Home Gjeo-Ekonomia Hapja e urës në Mitrovicë, Hovenier: Mund të rrezikojë ushtarët amerikanë! SHBA...

Hapja e urës në Mitrovicë, Hovenier: Mund të rrezikojë ushtarët amerikanë! SHBA është sfiduar nga kryeministri Kurti

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, tha ambasadori amerikan, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

“Shpresa jonë është që Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t’i marrë parasysh këto shqetësime”, shtoi ai.

Qeveria e Kosovës ka thënë se synon të hapë për qarkullim të automjeteve urën mbi Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe atë të Veriut me shumicë serbe. Me gjithë kundërshtimin e vendeve të QUINT-it dhe NATO-s, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ura duhet të hapet dhe se “nuk është kundër askujt”.

Paralajmërimi për hapjen e urës u bë pasi autoritetet e Kosovës më 5 gusht mbyllën zyrat e Postës së Serbisë në veri, veprim që është parë nga aleatët e Kosovës si “i pakoordinuar dhe i njëanshëm”.

Hovenier tha se SHBA-ja është sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria e tij në disa aspekte.

“Duhet të them se cilësia e partneritetit tonë nuk është ajo që do të shpresonim të ishte në disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si ai trajton veriun dhe si ai e menaxhon dialogun”.

Ai shtoi se veprimet e pakoordinuara të Qeverisë në veri e zvogëlojnë entuziazmin e SHBA-së për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj euroatlantike.

Radio Evropa e Lirë: Do t’ia filloj me zhvillimet e fundit. Përse nuk është kohë e përshtatshme për të hapur urën në Mitrovicë, për të cilën janë pajtuar edhe Kosova edhe Serbia në Bruksel?

Jeffrey Hovenier: Me të vërtetë më vjen mirë që e shtruat këtë pyetje sepse mendoj se kjo çështje është keqkuptuar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë fuqishëm se nuk është koha për të rihapur urën për qarkullim të automjeteve. Më lejoni të sqaroj diçka.

Ne besojmë se ura përfundimisht do të duhet të hapet për qarkullim të automjeteve dhe kjo gjë, siç e thatë edhe ju, ishte pjesë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Është arritur një marrëveshje, por ne i kemi kërkuar Qeverisë që të mos vazhdojë me këtë çështje, tash për tash, dhe këtë nuk e kanë bërë vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kolegët e mi të QUINT-it kanë qenë me mua në një takim me kryeministrin (e Kosovës, Albin Kurti) për këtë çështje.

Arsyeja pse e kërkojmë këtë është se besojmë se ka rrezik të njëmendtë që lidhet me një veprim të tillë tani, si dhe besojmë se ky rrezik shton kërcënimin e mundshëm për dhunë dhe probleme të tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë, të cilët po punojnë për të ofruar paqe dhe siguri në Kosovë. Dhe, ne i marrim shumë seriozisht veprimet që mund të ndikojnë në sigurinë e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën.

Pra, kërkesa jonë drejtuar Qeverisë – dhe e kemi bërë këtë bisedë qe disa muaj – është: ju lutemi, mos e ndërmerrni këtë veprim tani. Punoni me ne. Duam të ndihmojmë për të krijuar kushte ku diç e tillë mund të bëhet, por nuk besojmë se është koha tani.

Radio Evropa e Lirë: Por, kush mund të shkaktojë dhunë?

Jeffrey Hovenier: Nuk mund të flas se kush mund të shkaktojë dhunë. Vetëm e di se kemi vlerësim që mund të ketë dhunë dhe që është reale dhe pyetja se kush mund të jetë përgjegjës për të, që është pyetje shumë e arsyeshme, nuk e mohon faktin se mund të ketë dhunë dhe rrezik të njëmendtë për komunitetin lokal dhe për ushtarët e NATO-s.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë të interesuara që në këtë çast ushtarët amerikanë të përballen me rrezik shtesë për këtë çështje.

Radio Evropa e Lirë: Në reagimin tuaj ndaj mbylljes së Postës së Serbisë, ju thatë se veprimet e pakoordinuara të Kosovës rrezikojnë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it. Por, pikërisht në këtë rast, e dimë se KFOR-i ka një prezencë të përhershme në urë dhe KFOR-i gjithashtu mendon që kjo çështje duhet të diskutohet në dialogun në Bruksel. A mundet kjo çështje në një moment të vë KFOR-in në përballje me autoritetet e Kosovës?

Jeffrey Hovenier: Nuk mund të flas se si do të reagojë Kosova në një situatë të tillë. Mund të them se KFOR-i ka qenë mjaft i qartë se e merr seriozisht edhe këtë çështje.

KFOR-i ndan të njëjtin vlerësim të rrezikut që Shtetet e Bashkuara e kanë për këtë çështje dhe që ne ua kemi bërë të ditur autoriteteve të Kosovës, se hapja tani e urës për qarkullim të automjeteve do të rrisë rrezikun për ushtarët dhe kjo është arsyeja pse KFOR-i ka qenë gjithashtu shumë-shumë i qartë duke shprehur pikëpamjen se kjo duhet të bëhet vetëm në një mënyrë që e zbut atë rrezik. Por, ne nuk besojmë se planet aktuale e marrin parasysh atë rrezik.

Radio Evropa e Lirë: A mundet KFOR-i të refuzojë që të largohet nga ura?

Jeffrey Hovenier: Për këtë duhet të vendosë vetë KFOR-i. KFOR-i ka dhënë një varg deklaratash publike që është i gatshëm të përmbushë detyrat e tij, për të garantuar mjedis të qetë dhe të sigurt, si dhe për të mundësuar liri të lëvizjes në vend, por gjithashtu ka dalë me deklarata që qartësojnë se do të reagojë ndaj çfarëdo kërcënimi që do të rriste jostabilitetin në rajon.

Radio Evropa e Lirë: Pavarësisht këtij qëndrimi të QUINT-it, Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, kryeministri Kurti këmbëngul se ura duhet të hapet dhe se kjo nuk është kundër askujt. Këto ditë kemi parë edhe punime në urë, testime, bisedime me popullatën vendore, edhe pse shumë pak serbë kanë marrë pjesë në to. Pra, duket se kryeministri Kurti po vazhdon me planin e tij, atë që prezantoi në takim para disa ditëve.

Jeffrey Hovenier: Nuk mund të flas për qëllimet e Qeverisë. E di që kryeministri më ka thënë se dëshiron t’i bëjë gjërat në bashkërenditje me bashkësinë ndërkombëtare dhe këtë e ka thënë publikisht. Porosia e bashkësisë ndërkombëtare për kryeministrin është më se e qartë se tani, në këtë çast, ne nuk e mbështesim ndryshimin e statusit të urës. Dhe, arsyeja pse nuk e mbështesim është sepse besojmë se ekziston mundësia për rritje të tensioneve dhe të dhunës, e cila rrit rrezikun për ushtarët dhe për komunitetet lokale, përfshirë edhe për ushtarët amerikanë. Kështu ka shkuar biseda jonë.

Shpresa jonë, kërkesat tona kanë qenë të sinqerta dhe të matura, por të qarta: shpresojmë që Qeveria do t’i marrë parasysh kërkesat e Shteteve të Bashkuara për diçka që ne besojmë se ndikon drejtpërdrejt në sigurinë e ushtarëve tanë dhe ushtarëve të NATO-s që punojnë në Kosovë. Shpresojmë që Qeveria ta dëgjojë këtë kërkesë dhe t’i marrë parasysh këto shqetësime.

Radio Evropa e Lirë: E, nëse nuk i merr parasysh? Si do të reagojnë Shtetet e Bashkuara?

Jeffrey Hovenier: Nuk hyj në çështje hipotetike. Kosova thotë se është partnere dhe mike jona. Kosova na thotë se është vendi më proamerikan në botë, prandaj, do të shpresoja që vendi më proamerikan në botë t’i dëgjojë kërkesat specifike të Qeverisë amerikane për të mos vënë në rrezik ushtarët e NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

Radio Evropa e Lirë: Por, menjëherë pas takimit me QUINT-in, kryeministri – kabineti – doli me një deklaratë ku thuhej se ura duhet të hapet dhe po ashtu i kemi parë gjithë ato punime në urë. Pra, ata po vazhdojnë me planin e tyre…

Jeffrey Hovenier: Mund të them vetëm se edhe ne kemi dalë me deklarata pas takimit ku i kemi shprehur pikëpamjet tona, se jemi të shqetësuar për këtë veprim në këtë moment. Sërish, në afat të gjatë, Shtetet e Bashkuara pajtohen, e mendoj që edhe partnerët tanë evropianë po ashtu pajtohen, që ura do të duhej të hapej për qarkullim të automjeteve. Kjo marrëveshje është arritur në dialog. Shtrohet pyetja: si dhe në çfarë rrethanash? E, ne nuk besojmë që janë kushtet e përshtatshme pikërisht tani.

