Home KRYESORE PËRSIATJE ENCIKLOPEDIKE NGA ASTRIT LULUSHI

PËRSIATJE ENCIKLOPEDIKE NGA ASTRIT LULUSHI

Nga Prof. Thanas L. Gjika

Në faqet e gazetës mujore “Dielli” të Federatës Pan Shqiptare VATRA bien në sy një varg krijuesish me interesa të gjera kultorore, shkencore e politiko-shoqërore, të cilët në shkrimet e tyre trajtojnë probleme pa nxitur polemikë ndaj mendimeve të atyre që mendojnë ndryshe nga programi i Vatrës. Këtë frymë Rugoviste e ka përforcuar edhe më kjo gazetë mbas zgjedhjes së Dr. Elmi Berisha në detyrën e Presidentit të federatës.

Midis këtyre intelektualëve krijues të diasporës sonë bie në sy Astrit Lulushi, ish gazetar i Zërit të Amerikës. Shumë nga ne kanë lexuar përmbledhjet e tij me shkrime shkencore e letrare, analizat me përmbajtje filozofike e sociale botuar në faqet e gazetave “Dielli”, “Illyria”, etj. Disa vjet më parë shkrova ese-portretin “NJË BIR I SHQUAR I DIASPORËS (Portret biografi dhe vlerësime për jetën e veprën e Astrit Lulushit), ku dhashë vlerësime për jetën e tij që karakterizohet nga sakrificat, guximi dhe inteligjenca; theksova karakterin dhe vlerat e librit madhor “Fjalori Enciklopedik…”, mësimet e tij për dënimin e krimeve të diktaturës komuniste, vlerat e artikujve kritikë shkencorë për vepra letrare e shkencore, që ai i kishte analizuar, dhe arritjet e tij si poet origjinal e përkthyes i soneteve te Shekspirit.

Një aspekt i shkrimeve të Lulushit është krijimi i sentencave dhe fjalëve të mençura origjinale, prandaj në ese-portretin përkatës, nxora një varg thëniesh të tilla, të cilat i rendita në sythin me titull “Thënie të arta të A. Lulushit”. Këto thënie, të cilat ky autor po i shton gjithnjë e më shumë në shkrimet e tij, vlejnë të mësohen përmendësh e të citohen në situata të nevojshme.

Tani do të ndalem të vlerësoj disa aspekte të librit të tij të ri “Përshkëndijime (përsiatje)” botim i TIRANA L. TIMES 2024, 349 f. paraprirë nga parathënia e studiuesit të mirënjohur Fotaq Andrea. Në parathënie theksohet se në shkrimet e Lulushit ka “shpërthime ngjyrash të zjarrta, dritësime mendimi, ndriçime e përshkënditje, si trok i shpejtë i kalit që hovet guximshëm mbi stërkalat ylberore të një ujëvare ndijimesh apo ndjesimesh me gjerësi e thellësi Niagare.” (f. 4).

Do të përpiqem të qemtoj vlera të reja të këtij autori si enciklopedist, kritik letrar e vëzhgues i hollë i proceseve socio-politike që kanë ndodhur e ndodhin rreth botë shqiptare.

Autori, i nisur nga dëshira për ta pajisur lexuesin me njohuri nga shumë dije, ka futur në këtë përmbledhje momente të ndryshme të historisë së Europës e të botës duke u ndalur në aspekte të ndryshme të jetës e të bëmave të figurave të shquara të antikitetit greko-romak e pas tij , si dhe probleme të ndryshme të shkencave historike, të moralit, filozofisë, etj.

Aleksandri i Madh u lind e u rrit në familjen mbretërore të Filipit të II, nga martesa e këtij me princeshën epirote Olimbia. Vetë Filipi i II, themeluesi i shtetit maqedon, ishte bir i një nëne ilire nga fisi i Enkelejve. Në familjen mbretërore të Filipit të II flitej ilirishtja e nënës së tij dhe e Olimbisë, gruas të tij epirote. Lulushi sjell të dhënën interesante se Aleksandri në moshën 7-vjeçare filloi stërvitjet rigoroze nën drejtimin e të afërmit të falijes, epirotit Leonidha; dhe mbas 8 vjetësh, në moshën 15-vjeçare iu dha për edukim filozofit të shquar maqedonas, Aristotelit. Ky dijetar, i cili dinte mirë krahas ilirishtes dhe greqishten, gjuhën e kulturës e të komunkimit në mbarë Mesdheun, e brumosi djaloshin gjatë tre vjetve, duke i mësuar krahas njohurive të shumta shkencore dhe poemën “Iliada” të Omerit, të cilën e mbajti më vonë gjithnjë me vete. Në moshën 18-vjeçare formimi ushtarak dhe dituror i Aleksandrit mori fund. Ai nisi rrugën e lavdisë, krijimin e Perandorisë Maqedone, ku përfshiu gadishullin Azia e Vogël, Egjiptin, Perandorinë Persiane, dhe e shtriu shtetin e vet deri në Afganistan e kufi me Indinë. Pas vdekjes së Aleksandrit të Madh, përfundon Lulushi, “Athina u rebelua kundër sundimit maqedonas dhe situata e Aristotelit u bë e pasigurt”. Për të mos u dënuar me vdekje, filozofi iku në ishullin Eubea, duke thënë: “Unë nuk do t’i lejoj athinasit të mëkatojnë dy herë kundër filozofisë”, mbasi disa vjet më parë gjykata e Athinës kishte dënuar me vdekje Sokratin, filozofin tjetër të shquar (f. 13).

Analisti dhe filozofi Lulushi karakterizohet nga optimizmi dhe besimi në fitoren e së mirës. “Mendimi pozitiv na bën më elastik përballë vështirësive… Herët a vonë, njeriu që fiton është ai që mendon se mundet… Optimizmi i përhershëm është një shumëfishues i forcës… Mendimtari pozitiv sheh të padukshmen, ndjen të paprekshmen dhe arrin të pamundurën. Besoni se mundeni dhe jeni në gjysmë të rrugës [së fitores] (f. 25-26). Edhe më tej ai shton: “Kur ju refuzoheni, nuk keni dështuar. Në fakt keni kaluar një tjetër moment historik” (f. 211); “Nuk ka kreativitet, pa dështim” (f. 212), etj.

Rruga e vetme drejt suksesit sipas Lulushit është këmbëngulja, prandaj ai sjell në vëmendje jetën plot dështime gjatë vitev

Share: