Ndërsa dy vite më parë inflacioni rritej me shpejtësi në një rekord 20 vjeçar në nivelin e 8.3%, tashmë Banka e Shqipërisë shprehet se indikatori po ulet më shpejt se parashikimet.
Për shkak të kësaj rënie të papritur, norma bazë e interesit do të ulet në 3% nga 3.25% që qëndronte një tremujor më parë, një lehtësim për të gjithë kredimarrësit që do të paguajnë më pak në këstet e radhës. Guvernatori Sejko bëri me dije se kjo rënie çmimesh erdhi kryesisht nga prodhimi i mbarë i produkteve ushqimore, që ka shtuar ofertën në treg.
“Aktiviteti ekonomik, punësimi dhe pagat kanë vijuar të rriten gjatë dy tremujorëve të parë të vitit, inflacioni ka ardhur në rënie, tregjet financiare kanë qenë relativisht të qeta, ndërsa kreditimi ka shënuar rritje progresive. Këto zhvillime kanë qenë, në përgjithësi, në linjë me pritjet tona. Megjithatë, rënia e inflacionit në tremujorin e dytë ishte relativisht e shpejtë, e diktuar nga rritja e ofertës së artikujve ushqimorë në tregjet rajonale dhe në tregun vendas. Efektet e kësaj goditjeje në inflacion priten të jenë të pranishme edhe gjatë pjesës së mbetur të vitit”, tha Sejko.
Në arsyetimin e vendimit të uljes së interesit guvernatori tha se rritja e shpejtë e pagave sidomos në sektorin publik nuk pritet të sjellë rritje të mëtejshme të çmimeve
“Nga ana tjetër, rritja e deritanishme e pagave dhe e kostove të prodhimit është përcjellë vetëm pjesërisht tek çmimet e konsumit, duke pasqyruar absorbimin e tyre pjesërisht nga rritja e produktivitetit dhe pjesërisht nga reduktimi i marzheve të fitimit të bizneseve”, tha Sejko.
Në vlerësimin e saj BSH bën me dije se Shqipëria do të vijojë të ketë rritje ekonomike që po kryesohet nga bumi turistik, ndërsa theksoi edhe një interes në rritje për të investuar në vendin tonë nga të huajt.
Top Channel