Arsyeja përse nuk besojmë që janë kushtet e përshtatshme pikërisht në këtë çast është për shkak të vlerësimit tonë, të cilin e kemi ndarë vazhdimisht me autoritetet e Kosovës, se kjo gjë shton rrezikun dhe kërcënimin për popullatën lokale dhe për ushtarët e NATO-s, duke përfshirë edhe ushtarët amerikanë.

Radio Evropa e Lirë: Përse kjo urë është kaq e rëndësishme kur dihet që urat e tjera, që janë disa metra më larg, janë të hapura për këmbësorë dhe për qarkullim të automjeteve?

Jeffrey Hovenier: Mendoj se për këtë gjë duhet ta pyesni Qeverinë e Kosovës. Unë nuk kam përgjigje të mirë për të.

Radio Evropa e Lirë: A e konsideroni ende kryeministrin Kurti partner tuajin? A ju konsideron ai juve partner?

Jeffrey Hovenier: Nuk mund të flas se si na konsideron ai. Mund të them vetëm se nga këndvështrimi i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, jemi sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria e tij në disa mënyra.

Në disa çështje kemi partneritet të mirë dhe të ngushtë. Kemi punuar së bashku në disa gjëra të rëndësishme për të përmirësuar ekonominë e Kosovës dhe jemi përpjekur për ta ndihmuar vendin që të krijojë një sistem ekonomik që iu ofron mirëqenie më të mirë. Kemi arritur përparim të njëmendtë me autoritetet e shtetit të Kosovës për t’i ndihmuar institucionet mjaft të reja të Qeverisë, që të jenë më efikase në punën e tyre dhe për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.

Por, për këto çështje, më duhet të them se jemi sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria e tij, dhe më duhet të them se cilësia e partneritetit tonë nuk është ajo që do të shpresonim të ishte për disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si merret me çështjen e veriut dhe me atë të dialogut.

Këtë nuk e them vetëm unë. Para pak kohësh, këtu ishte një nënsekretare jona e Shtetit, e cila foli për nevojën dhe shpresën tonë për bashkërenditje dhe bashkëpunim më të mirë. Jim O’Brien, ndihmës-sekretari ynë për Evropën, ka folur publikisht për këtë.

Ne patëm një moment të jashtëzakonshëm dhe do të marr pak kohë që ta lexoj një pjesë të deklaratës, kur hiç më larg se javën e kaluar, pas aksioneve të pakoordinuara kundër zyrave të Postës në veri, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha: “Jemi të shqetësuar nga vendimet e vazhdueshme të pakoordinuara të udhëheqësisë së Kosovës. Ne besojmë se ato i vënë në rrezik mundësitë që ne kemi ndihmuar që Kosova t’i krijojë. Nëse shikoni, që nga pavarësia e Kosovës, Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur fuqimisht integrimin e saj të plotë në bashkësinë ndërkombëtare si një demokraci sovrane dhe shumetnike, por për ta realizuar këtë vizion, i cili është një vizion që ne e ndajmë, ne kemi bashkëpunuar me udhëheqësit e njëpasnjëshëm politikë të Kosovës për masat që fuqizojnë paqen dhe prosperitetin në vend, që e çojnë Kosovën përpara në rrugëtimin euroatlantik. E nxisim këtë Qeveri të Kosovës që të kthehet – – gjë që sugjeron se nuk jemi në atë pikë tani – në një angazhim të ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara, me BE-në, me NATO-n dhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë të Kosovës”.

Radio Evropa e Lirë: Sa kohë do të prisni që Kosova të kthehet? Sa kohë, më lejoni të them, do të toleroni që të sfidoheni?

