Mësuam së fundmi të dhënat zyrtare të Censusit 2023. Këto të dhëna shërbejnë për të kuptuar të sotmen si dhe të kemi mundësinë të ndërtojmë projeksione për të ardhmen.
Në tërësi, popullsia e Shqipërisë është pak më shumë se 2.4 milionë banorë, një rënie me 420.000 persona midis periudhës 2011-2023 dhe mosha mesatare e popullsisë arriti në 42.5 vite, duke u plakur me 7 vjet nga viti 2011 (35.5 vite), kur në fillim vitet 90 popullsia shqiptare ishte ndër më të rejat në Evropë. Krahasuar me të dhënat e censit 2011, popullsia e vendit është pakësuar me 14.8%. Në periudhën 2001-2011 popullua u pakësua me 9.6% ose rreth 300 mijë persona dhe në periudhën 1989-2011, vitet e para të tranzicionit popullsia u pakësua me 3.1%.
Prirjet e popullsisë në tërësi dhe piramida e popullsisë në Shqipëri
Në tërësi duket se (1) ka një prirje për shtimin e moshës mesatare të popullsisë, shkurt një plakje e saj, (2) ka një ngushtim të bazës së piramidës së popullsisë si rezultat i pakësimit të numrit të lindjeve, (3) ka një zgjerim të piramidës në pjesën e sipërme të saj, si rezultat i rritje së jetëgjatësisë dhe (4) ka një zvogëlim të numrit të të rinjve dhe shtim të numrit të të moshuarve.
Në lidhje me raportin meshkuj – femra, apo përbërja gjinore, në 1 janar 2011 në Shqipëri jetonin 50.1 % meshkuj dhe 49.9 % femra, në 1 janar 2022 49.7 % meshkuj dhe 50.3 % femra dhe e censusin 2023 49.6 % meshkuj dhe 50.4 % femra.
Raporti gjinor i popullsisë rezulton 98,2, (numri i meshkujve për 100 femra). Ky raport është më i ulët se vlerësimi global i njohur (101,0), por më i lartë së raporti gjinor i BE-së, i vlerësuar në 2022 prej 95,64. Në moshat e vogla deri në 10 vjeç, numri i meshkujve tejkalon atë të femrave, me një raport gjinor më të lartë se 108. Ky raport përmbyset në moshat 40 dhe pas të 80-ve, me një rënie të madhe për shkak të jetëgjatësisë së lartë të femrave krahasuar me meshkujt.
Raporti gjinor në popullsinë mbi 80 vjeç është 82,1, si dhe pesë në gjashtë individë të moshës 100 vjeç e lart janë femra.
Numri i foshnjeve të lindura në vitin 2011 ishte 34.300 dhe në vitin 2021 vetëm 27.200, kur në fillim vitet 90 kishte rreth 60.000 lindje në vit dhe po lindin më shumë meshkuj se sa femra. Aktualisht, raporti gjinor në lindje është 108, që tregon se për çdo 100 vajza të lindura, lindin 108 djem dhe këtu ka një ndikim edhe parapëlqimi i gjinisë përpara lindjes nga ana e prindërve dhe e prindërve të prindërve, që kanë një ndikim shumë të madh te çiftet e reja kryesisht në zonat rurale për përzgjedhjen e fëmijës së parëlindur për të qenë mashkull.
Jetëgjatësia te femrat është rreth 4 vite më shumë se meshkujt, femrat jetojnë rreth 79 vite dhe meshkujt rreth 75 vite dhe duke filluar nga mosha 40 vjeç e lart, zakonisht ka më shumë gra se burra në secilën grup-moshë të popullsisë.
Grafiku 1. Piramida e popullsisë së Sqipërisë, krahasim 2011 dhe 2023 (Burimi INSTAT).
Piramida e popullsisë bazuar në Censin e 2023 vjen e ngushtuar shumë poshtë për shkak të rënies së lindjeve dhe po zgjerohet në mes dhe lart nga rritja e popullsisë në moshë të vjetër. Të dhënat e Censit 2023 tregojnë se një në pesë individë (19.7%) janë 65 vjeç e lart, krahasuar me një në nëntë individë (11.3%) në Censin e vitit 2011 dhe 7.5% në Censin e 2001. Duke analizuar grupmoshën 50-69 vjeç në piramidën e popullsisë, vërehet një zgjerim që përputhet me një periudhë lindjesh midis mesit të viteve 1950-1970. Shqipëria gjatë kësaj periudhe është karakterizuar nga një rritje e normave të lindshmërisë, njohur si “baby boom”.
Normat e ulëta të lindshmërisë dhe trendi në rënie, kombinuar me emigracionin e popullsisë në moshë riprodhuese solli ngushtimin e bazës së piramidës së popullsisë. Lindshmëria nën nivelin e zëvendësimit prej vitit 2001, rritja e jetëgjatësisë, si dhe migracioni mbeten faktorët kryesorë të plakjes së popullsisë.
Popullsia në rajone të ndryshme të vendit
Ndërmjet 2011 dhe 2023, popullsia ka pësuar rënie në të gjitha qarqet e vendit dhe për Tiranën ka rritje me vetëm 1.2%. Sipas të dhënave të INSTAT, në të gjithë qarqet, me përjashtim atë të Tiranës, popullsia ka ardhur në rënie gjatë periudhës 2011-2023, në një rang ndryshimesh prej 28,3% në Qarkun e Shkodrës dhe 27,3% në Qarkun Kukës, deri në 0,7% në Qarkun e Beratit.
Shprehur në vlerë absolute, Elbasani dhe Shkodra kanë pësuar rënien më të lartë të popullsisë. Në anën tjetër, popullsia e Qarkut të Tiranës është rritur me 1,2%, më së shumti prej migracionit të brendshëm. Rritja e popullsisë në Tiranë dhe rënia në qarqet e tjera rezulton në rritjen e përqindjes së popullsisë banuese në Tiranë, nga 26,8% në 2011 në 31,6% në 2023. Përafërsisht një e treta e popullsisë shqiptare (31,6%) banon në Qarkun e Tiranës. Qarku i dytë me përqindjen më të lartë të popullsisë është Fieri me rreth 10,0%, ndjekur nga Qarku i Elbasanit me 9,7% ndaj popullsisë gjithsej. Kukësi dhe Gjirokastra kanë përqindjen më të ulët, me 2,6% dhe 2,5% të popullsisë përkatëse. Shpërndarja e popullsisë në territorin e Shqipërisë tregon një përqendrim në Fier, Durrës dhe veçanërisht Tiranë.
Tranzicioni drejt një popullsie më të vjetër vihet re edhe në raportet e varësisë. Raporti i varësisë së të rinjve pësoi rënie në 24.0% nga 30.4% vlerësuar në Censin e 2011, dhe raporti i varësisë së të moshuarve pësoi rritje në 30.4% nga 16.7% në 2011, por në lidhje me këtë, nëse i referohemi Instituti Evropian të Statistikave, në Holandë vetëm 16% e të rinjve jetojnë me prindërit dhe në Irlandë kjo shifër është 52%. Këto janë edhe niveli më i ulët dhe niveli më i lartë i të rinjve që jëtojnë me prindërit në Evropën Perëndimore, krahasuar me 70% të të rinjve që jetojnë me prindërit në vendet e Ballkianit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë.
Analizuar në nivel qarku, Kukësi dhe Gjirokastra mbajnë pozicione të kundërta në termat e raporteve të varësisë: Kukësi ka raportin e varësisë së të rinjve më të lartë (31,8%) dhe raportin më të ulët të varësisë së të moshuarve (19,9%), ndërsa, Gjirokastra ka raportin e varësisë së të rinjve më të ulët (19,0%) dhe raportin më të lartë të varësisë së të moshuarve (46,1%).
