Home KRYESORE “U hiqet bluza e bardhë përgjithmonë nëse…”, ministrja Koçiu njofton masat e...

“U hiqet bluza e bardhë përgjithmonë nëse…”, ministrja Koçiu njofton masat e reja: Mjekët ndalohen të ndjekin të njëjtin pacient në shtet e privat!

Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu në mbledhjen e zhvilluar sot me shefat e QSUT ka bërë me dije se do të ketë disa ndryshime të reja, disa prej të cilave do të hyjnë në fuqi menjëherë, në lidhje punën e mjekëve dhe atyre që hapin apo punojnë edhe në klinika private.

Ajo tha se ndër të tjera do të ndalohet që një mjek të ndjekë të njëjtin pacient edhe në shtet edhe në spitalin privat që mund ta zotërojnë, apo që mund të punojnë.

Po ashtu tha se mjekët që kanë hapur dhe ose punojnë klinika private, nuk do të mund të mbajnë asnjë funksion drejtimi apo niveli.

Ministrja tha se dërgimi në klinika private do të dënohet, ndërsa përsëritja e kësaj shkeljeje do të shkojë deri në ndalim të aktivitetit. Shkelja e etikës, betimi i Hipokratit do të dënohen po ashtu, teksa shtoi se shkelja e protokollit mjekësor do të çojë edhe në ndalimin e aktivitetit të mjekut për gjatë gjithë jetën.

“Individët që njollosin institucionin do të ndalohet të veshin bluzën bardhë gjatë gjithë jetës. Nuk thashë disa nga afatet për masat e shkelura, sepse janë ende në diskutim edhe për disa ditë. Kjo ngjarje e rëndë do përbëjë një mësim të paçmuar për të punuar për shëndetësinë europine 2030“, tha ajo.

“E para falënderoj prokurorët dhe besoj se shpreh në emër të qytetarëve, e dyta shpreh keqardhjen bluzave të bardhave të përkushtuar e të devotshëm. E kam ndjerë deri në palcë mërzinë dhe plagosjen e rëndë morale për atë neveri.

Shumica juaj nuk janë si ata, sistemi ynë nuk është ai. Ka mjekë te Onkologjiku që punojnë me përkushtim dhe nuk e meritojnë njollën që iu vu nga kolegët.

Ne duhet të marrim masa konkrete dhe të reagojmë menjëherë për të mos patur më hapësirë. Gjatë këtyre ditëve kemi punuar për ndërhyrje të shpejta në ligjin për urdhrin e mjekut në vend… mjekët që punojnë apo hapin qendra private duhet të marrin konfirmim, do të ndalohet që mjekët të ndjekin të njëjtin pacient edhe në klinika private”, tha ajo.

E plotë/ Masat e reja për mjekët

a) Hapja apo puna në një klinikë private për mjekët e sektorit publik do të vazhdojë deri në momentin kur spitali përkatës do të përfundojë procesin e autonomisë dhe me marrjen e autonomisë kjo do të jetë rreptësisht e ndaluar.

Mjekët e punësuar në sektorin publik që kanë hapur apo punojne në klinika private, si edhe ata qe do te duan ta bejne këtë më tutje, duhet të marrin një autorizim/leje nga titullari i spitalit ku janë të punësuar. (Ky autorizim duhet të konfirmohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe të publikohet në një regjistër publik digjital).

b) Do të ndalohet ligjërisht që një mjek të ndjekë të njëjtët pacientë në klinikën private që ka hapur vetë apo që punon aty. Një mjek i cili ndjek pacientë në klinikat shtetërore është në konflikt të hapur interesi nëse kërkon që po këta pacientë të vijnë në klinikën private që ai ka hapur vetë apo punon aty.

