Home Gjeo-Ekonomia Ministrja e Jashtme gjermane biseda me homologun e saj iranian! Kërkon të...

Ministrja e Jashtme gjermane biseda me homologun e saj iranian! Kërkon të ulen tensionet mes Iranit dhe Izraelit

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock bisedon me homologun e saj iranian për të ulur tensionet pas sulmit ndaj ambasadës iraniane në Siri, për të cilën Teherani fajëson Izraelin.

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock iu bashkua një nisme diplomatike për të ulur tensionet e shtuara mes Iranit dhe Izraelit pas sulmit ndaj ambasadës iraniane në Siri më 2 prill. Teherani fajëson për këtë sulm Izraelin. Gjatë sulmit u vranë komandantë të lartë iranianë dhe u shkatërrua ndërtesa e misionit diplomatik iranian.

Ministria e Jashtme gjermane njoftoi se ministrja Annalena Baerbock foli me homologun e saj Hosein Amirabdollahian për “situatën e tensionuar” në Lindjen e Mesme.

SHBA mbështet Izraelin

Ushtria amerikane beson se pas sulmit qëndron Izraeli dhe është zotuar ta mbështesë Izraelin pas kërcënimeve të Iranit se do të hakmerret. Zyrtarët izraelitë nuk kanë bërë asnjë koment për sulmin. Izraeli rrallë i pranon sulmet ndaj objektivave iraniane.

“Shmangia e përshkallëzimit të mëtejshëm në rajon duhet të jetë në interesin e të gjithëve. Ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve në rajon të veprojnë me përgjegjësi dhe të përmbahen maksimalisht,” tha Ministria e Jashtme e Gjermanisë.

Netanyahu: Izraeli është i përgatitur të hakmerret ndaj “kujtdo që na dëmton”

Pas shtimit të tensioneve në rajon të lidhura me sulmin ndaj konsullatës iraniane në Damask, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se Izraeli është “i përgatitur” për të mbrojtur sigurinë në të gjitha frontet.

“Kushdo që na dëmton, ne do ta dëmtojmë. Ne jemi të përgatitur të plotësojmë të gjitha nevojat e sigurisë së shtetit të Izraelit, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm,” tha Netanyahu në një deklaratë pas një vizite në bazën e Forcave Ajrore Tel Nof.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, tha se civilët nuk ka nevojë të bëjnë përgatitje të veçanta, por shtoi se Izraeli ishte “shumë i përgatitur për një sërë skenarësh”.

Lufthansa pezullon fluturimet për në Teheran

Për shkak të situatës aktuale në Lindjen e Mesme kompania ajrore gjermane Lufthansa njoftoi se fluturimet e saj me destinacion Teheranin do të vazhdojnë të jenë të pezulluara deri të shtunën (13.04). Lufthansa, e cila zakonisht ka pesë fluturime në javë nga Frankfurt në Teheran, i pezulloi fillimisht fluturimet deri të enjten. /DW

Top Channel

Share: