Taksat.
Kush paguan? Sa paguan?
Kush përfiton? Sa përfiton?
Kush kontribuon në formimin e buxhetit të shtetit? Si përdoret buxheti i shtetit?
Këto janë pyetje që duhet t’i bëjë çdo qytetar në çdo vemd të botës.
Këto pyetje duhet të bëhen nga të tërë ne pasi të tërëve ne na kërkohet që të votojmë për të përcaktuar ata që n’a drejtojnë në pushtetin qendror dhe vendor, që janë ata të cilët marrin vendime në emrin e të tërë qytetarëve për atë se si shpenzohen paratë që mblidhen nga taksat që ne paguajmë.
Një taksë është një tarifë e detyrueshme financiare ose një lloj tjetër takse e vendosur mbi një tatimpagues (person fizik ose juridik) nga një organizatë qeveritare për të financuar kolektivisht shpenzimet e qeverisë, shpenzimet publike, ose si një mënyrë për të rregulluar dhe reduktuar efektet e jashtme negative.
Pajtueshmëria tatimore i referohet veprimeve të politikave dhe sjelljeve individuale që synojnë të sigurojnë që tatimpaguesit po paguajnë shumën e duhur të tatimit në kohën e duhur dhe për të siguruar lejimet e duhura tatimore dhe lehtësimin tatimor.
Taksat përbëhen nga taksa direkte ose indirekte dhe mund të paguhen në para ose si ekuivalent i punës.
Të gjitha vendet kanë një sistem tatimor të vendosur, në mënyrë që të paguajnë për nevojat publike, të përbashkëta shoqërore ose kombëtare të dakorduara dhe për funksionet e qeverisë. Disa vende vendosin një përqindje të sheshtë të taksimit mbi të ardhurat vjetore personale dhe disa vende të tjera përdorin shkallën progresive bazuar në shumën e të të ardhurave vjetore.
Shumica e vendeve ngarkojnë një taksë mbi të ardhurat e një individi, si dhe mbi të ardhurat e korporatave. Vendet ose nën njësitë vendore shpesh aplikojnë gjithashtu taksa mbi pasurinë, taksa mbi trashëgiminë, taksa mbi dhuratat, taksat mbi pronën, taksat e shitjes, taksat e përdorimit, taksat mjedisore, taksat mbi pagat, detyrimet ose tarifat, etj.
Në terma ekonomikë, taksat transferojnë pasurinë nga familjet ose bizneset tek qeveria, e cila me anë të buxhetit të shtetit transferon dhe rishpërndan të ardhurat. Kjo ka efekte në rritjen ekonomike dhe mirëqenien ekonomike që mund të rritet (i njohur si shumëzuesi fiskal) ose të ulet (njohur si barra e tepërt e taksimit).
Rrjedhimisht, tatimi është një temë shumë e debatuar, pasi edhe pse taksimi konsiderohet i nevojshëm me konsensus të përgjithshëm në mënyrë që shoqëria të funksionojë dhe të rritet në mënyrë të rregullt dhe të barabartë përmes ofrimit të të mirave publike dhe shërbimeve publike, me anë të buxhetit të shtetit, ka edhe argumenta kundër taksimit apo kundër mënyrave e metodave të ndryshme të taksimit.
Në kushtet e ekonomisë së tregut, taksimi konsiderohet si opsioni më i zbatueshëm për të operuar qeverinë (në vend të pronësisë së gjerë shtetërore të mjeteve të prodhimit – socializmi), pasi taksat i mundësojnë qeverisë të gjenerojë të ardhura pa ndërhyrë shumë në treg dhe në vendim marrjen e bizneseve private. Në këto kushte taksimi ruan efikasitetin dhe produktivitetin e sektorit privat duke i lejuar individët dhe bizneset të marrin vendimet e tyre ekonomike, të angazhohen në prodhim fleksibël, konkurrencë dhe inovacion si rezultat i forcave të tregut.
Në një vend ku ekziston ekonomia e tregut, pra kapitalizmi, vjelja e taksave synon të rrisë të ardhurat për buxhetin e shtetit, për të ndikuar në harmonizimin e kostove dhe përfitimeve të shoqërisë dhe invididëve të asaj shoqërie. Me anë të manaxhimit të shpenzimeve të buxhetit të shtetit, qeveritë i përdorin paratë e siguruara nga taksat për të kryer shumë funksione, të tilla si shpenzimet për infrastrukturën ekonomike (rrugët, transportin publik, kanalizimet, sistemet ligjore, sigurinë publike, arsimin publik, sistemet e shëndetit publik), ushtrinë, kërkimin dhe zhvillimin shkencor, kulturën dhe artin, punët publike, shpërndarjen, mbledhjen e të dhënave dhe shpërndarjen, sigurimin publik dhe funksionimin e vetë qeverisë, etj.
Aftësia e një qeverie për të rritur taksat quhet kapaciteti i saj fiskal. Kur shpenzimet tejkalojnë të ardhurat tatimore, një qeveri akumulon borxhin e qeverisë. Një pjesë e taksave mund të përdoret për të shërbyer borxhet e mëparshme. Qeveritë përdorin gjithashtu taksat për të financuar mirëqenien dhe shërbimet publike. Këto shërbime mund të përfshijnë sistemet arsimore, pensionet për të moshuarit, përfitimet e papunësisë, pagesat e transfertave, subvencionet dhe transportin publik. Sistemet e menaxhimit të energjisë, ujit dhe mbetjeve janë gjithashtu shërbime të zakonshme publike.
Në terma ekonomikë, tatimi transferon pasurinë nga familjet ose bizneset tek qeveria e një kombi. Adam Smith shkruan në librin e tij “The Wealth of Nations” se “…të ardhurat ekonomike të njerëzve privatë janë të tre llojeve kryesore: qiraja, fitimi dhe pagat.
Tatimpaguesit e zakonshëm përfundimisht do të paguajnë taksat e tyre nga të paktën një prej këtyre burimeve të të ardhurave dhe Qeveria mund të synojë që një taksë e caktuar të bjerë ekskluzivisht mbi qiranë, fitimin ose pagat – dhe se një taksë mund të bjerë edhe në të tre burimet e të ardhurave private së bashku.
Megjithatë, shumë taksa do të bien në mënyrë të pashmangshme dhe të ndryshme mbi këto burimet dhe mbi këta persona … Taksat e mira plotësojnë katër kritere kryesore (1) ato aplikohen ndaj të ardhurave ose aftësive për të paguar (2) të jenë të mirëpërcaktuara dhe jo arbitrare (3) të jenë të pagueshme në kohë dhe në mënyra të përshtatshme për tatimpaguesit dhe (4) të jenë transparente për t’u administruar e mbledhur”.
Në rastin e Shqipërisë kontributorët kryesorë të ekonomisë janë sektori i shërbimeve me rreth 55%, bujqësia me rreth 20% dhe industritë me rreth 25%. Pra, edhe në lidhje me buxhetin e shtetit, kontribuesit kryesorë duhet të jenë këta sektorë, por në fakt, ndodh e kundërta.
Nga këndvështrimi i llojit të detyrimit fiskal, buxheti i shtetit në Shqipëri aktualisht formohet nga tatimi mbi vlerën e shtuar, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, akcizat, etj, duke marrë parasysh këtu edhe faktin se rreth 50% e ekonomisë shqipotare është e tipit ekonomi e zezë dhe ekonomi gri, dy lloje ekonomie që nuk paguajnë detyrimet fiskale.
Ekonomia e zezë nuk paguan asgjë sepse është ekonomi ilegale, korruptive dhe e jashtëligjëshme, ndërsa ekonomia gri nuk paguan asnjë lloj detyrimi fiskal, por që mund të ligjërohet dhe më pas mund të paguajë detyrimet fiskale sipas ligjit.