Kjo është NJË PRAKTIKË E TOLERUAR përgjatë gjithë këtyre viteve PAS NDRYSHIMIT TË SISTEMIT dhe e zgjatur nga fakti se vetëm KJO SHUMICË QEVERISËSE vendosi të ndërmarrë reformën rrënjësore të autonomisë spitalore, e cila dihet botërisht se kerkon disa vite edhe në kushte shumë me normale se sa kushtet skandaloze të shëndetësisë e të spitaleve deri përpara 10 vjetësh.

Fatmirësisht sot jemi në hapin e fundit dhe kemi aktualisht në Fier, Memorialin, spitalin e parë me autonomi. Së shpejti QSUT dhe 12 spitale te tjera do të marrin autonominë e plotë pas plotësimit të kushteve të mbetura.

Por megjithatë, masat për ndarjen e mjekut nga pacienti në spitalin publik nga mjeku dhe pacienti në spitalin privat do t’i marrim menjëherë.

c) Po menjëherë, mjekët që kanë hapur dhe/ose punojnë në klinika private nuk do të mund të mbajnë ASNJË FUNKSION drejtuese të asnjë niveli në spitalet publike apo në Universitetin e Mjekësisë.

Një drejtues në këto struktura duhet t’i dedikohet plotësisht administrimit dhe aktivitetit në strukturën ku i është dhënë një përgjegjësi drejtimi.

Historia e transferimit të pacientëve në klinikën private nga drejtuesit e shërbimeve publike do të mbarojë menjëherë sapo të miratohet ky ndryshim ligjor.

d) Do të thjeshtojmë në këtë ligj edhe procedimin disiplinor

Aktualisht procedimi disiplinor është kompleks, me komisione disiplinore rajonale, qendrore, ankimime administrative dhe më pas ato gjyqësore.

Jo! Do të krijohet një komision i vetëm shtetëror disiplinor me 5 anëtarë dhe nje komision apelimi. Vendimet e këtij të fundit mund të ankimohen në gjykatën administrative, por ky ankimim nuk do të pezullojë ekzekutimin e vendimit te komisionit të apelimit.

Natyrisht të gjitha këto ndërhyrje të menjëhershme kërkojnë edhe NDRYSHIME TË MASAVE DISIPLINORE ekzistuese.

Prandaj masat disiplinore aktuale do të ashpërsohen ligjërisht si pjesë e kësaj pakete ndërhyrjesh.

– Dërgimi i pacientëve në klinikën private nga mjeku përgjegjës për ta në shërbimin publik, do të dënohet me gjoba domethënëse për mjekun dhe për klinikën private që vetë mjeku ka hapur apo punon. Ndërsa përsëritja e kësaj shkeljeje do të shkojë deri në ndalimin e aktivitetit për mjekun apo klinikën private për afate të caktuara.

– Shkelja e rregullit që drejtuesit publike nuk mund të kenë klinika private apo të punojnë në to përveç shkarkimit nga funksioni dhe gjobës domethënëse për mjekun, si dhe gjobës gjithashtu për klinikën private, do të mund të çoje deri në ndalimin e aktivitetit për të dyja palët për afate të caktuara.

– Mosdeklarimi transparent në kërkimin e autorizimit/lejes për punësim në privat do të çojë në heqjen e licencës për ushtrimin e profesionit për afate të caktuara.

– Shkelja e etikës (betimit të hipokratit) dhe të protokolleve mjekësore, kur nuk ka shkaktuar pasoja do të çojë në ndalimin e kryerjes së disa shërbimeve mjekësore dhe deri në heqjen për afate të caktuara të licencës së ushtrimit të profesionit.

– Shkelja e protokollit mjekësor, kur ka shkaktuar pasoja të lehta do të çojë, përveç pasojave që burojnë nga ndëshkimi i drejtësisë edhe në heqje të licencës së ushtrimit të profesionit për një afat shumë domethënës.

– Shkelja e protokollit mjekësor, kur ka shkaktuar pasoja të rënda do të çojë përveç pasojave që burojnë nga ndëshkimi i drejtësisë edhe në ndalimin e aktivitetit të mjekut për gjithë jetën.

Top Channel

Share: