Benjamin Netanyahu është zotuar se Izraeli mund të “qëndrojë i vetëm”, pasi SHBA paralajmëroi se dërgesat e armëve mund të ndalen nëse Netanyahu urdhëron një pushtim të plotë të Rafahut në Gaza.
Mijëra njerëz tashmë janë larguar nga qyteti jugor pasi ushtria izraelite filloi atë që e quajti një operacion “të kufizuar” të hënën.
Presidenti amerikan Joe Biden ka paralajmëruar vazhdimisht kundër operacionit, duke thënë se në këtë mënyrë do të kalohej “vija e kuqe”.
Por Netanyahu hodhi poshtë paralajmërimin e SHBA, duke thënë se Izraeli do të luftojë edhe nëse nuk do të ketë në krah SHBA-të.
“Nëse duhet… do të qëndrojmë vetëm. Unë kam thënë që nëse është e nevojshme do të luftojmë me thonjtë,” tha kryeministri.
Netanyahu rikujtoi gjithashtu luftën e vitit 1948 – ku shteti i sapoformuar i Izraelit u sulmua nga një koalicion shtetesh arabe, për të hedhur poshtë paralajmërimet e SHBA.
“Në Luftën e Pavarësisë 76 vjet më parë, ne ishim të paktët kundër të shumtëve,” tha ai “Ne nuk kishim armë. Kishte një embargo armësh ndaj Izraelit, por me forcë të madhe shpirti, heroizëm dhe unitet mes nesh – ne ishin fitimtarë”.
Pavarësisht komenteve të zotit Netanyahu, qeveria e tij është vënë nën presion pasi SHBA pezulloi dorëzimin e 1,800 bombave 2,000 lb (907 kg) dhe 1,700 bombave 500 lb, nga frika se ato mund të shkaktojnë vdekje civile në Rafah.
Biden shkoi më tej në një intervistë me CNN të mërkurën, duke thënë se nëse sulmi vazhdon, ai do të pezullonte më tej furnizimet me predha artilerie dhe armë të tjera.
Top Channel