Home KRYESORE LULE FUSHE! Nga Blertë Kraja

LULE FUSHE! Nga Blertë Kraja

Nji tubë me lule fushet
T’i vuna n’tavolinë,
E erën e tokës
e të bimëve,
cicërimat e zogjve,
vetë natyrën
t’i solla në nji…

Ti
meriton ma shumë,
ndoshta,
tanë botën,
po nganjiherë,
bota asht e mbledhun te ti.

Tiranë, më 19 Maj 2024

Shënim i autores :

Përgjithësisht nuk shkruej poezi. Në jetën teme kanë mbetë të skalituna veç dy shkurtima, nji kur isha në gjimnaz, që profesori jem i letërsisë Jusuf Shpuza na tha, që duhet të provojmë me vargëzu dhe unë shkruva :

« Ai më fliste për hënën,
Për yjet më fliste shpesh,
E dëgjoja me endje,
Por rrallë e merrja vesh.”
Ndërkohë vite ma vonë, kur u bana nanë dhe në simbiozën nanë e bijë tek e ushqeja me gji time bijë, në vend të flinte ajo, shpeshherë nanuritesha unë, i recitoja zogës teme:
“Unë dhe ime bijë,
jemi në garë,
cila e përgjum tjatrën
më parë.”

Ndërsa poezia “Lule fushet” sa të engledis në gjirin e natyrës tenton me dhanë idenë se nganjiherë je para nji dashnie kaq të madhe, ma të madhe se tanë bota, sa tana mënyrat, që don me ia shprehë tjetrit janë të kota, pasi personi përballë teje asht tanë bota për ty.

#poezi #gegnisht #natyre

Share: