Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato ka reaguar sërish pas sulmeve të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani.
Ai theksoi se sulmet apo intimidimet kundër anëtarëve të gjyqësorit nuk kanë vend në një vend demokrat.
“E kam bërë shumë të qartë që sulmet ndaj gjyqësorit nuk janë të denja për një demokraci”, tha Gonzato.
Silvio Gonzato ishte prezent këtë të enjte në Vlorë për të mbështetur një kauzë tjetër ku në ambientet e shkollës industriale “Pavarësia” prezantoi së bashku me kreun e bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, Zëvëndësministren e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Olta Manjani, Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Shqipëri, Monica Merino dhe Përfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri, Murat Sahin, projektin “BE për Rininë” një projekt ky i cili falë mbështetjes të Bashkimit Europian synon nxitjen e aftësimit profesional dhe punësimit të të rinjve në rang vendi.
Kujtojmë se përmes një qëndrimi të unifikuar SHBA, Britania e Madhe dhe Delegacioni i BE-së në Tiranë dënuan sulmet me karakter të fortë kërcënues plot fyerje të 48 orëve të fundit nga Ilir Meta në adresë të kreut të SPAK, Altin Dumani.
Ky sulm i paprecedentë prej krijimit të SPAK dhe marrjes së drejtimit nga Altin Dumani fillimisht mori kritika nga Ambasada e SHBA në Tiranë një reaguese konstante sa herë politika vendos në shënjestër njerëzit e drejtësisë.
Në kulmin e deklaratave anti-SPAK nga Ilir Meta reagoi edhe ambasada britanike në Tiranë.
Ambasadori britanik, Alastair King-Smith përsëriti mbështetjen e fortë të Mbretërisë së Bashkuar për Prokurorinë e Posaçme të Shqipërisë, SPAK dhe përpjekjet saj jetike për përmirësimin e llogaridhënies dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ambasadori konfirmoi në takimin e përbashkët të donatorëve të SPAK, javën e kaluar, angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për të ofruar asistencë shtesë dhe ngritjen e kapaciteteve për punën e SPAK.
Delegacioni i BE në Tiranë tha se “sulmet apo intimidimet kundër anëtarëve të gjyqësorit nuk kanë vend në demokraci”
Këto kërcënime nga Ilir Meta vijnë në momentin kur dosjet penale ndaj tij dhe familjes, përfshirë dhe hetimin pasuror duket se janë në fazën përfundimtare nga agjentët e BKH dhe prokurorët e SPAK.
Top Channel