Seanca e radhës për ish-kryebashkiakun e Himarës, Fredi Beleri është shtyrë sërisht ndërsa bëhet me dije se do të mbahet me 2 shtator. Beleri u paraqit ditën e sotme në gjykatën e Fierit ku do të shqyrtohej kërkesa e tij për lirim me kusht.
Seanca e fundit ishte dy ditë më parë por u shty për shkak të mungesë së dokumentacionit. Ndërkohë sot u shty sepse gjyqtari ka marrë lejen e zakonshme. Gjithashtu bëhet me dije se Drejtoria e Burgjeve ka dorëzuar më në fund raportin për Belerin, sipas avokatit Geni Gjyzari.
Ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës është dënuar me dy vjet burg pasi akuzohet për blerje votash, ndërsa i kanë mbetur edhe rreth 2.5 muaj burg nga masa e dënimit. Beleri u zgjodh eurodeputet i kandiduar nga partia e Mitsotakis, “Demokracia e Re” në zgjedhjet europiane të 9 qershorit. Pas dënimit nga Apeli me 2 vite burg për korrupsion zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i hoqi Belerit mandatin e të zgjedhurit si kryetar bashkie në Himarë dhe më pas presidenti i Republikës shpalli zgjedhjet e pjessmeshme për kreun e kesaj bashkie më 4 gusht të këtij viti.
360grade.al