Jeffrey Hovenier: E dini, Kosova është shtet sovran dhe ne e pranojmë si të tillë. Kështu që nuk e di nëse është çështje e tolerancës. Mendoj se më shumë ka të bëjë me cilësinë e partneritetit tonë. Kemi mëdyshje se sa e përkushtuar është kjo Qeveri për partneritet me ne.

Kur flasim me një Qeveri për gjërat që mund të bëjë të cilat shtojnë rrezikun për ushtarët tanë dhe nuk jemi të bindur se po marrim një përgjigje efektive, kjo ndikon në pikëpamjen tonë se deri në çfarë mase kjo Qeveri po i merr parasysh shqetësimet tona, sa e përkushtuar është kjo Qeveri ndaj partneritetit që duam të kemi.

Radio Evropa e Lirë: A po shqyrtoni ndonjë pasojë?

Jeffrey Hovenier: Shikoni, shqetësohem se kah po shkon kjo. Dua të them, në afat të gjatë, Shtetet e Bashkuara duan të shohin, dhe populli i Kosovës dëshiron ta shohë Kosovën duke përparuar drejt strukturave evropiane dhe euroatlantike. Dëshirojmë ta shohim Kosovën në Këshillin e Evropës. Dëshirojmë ta shohim Kosovën në BE. Dëshirojmë ta shohim në NATO.

Rruga për ta arritur këtë është duke punuar së bashku me ne, me partnerët tanë evropianë, me prijësit e BE-së, me prijësit e NATO-s. Por, vetëm një shembull. Hiç më larg se javën e kaluar, me këtë aksion të pakoordinuar kundër Postës, e patë se si BE-ja, SHBA-ja, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia, të gjitha i ngritën shqetësimet e tyre. Shqetësohem se veprimet e tilla ulin oreksin dhe zbehin zotimin – jo zotimin – por, entuziazmin për ta mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj.

Perëndimi nuk e mbështet hapjen e urës në Mitrovicë, Kurti insiston

Kosova tashmë ka humbur një mundësi të rëndësishme për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke mos reaguar ndaj kërkesave të partnerëve tanë evropianë, të cilët mund t’i zgjedhin kushtet që ata prisnin që Kosova t’i përmbushë për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Jam shumë i shqetësuar se rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, kërkesa e saj, aplikimi aktual për statusin e anëtarësimit, zbatimi efektiv dhe i plotë i marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, që është në dobi të Kosovës, brengosem shumë se do të ketë ndikim negativ. Javën e kaluar, kolegu im gjerman foli për mënyrën sesi vetë rruga e anëtarësimit mund të vihet apo të mbahet në sirtar ose të ngrihet.

BE-ja po flet për masa shtesë. Shpresoj shumë që të mos ketë masa shtesë, por kjo, në masë të madhe, varet nga Qeveria e Kosovës dhe shkalla në të cilën ajo do t’i ndalë këto lloj veprimesh për të cilat ne vazhdimisht kemi paralajmëruar, dhe do të fillojë të veprojë në partneritet me ne dhe me partnerët tanë evropianë ashtu siç e kemi kërkuar vazhdimisht të bëjë.

Pajtohemi që kjo është e vështirë. Pajtohemi se ka gjëra të vështira në agjendë, por gjithashtu mendojmë se kemi një sistem dhe një proces për të ndihmuar në avancimin e Kosovës që e kërkon një bashkëpunim të tillë.

Radio Evropa e Lirë: A po lobojnë Shtetet e Bashkuara për anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme apo kjo çështje është në pritje?

Jeffrey Hovenier: Nuk kam parë shumë entuziazëm në mbështetje të përpjekjeve të Qeverisë tani për anëtarësime të reja në organizatat ndërkombëtare. Kemi bërë përpjekje të vërteta për Këshillin e Evropës, por Kosova pastaj nuk tregoi vullnet për të ndërmarrë hapin që partnerët e saj evropianë dhe ne ia kërkuam, që të dërgonte draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së tij.

Radio Evropa e Lirë: Kjo nuk ka ndodhur ende.

Jeffrey Hovenier: Nuk ka ndodhur ende dhe fakti që nuk ka ndodhur, më duhet të them, e ka zbehur entuziazmin e Qeverisë amerikane për t’i vazhduar këto përpjekje, përderisa Kosova nuk do ta ndërmarrë madje as këtë, sipas këndvështrimit tonë, hap mjaft të vogël dhe të hershëm në këtë proces.