Edhe pse në rreth 10 – 15 vitet e fundit ka një rritje të madhësisë së buxhetit të shtetit në vlerë parash, duket se pjesa më e madhe e taksave që vilen në Republikën e Shqipërisë vijnë nga shtresa e mesme, e cila në të vërtetë është pakicë (vetëm rreth 10 – 15% e popullsisë, por që përfaqëson rreth 26 – 30% të konsumit), pasi në vend ka shumë të varfër (rreth 70%) dhe një pjesë shumë e vogël e popullsisë që është shumë e pasur.
Edhe pse popullsia në vend ka rënë në vazhdimësi, ngarkesa fiskale është rritur vetëm ndaj atyre që paguajnë taksat që shkojnë për shpenzimet në buxhetin e shtetit. Pjesa më e madhe e shpenzimeve të buxhetit të shtetit kanë qenë në formën e aseteve fizike dhe shpenzime operative, kryesisht investime në infrastrukturë e blerje qeveritare dhe shumë pak investime kanë shkuar për fuqizimin dhe përmirësimin e cilësisë së kapitalit njerëzor (shumë pak investime në arsim e shëndetsi). Në aspektin e rritjes së pagave, edhe pse vitet e fundit ka një prirje për rritjen e pagave kryesisht në sektorin publik, që është rritje e shpenzimeve të buxhetit të shtetit në këtë zë, kjo bëhet për arsye politike, pasi edhe pse Shqipëria mund të qeveriset me vetëm 75.000 punonjës të administratës publike, ajo vazhdon q ëtë qeveriset me rreth 200,000 punonjës, që shërbejnë si një armatë në rastin e zgjedhjeve.
Këta në shumicën e rasteve nuk bëjnë gjë tjetër veçse dublojnë, triplojnë e kuadriplojnë njëri-tjetrin në zyrat e shtetit dhe nuk realizojnë qoftë edhe një fije letër për të qenë që t’i hyjë në punë dikujt në zyrat e shtetit.
Nga një këndvështrim tjetër, edhe pse pjesa më e madhe e popullsisë është përqendruar në segmentin Tiranë – Durrës, ku nuk ka pothuajse aspak burime natyrore (gjë që tregon dritëshkurtësi nga të tërë lojtarët në treg – individët, fmailjet, bizneset dhe qeveria), përsëri një pjesë e mirë e investimeve publike orientihen në zona ku piothuajse nuk banon asnjë qytetar dhe kjo përbën shpërdorim të taksave dhe besimit të taksapaguesve, shtuar këtu faktin e shpërdorimeve të mëdha në prokurimet publike.
Duket se edhe pse ka rritje ekonomike, kjo rritje ekonomike nuk kontribuon në reduktimin e varfërisë, sepse edhe pse Produkti i Përgjithshëm Kombëtar (GDP) është rritur, sasia e parave që vilen për të formuar buxhetin e shtetit nuk është rritur me atë ritëm që rritet ekonomia. Nga kjo del se ata që kanë paguar dhe vazhdojnë të paguajnë taksa do paguajnë edhe në të ardhmen, ndërsa ata që nuk kanë paguar taksa dhe që ende nuk paguajnë, përsëri nuk do paguajnë. Kjo do ndodhë nëse nuk ndryshojmë sjelljen ndaj qytetarit dhe biznesit, ndaj ekonomisë individuale, asaj kolektive dhe asaj kombëtare.
Për shembull, në buxhetin e vitit 2024, të ardhurat parashikohet të arrijnë në rreth 28% të PPB, dhe edhe pse PPB është rritur, të ardhurat janë llogaritur rreth 0.5% në rënie. Kjo është një llogaritje që është në favor të argumentit tim që sjell në këtë shkrim se ata që nuk kanë paguar taksa vazhdojnë të mos paguajnë, ndërsa ata që kanë paguar gjithmonë, vazhdojnë të paguajnë rregullisht, sepse në të kundërt, meqë të ardhurat rriten, edhe kontributi në buxhetin e shtetit duhet të rritet.
