Spanja, Irlanda dhe Norvegjia kanë njoftuar këtë të mërkurë, se kanë vendosur ta njohin Palestinën si shtet të pavarur.
Kryeministri i Irlandës, Simon Harris, tha se ky ishte një vendim i përbashkët mes vendit të tij, Spanjës dhe Norvegjisë.
Ky vendim historik nxiti debate në Izrael, i cili tërhoqi menjëherë ambasadorët e vet nga Norvegjia dhe Irlanda.
Këto tri vende njoftuan njëra pas tjetrës përmes konferencave për media për vendimin e tyre për Palestinën.
I pari, kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store, tha se “nuk mund të ketë paqe në Lindjen e Mesme, nëse nuk ka njohje”.
Disa vende të Bashkimit Evropian kanë lënë të kuptohet në javët e fundit se e kanë ndër mend ta njohin Palestinën, duke argumentuar se zgjidhja me dy shtete është thelbësore për paqe afatgjate në rajon.
Norvegjia, e cila nuk është anëtare e Bashkimit Evropian por ndjek politikat e saj, ka qenë mbështetëse e zjarrtë e zgjidhjes me dy shtete mes Izraelit dhe palestinezëve.
Vendimi i tyre vjen në një kohë kur forcat izraelite po kryejnë sulme në pjesët veriore dhe jugore të Rripit të Gazës, duke shkaktuar zhvendosjen e qindra mijëra njerëzve, dhe duke e kufizuar dukshëm futjen e ndihmave në enklavën palestineze./Opinion.al