Radio Evropa e Lirë: Çka do të ndodhë nëse nuk e dërgon në Gjykatën Kushtetuese?

Jeffrey Hovenier: Dua të them, kjo është zgjedhje e Qeverisë së Kosovës, por kjo do të thotë se, mendoj se shumë nga këto procese ka gjasa të ngecin. Kjo është çështje e real-politikës.

Nëse doni të anëtarësoheni në NATO, nëse doni të anëtarësoheni në Bashkimin Evropian, nëse doni të anëtarësoheni në Këshillin e Evropës, duhet të keni mbështetjen e vendeve që tashmë janë anëtare dhe kemi sfidën e disa vendeve në ato institucione që nuk e njohin Kosovën siç e njohim ne si shtet sovran dhe të pavarur dhe e kanë bërë të qartë se një aspekt i mbështetjes së tyre do të varet nga përparimi në dialog dhe duke dashur të shohin Kosovën dhe Serbinë të ripozicionojnë marrëdhëniet e tyre.

Nga këndvështrimi ynë, Qeveria e Kosovës nuk është angazhuar në mënyrë konstruktive në dialog në disa mënyra të caktuara. Por, mund të them të njëjtën gjë edhe për Serbinë. Kemi folur për domosdoshmërinë që të dyja vendet të punojmë shumë më shumë për t’i përmbushur të gjitha detyrimet e tyre.

Por, duke qenë se e nxjerr bukën në Kosovë, si dhe meqenëse personalisht unë dhe Qeveria ime institucionalisht, dëshirojmë shumë që ta shohim Kosovën duke përparuar në këtë rrugëtim dhe duke zënë vendin e saj në strukturat evropiane, shpresojmë ta shohim këtë Qeveri, në vend që të përpiqet të ndërmarrë veprime që na e vështirësojnë mundësinë për të avokuar në mënyrë efektive, duke na dhënë argumente të mira në favor të anëtarësimit të Kosovës. Kjo nuk ka ndodhur ende.

Radio Evropa e Lirë: T’u kthehemi veprimeve të Qeverisë në veri. Gjatë dy vjetëve të fundit, bashkësia ndërkombëtare ka reaguar shumë herë për veprimet që i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës. Por, Qeveria po thotë se ka pasur sukses, ia ka dalë për të vendosur rregull dhe rend. A besoni se ka më shumë rregull dhe rend në veri se sa dy-tre vjet më parë?

Jeffrey Hovenier: Do të thosha se gjendja në veri është më ndryshe se sa ishte dy apo tre vjet më parë. Por, nëse dëshironi ta integroni një rajon, i integroni edhe rajonin edhe njerëzit, e ajo që kam parë kohëve të fundit është mungesë e integrimit të popullatës në veri dhe përpjekje absolute, të pakompletuara për t’i tërhequr, për t’i nxitur, për t’i përfshirë ata.

Le ta marrim vetëm shembullin e takimit për urën. Aty ishin shumë pak njerëz. Ata që ishin aty, e që ishin qytetarë të veriut, siç e kam kuptuar, shumica nuk ishin për hapjen e urës për qarkullim të automjeteve.

Radio Evropa e Lirë: Dhe, folën për çështjet e tjera me të cilat përballen e jo për urën.

Jeffrey Hovenier: Pikërisht dhe ata janë shumë të shqetësuar. Prandaj, shpresojmë që kjo Qeveri, e cila absolutisht shprehet me fjalë të duhura se është Qeveri për të gjithë qytetarët e Kosovës, të veprojë në përputhje me këtë dhe të gjejë mënyra për t’i treguar popullit se edhe ata duhet të integrohen në Kosovë, se ka përfitime të njëmendta nga integrimi dhe se kjo Qeveri është e përgjegjshme ndaj brengave të tyre.

Nuk kam takuar shumë përfaqësues të bashkësisë etnike serbe kohëve të fundit, të cilët besojnë se Qeveria Kurti po bën përpjekje të suksesshme për të treguar ndjeshmëri dhe shqetësim rreth çështjeve që janë në mendjen e bashkësisë etnike serbe në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: E përmendët se keni pasur sfida nga kjo Qeveri. Por, dje, pamë raportime në media që kryeministri Kurti mund të marrë pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike në Çikago. A mund ta konfirmoni këtë?

Jeffrey Hovenier: Sa e di unë, kryeministri Kurti planifikon të marrë pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI – National Democratic Institute). Por, të jemi të qartë, kjo nuk është ftesë nga Qeveria amerikane.

Partia Demokratike është një parti politike në Shtetet e Bashkuara. NDI-ja është krah i Partisë Demokratike që punon në ndërtimin e partive dhe institucioneve demokratike jashtë vendit.

Pra, kryeministri është ftuar nga NDI-ja, besoj në cilësinë e tij si kryetar i një prej partive të Kosovës, ashtu siç NDI-ja i ka ftuar edhe kryetarët e partive tjera të Kosovës. Por, kjo nuk është ftesë nga Qeveria amerikane.

Radio Evropa e Lirë: Në fund, dëshiroj t’ju pyes pak për Banjskën. Po i afrohemi përvjetorit të parë të Banjskës. Organizatori kryesor, Milan Radoiçiq, është ende i lirë, supozohet në Serbi. Edhe sa kohë do të presin Shtetet e Bashkuara që Serbia të arrestojë Radoiçiqin dhe që ai të përballet me akuza?

Jeffrey Hovenier: Mendoj se Shtetet e Bashkuara kanë qenë mjaft të qarta lidhur me pritjet tona që të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në atë krim të tmerrshëm të japin llogari. Këtë e kemi thënë publikisht. Dhe, natyrisht, pjesë e diplomacisë sonë me Serbinë kanë qenë edhe pritjet tona që z.Radoiçiq dhe autorët e tjerë të kësaj vepre kriminale të mbajnë përgjegjësi. Kjo vazhdon të jetë pjesë e bisedës sonë dhe shpresojmë ta shohim të ndodhë së shpejti. Dëshiroj të vë në pah se sipas mendimit tim, Kosova mund të ndihmojë për këtë.

Sa e di unë dhe zyrtarët serbë kanë folur për këtë, ata kanë parashtruar kërkesë zyrtare përmes kanaleve zyrtare për ndihmë juridike reciproke, që t’ju sigurohen provat që iu duhen për ta ndjekur penalisht z. Radoiçiq, të cilat i kanë autoritetet kosovare. Sërish, në baza politike, do të shpresoja që Qeveria e Kosovës t’i përgjigjet kësaj kërkese, sepse dëshironi që të siguroni që të ketë ndjekje penale dhe që z. Radoiçiq, si dhe të tjerët që ishin të përfshirë, të japin përgjegjësi për veprën e tyre kriminale.

Radio Evropa e Lirë: A ka rezultate nga hetimet? Ish-ndihmësi i sekretarit të Shtetit, Escobar, e ka përmendur se ka mundësi që sulmi ka pasur lidhje financiare dhe organizative me shtetin e Serbisë.

Jeffrey Hovenier: Nuk kam gjë për të shtuar për këtë.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se mungesa e përgjegjësisë për Banjskën e ushqen këtë narrativ se Perëndimi po e qetëson Serbinë duke mbajtur qëndrim më të butë për shkak të interesave gjeopolitike, për ta pasur Serbinë në krah të saj, duke siguruar që Serbia të jetë në Bruksel e jo në Moskë.

Jeffrey Hovenier: E dini, mendoj se Shtetet e Bashkuara kanë qenë mjaft të qarta se presim që Kosova dhe Serbia t’i përmbushin disa standarde. Dhe, mendoj se kemi qenë – sërish, unë punoj në Kosovë për bukën e gojës – prandaj e tëra që mund të them është se besoj se Ambasada e SHBA-së në Beograd është mjaft e angazhuar në përpjekjet për të siguruar që Serbia t’i përmbushë gjërat që vetë ka thënë se do t’i kryejë. Dhe, kjo përfshin që z.Radoiçiq dhe autorët e tjerë të një krimi, të japin llogari për atë krim. Këtu, gjithashtu, përfshihet çështja që Serbia t’iu përmbahet dhe të përmbushë të gjitha detyrimet e saj që i ka marrë në dialog, ashtu siç po bëjmë ne këtu.

Top Channel

Share: