Zjarrfikës që shuajnë zjarrin me flakëhedhës: kështu i përshkroi kryeministri hungarez Victor Orban planet e NATO-s për t`u përfshirë më shumë në luftën e Ukrainës.
Orban, që ruan raporte të afërta me Vladimir Putinin, ka pasur disa përplasje me me shtetet perëndimore sa i përket mbështetjes për Kievin që prej fillimit të agresionit rus ndaj vendit fqinj mbi dy vjet më parë. Orban paralajmëroi se cdo javë që kalon, NATO-ja i afrohet më shumë konfliktit.
“Është absurde që NATO-ja në vend që të na mbrojë ne, po na tërheq në një luftë botërore. Është po aq absurde sa një zjarrfikës që tenton të shuajë një zjarr duke përdorur flakëhedhëse”, tha Obran.
Kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg, pohoi një ditë më parë se “ka ardhur koha” që anëtarët e aleancës ushtarake të rishqyrtojnë disa nga kufizimet sa i përket armëve që japin për Ukrainën. Teksa liderët ukrainas po u bëjnë thirrje qeverive që të lehtësojnë kufizimet, shtetet perëndimore duken të ndara lidhur me atë nëse Ukrainës duhet t’i lejohet që të sulmojë objektiva në tokën ruse.
Orban tha po ashtu se negociatat për dërgimin e trajnuesve ushtarakë francezë në Ukrainë dhe lejimi që ushtria ukrainase të përdorë armë perëndimore për goditje brenda Rusisë ishin ide “shqetësuese” që e çojnë NATO-n më pranë përfshirjes së drejtpërdrejtë në luftë.
Top Channel