive të shumta kineze dhe produkteve të tyre për shkëmbime. Kjo është arsyeja që kemi një trend gjithmonë në rritje, nevoja për investime, veçanërisht investimet e zgjuara të kryera në porte dhe aeroporte janë një vlerë e shtuar. Nga 2 milionë në 5 milionë kontejnerë nuk arrihet lehtë. Besoj se edhe këtë vit do të ketë tregues në rritje të import-eksporteve, pra të marrëdhënieve tregtare midis Kinës dhe vendeve të BE-së, si dhe me vende jashtë Unionit.

CMG: Të dielën e kaluar u zhvillua një vizitë e sekretares amerikane të Thesarit Janet Yellen në Kinë, ku pati dy takime të rëndësishme me kryeministrin kinez Li Qiang dhe zvkryeministrin. Kjo vizitë u mundësua nga mekanizmi i ri dypalësh, i iniciuar shtatorin e kaluar, duke lejuar linja të drejtpërdrejta komunikimi mes dy ekonomive më të mëdha të botës. Opinioni juaj për ndikimin e kësaj vizite në marrëdhëniet midis Kinës dhe SHBA-së

Bardhi Sejdarasi: Kthehem në kohë te vizita e presidentit kinez Xi në SHBA dhe gjykoj se në San Francisco u vendosën shinat e një kërkese të re për bashkëpunim ekonomik. Pavarësisht nga qëndrimet që mbajnë shtetet për çeshtje të caktuara dhe kjo është një e drejtë e tyre, por emëruesi i përbashkët do të vazhdojë të mbetet ekonomia.

Mjafton të kujtojmë se 70 mijë kompani amerikane vazhdojnë të punojnë në Kinë dhe këtu nuk mund të ketë politikë që mund të ndalojë këtë marrëdhënie.

Pavarësisht nga ulje-ngritjet e ndryshme treguesit e ekonomisë janë të tillë që i favorizojnë të dy shtetet në mënyrë reciproke, gjykoj se vizita të tilla ku trajtohen çeshtje tërësisht dypalëshe, favorizojnë shumë zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve dhe vendosin një klimë të mire të bashkëpunimit.

Pavarësisht divergjencave, çeshtjet që shtrohen në tavolinë janë gjithmonë çeshtje ekonomike. Këto vizita dhe takime i japin një stimul të jashtëzakonshëm zhvillimit ekonomik të vendeve, në një marrëdhënie ku përfshihen të gjithë aktorët.

CMG: Gjatë takimeve pati disa fjalë kyçe. Nga pala kineze u kërkua që pala amerikane të bashkëpunojë duke iu përmbajtur normave bazë të ekonomisë së tregut, por të mos politizohen çeshtjet ekonomike dhe tregtare. Ndërsa nga pala amerikane, nga sekretarja e shtetit Yellen u theksua se nuk do të ketë shkëputje nga Kina. Rezultatet e takimeve pritet të ndikojnë në marrëdhëniet dypalëshe

Bardhi Sejdarasi: Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe SHBA-së ka 200 herë rritje të shkëmbimeve dypalëshe dhe kjo nuk ndodh me shtetet e tjera.

Janë 650 miliardë euro shkëmbime  tregtare vetëm në vitin 2023, pra tjetër gjë janë ballafaqimet për çeshtje të caktuara dhe tjetër është ekonomia. Nevoja që kanë jo vetëm 70 mijë kompanitë amerikane që punojnë në Kinë, por dhe shumë kompani të tjera që në mënyrë direkte apo indirekte janë në bashkëpunim me Kinën, është që politika ta lehtësojë këtë trase dhe të krijojë një klimë më të mire të biznesit, sikundër e kërkon dhe Banka Botërore në raportet e saj.

Ekonomia botërore në 2024 (Foto ATSH)

Ekonomia botërore në 2024 (Foto ATSH)

CMG: Tremujori i pare i vitit 2024 në ekonominë globale është një hap i pare shpresëdhënës dhe pozitiv?

Bardhi Sejdarasi: Duket pozitiv dhe veçanërisht këmbëngulja për të kapur tregues më të lartë siç janë parashikimet e bëra nga ekspertë të njohur  gjykoj se do të kemi një vit me rritje ekonomike në Kinë dhe më pak në Europë dhe shtete të tjera.

Intervistoi Eda Merepeza/Artikulli dhe fotot janë ofruar nga CRI.CN

Share: