Në një artikull tek kapital.al (dhe i ripublikuar tek syri.net) gazetari Klodian Tomorri ngrinte akuza për partitë e reja, se nuk paskemi reaguar për korrupsionin në bashki.
Në interes të publikut me datë 8 Prill Nisma Thurje ka inicuar kërkesën për një komision hetimor në Këshillin Bashkiak, i cili synon të hetojë përgjegjësinë e kryetarit të bashkisë në emërimet e këtyre drejtorëve dhe procedurat e tenderimeve që kanë mundësuar këtë vjedhje.Së dyti përveç denoncimeve në rrjetet sociale kemi dalë disa herë në media duke shpjeguar me oriz e me mollë se sa e rëndë është kjo vjedhje.
Ka të paktën 10 publikime të Nismës Thurje (video dhe artikuj) në mbështetje të aksionit të SPAK dhe kemi ushtruar presion publik që listës së të akuzuarve, t’i bashkëngjitet dhe Erjon Veliaj, pēr veprimet dhe mosveprimet e tij në lidhje me aferën 5-D dhe njëkohësisht për dyshimin e arsyeshëm që ai mund të jetë në krye të gjithë aktivitetit kriminal të drejtorëve të vet.Kemi shkuar madje edhe përpara hotelit të drejtorëve në Durrës duke treguar si aty janë përfshirë Erion Veliaj dhe Edi Rama, i cili i ka dhënë status “special” duke e përjashtuar nga taksat.
Së treti, përveç kërkesës sonë për interpelancë, kemi firmosur në mbështetje të kërkesës së grupit të PL dhe rithemelimit në Këshillin Bashkiak. Tani, Zoti Tomorri si gazetar profesionist që është duhet ta kishte verifikuar këtë informacion përpara se të akuzonte padrejtësisht. Dhe për kaq do mjaftonte vetëm të vizitonte këtë faqe, faqen ne Tik-Tok dhe Instagram si dhe profilet e drejtuesve të Nismës.
Se pse nuk e ka bërë vetëm ai e di. Por meqë është gazetar investigativ i sugjerojmë të investigojë përse kërkesa për një interpelancë me kryetarin e bashkisë ende nuk i ka marrë të gjithë firmat e anëtarëve të grupit të PL dhe Rithemelimit…Ky informacion mbase do tregonte se kush po e fsheh vërtetë kokën si struci. Do ishte një informacion me interes publik edhe pse mund të mos botohej tek kapital.al