Statusi civil i popullsisë së Shqipërisë
Sipas Censit 2023, 54,9% e popullsisë rezulton i/e martuar, 36,6% janë ende beqar, 7,0% kanë status “I/e ve” dhe 1,4% e divorcuar ose e ndarë. Deri në moshën 30 vjeç, përqindja e individëve beqar është më e lartë. Pas moshës 30 deri në 85 vjeç, rritet përqindja e personave të martuar, duke arritur pikun me rreth 88% në grupmoshën 45-64 vjeç. Pas moshës 65 vjeç e lart, përqindja e individëve të ve, ka një rritje të konsiderueshme. Shumica e popullsisë së ve janë femra (82,3%), për shkak të jetëgjatësisë më të lartë dhe diferencës së moshës midis bashkëshortëve. Gjithashtu, referuar popullsisë së divorcuar ose të ndarë, femrat zënë 58,9%, ndërsa në popullsinë që nuk është martuar kurrë (beqare), 55,7% janë meshkuj, përqindje kjo më e lartë dhe për shkak të moshës më të vonshme mesatare të martesës së tyre.
Madhësia e familjes shqiptare
Familja e sotme ka një numër më të vogël anëtarësh. Në Censin e vitit 2023, rezultoi se pjesa më e madhe e popullsisë së Shqipërisë jeton në njësi ekonomike familjare (NjEF) private, (99,3%), ndërkohë 0,7% janë anëtarë të banesave kolektive. Referuar momentit të censit, numri i Njësive Ekonomike Familjare ishte 755.950 dhe madhësia mesatare u vlerësua 3,2 anëtarë për NjEF. Në Censin e vitit 2011, madhësia mesatare e NjEF ishte 3,9 anëtarë për NjEF. Më shumë se një në tetë NjEF (13,7%) përbëhen nga një person i vetëm, duke përfaqësuar 4,3% të popullsisë. Tipologjitë e NjEF të hasura më së shumti ishin ato të përbëra me dy deri në katër anëtarë, përkatësisht dy të tretat (2/3) e NjEF. Rreth 28,5% e NjEF, përfaqësohet nga tipologjia e NjEF me përbërje prej dy anëtarësh, e cila është dhe kategoria më e madhe. NjEF më të mëdha, me pesë apo më shumë anëtarë, përfaqësojnë më pak se një të pestën (19,5%) e NjEF, e njehsuar me një të tretën e popullsisë (35,8%). Pjesa më e madhe e popullsisë, 88,1% jetonin në NjEF me përbërje tradicionale të bërthamave familjare (fëmijë, bashkëshort, bashkëjetues dhe prindër).
Nga pjesa tjetër e popullsisë (11,9%), 7,6% e tyre deklaruan se nuk kishin lidhje familjare dhe 4,3% e popullsisë jetonin vetëm. Nga 103 mijë persona të cilët jetonin vetëm, 62,5% e tyre ishin 60 vjeç e lart. Bërthamat familjare më të shpeshta përbëheshin nga çifte të martuara ose bashkëjetues me fëmijë, 52,2%, e ndjekur nga çifte të martuara ose bashkëjetues pa fëmijë, 37,5%, ndërkaq prindërit e vetëm me fëmijë përbënin vetëm 10,3% të tyre.
Në të tërë këtë përshkrim të gjendjes një ndikim shumë të madh kanë marrë edhe disa dukuri të rëndësishme.
E para është varfëria. Numri i atyre që jetojnë nën nvelin e varfërisë është shumë i lartë. Sipas institucioneve financiare ndërkombëtare, numri i atyre që jetojnë me më pak së 1 dollar në ditë në Shqipëri është rreth 25%. Me 1 dollar në ditë as që mund të pretendohet të krijosh fmailje dhe të kesh fëmijë.
Gjithashtu, sipas INSTAT, një pjesë e mirë e popullsisë shqiptare jeton me 6 dollarë në ditë, që është edhe e ardhura meatare e popullsisë në ditë. Fakti që një punëtor shqiptar e ka produktivitetin rreth 10-15 dollarë në ditë hedh edhe më shumë dritë në këtë qasje.
E dyta është dukuria “ghosting”, që në shqip është: përfundimi i papritur i komunikimit me dikë pa asnjë spjegim, një koncept që më së shpeshti i referohet marrëdhënieve romantike, të cilast kanë qenë për një periudhë jo të shkurtër marrëdhënie të forta, por papritur partneti ndërpret komunikimin, zhduket, ndërron numrin e telefonit, adresën e banimit dhe nuk dëshëron që të shtyjë më tej marrëdhënien. Ka shumë arsye për këtë veprim, por në fund të fundit është një veprim që nuk sjell rezultatin e pritshëm të paktën nga njëra palë, që ishte martesa, bashkëjetesa dhe pasja e fëmijëve. Në fund të fundit, martesa është edhe një mundësi për përballimin së bashku të kostove të jetesës.
E treta ka të bëjë me ndryshimin e konceptit për jetën. Nëse më parë, ideja ishte që të gjeje dikë dhe së bashku të hidheshit në lumë (në lumin e jetës), tashmë ideja është të gjesh dikë që të kalosh kohë të mirë së bashku, por jo dosdishmërisht përjetësisht. Në ditët tona, me shtimin e moshës mesatare, me përmirësimin e cilësisë së jetës, me shtimin e mundësisë për më shumë kontakte fizike dhe virtuale, ka më shumë mundësi dhe më shumë zgjedhje, që ndikojnë në mendimin për të krijuar një lidhje të rëndësishme afatgjatë ose jo.
Por, në rastin e Shqipërisë dhe edhe për disa vende në zhvillim, pjesa më e madhe e popullsisë është e përqendruar në kryeqytet dhe në rrethinat afër tij, ndërkohë që në këtë zonë nuk ka ose ka fare pak burime natyrore dhe kjo përbën një kosto shumë të madhe për jetesën e banorëve. Nga ana tjetër, nëse vendi ka burime natyrore, ato janë diku tjetër, në rastin e Shqipërisë ato janë në zonën verilindore dhe veriperëndimore të vendit (minerale, pyje, kullota, etj), ndërsa ne ultësirën perëndimore destinacioni i modelit ekonomik duket se do mbetet për një periudhë shumë të gjatë turizmi, që kërkon mbështetje nga bujqësia dhe agrobiznesi, që nga ana e tyre kërkojnë burime njerëzore dhe financiare.
Aktualisht, turizmi mbështetet me produkte ushqimore kryesisht nga importi. Shqipëria importon rreth 80 % të ushqimeve dhe lëndëve të para për industrinë ushqimore, ndërkohë që rreth 40% e tokës bujqësore mbetet djerrë, për shkak te banorët e zonave rurale emigrojnë jashtë shtetit dhe migrojnë në kryeqytet dhe në qytetet e tjera të mëdha, duke ju larguar punës në bujqësi e blegtori.
Kur flasim për burimet financiare, borxhi publik po financohet me anë të bonove të thesarit, të cilat janë një mjet për financimin e buxhetit të shtetit, por nga ana tjetër për shkak të kostove oportune, janë një mjet që i heq mundësinë qytetarëve që të investojnë paratë e tyre.
Kjo shumë llogaritet rreth 6 miliardë euro.
Në sistemin bankar shqiptar flenë më shumë se 10 miliardë euro, kursime të qytetarëve, ndërkohë që bankat e nivelit të dytë japin kredi me pikatore, me idenë se të bësh biznes në Shqipëri ka kosto dhe risk të lartë dhe me këto para bankat e nivelit të dytë janë futur në lojën e bonove të thesarit dhe nga diferenca e normave të interest të tyre me ato të bonove të thesarit, paguajnë qytetarët që kanë futur paratë në banka dhe përballojnë edhe kostot e tyre si biznes, ndërkohë që sektorët e ekonomisë shqiptare vuajnë për invesime, financime, kreditim dhe likuiditete.
Nga ky këndvështrim, popullsia në tkurrje, përqendrimi i saj në kryeqytet dhe mos manaxhimi apo edhe keq manaxhimi i burimeve natyrore dhe financiare, e orienton ekonominë shqiptare në hulli jo pozitive.