Në aspektin rajonal, konkretisht, edhe pse pothuajse gjusma e popullsisë banon në zonat rurale, asnjë fermer dhe familje fermere nuk paguan taksa. As taksa mbi prodhimin dhe as taksa mbi pronën (tokën bujqësore). Duket se ka një konsensus midis politikanëve shqiptarë që çështjen e taksimit të banorëve të zonave rurale të mos e prekin, ndërkohë që të tërë këta banorë përfitojnë nga shpenzimet publike në lidhje me rrugët, spitalet, shkollat, etj, njësoj si edhe qytetarët e tjerë të Republikës së Shqipërisë që kontribuojnë në buxhetin e shtetit me taksat që ata paguajnë.
Përsëri në aspektin rajonal, në lupën e inspektoriateve janë më së shumti ata që e kanë biznesin të lokalizuar në qytet dhe kryesisht në qendër të qytetit, se sa ata që janë me biznes në fshat dhe në periferi të qyteteve. Si rëzultat edhe evazioni fiskal është më i madh atje ku nuk ka kontroll se sa atje ku ka kontroll.
Edhe në aspektin sektorial del se bujqësia nuk paguan asnjë lloj takse, pasi pothuajse 350.000 fermat që ka Shqipëria nuk paguajnë asnjë taksë mbi prodhimin, dhe edhe ato rreth 50.000 ferma që kanë numër identifikimi (për shkak të lejimit që të tregtojnë dhe të futen në sistemin e përllogaritjeve të TVSH-së për nënsektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë dhe nënsektorin e hoteleri turizmin), duket se nuk paguajnë asnjë taksë.
Po në aspektin sektorial, ka sektorë që nuk kontribuojnë në të njëjtën masë sa disa sektorë të tjerë.
Për shembull, industria fason. Nuk sjell asnjë kokërr leku në buxhetin e shtetit. Fasoneria është një sektor historikisht i privilegjuar, me arsyetimin e gabuar se ndikon dhe ndihmon në punësim, ndërkohë që ky sektor ja ka marrë punonjësit sektorëve të tjerë të ekonomisë shqiptare (pasi në vend nuk ka rritje natyrore të popullsisë, përkundrazi rënie) dhe i ka trajtuar këta punonjës me paga qesharake për vite me radhe dhe duke mos përmbushur në më të shumtën e rasteve edhe detyrimet e tjera ndaj tyre si sigurimet shoqërore e shëndetore, e lejet e zakonshme, etj.
Le të krahasojmë turizmin dhe ndërtimin. Ky i dyti është i tejmbushur me taksa dhe nga ana tjetër ka edhe një mbikqyrje shumë më të madhe nga ana inspektoriateve krahasuar me sektorët e tjerë, kur edhe në aspektin e riskut dhe të manaxhimit të tij, qytetarët janë më të ekspozuar ndaj riskut në disa sektorë të tjerë se sa ekspozimi ndaj riskut që vjen nga sektori i ndërtimit.
Në aspektin e veprimtarive, taksimi në Shqipëri është i bazuar mbi konsumin, pasi taksat janë kryesisht TVSH, akciza dhe mbi të ardhurat, etj, dhe jo taksim bazuar në prodhim, pasi në Shqipëri asnjë sektor nuk është premtues në lidhje me prodhimin, sepse në vend nuk ka industri serioze të rëndë dhe të lehtë dhe nuk ka asnjë lloj tjetër veprimtarie prodhuese që mund të klasifikohet në këto dy grupe. Pra edhe në këtë aspekt, taksimi orientihet me synim shtresën e mesme, e cila është ajo që konsumon cilësisht dhë në sasi.
Duke sjellë këto argumente dhe duke bërë këto llogari, del se shtresa mesme në Shqipëri po shfrytëzohet në mënyrë të padrejtë dhe aspak humane, kur dihet fare mirë se është shtresa mesme ajo që nëse mbështetet, shërben për rritjen ekonomike dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.
Në këtë aapekt ka ardhur koha që të zgjedhim ose taksat t’i paguajnë të gjithë ata që duhet të paguajnë, ose asnjë dhe meqënëse në rastin se nëse askush nuk paguan taksa do të thotë rënie automatike e shtetit dhe e pushtetit, duhet që të tërë të kontribuojnë si në aspektin individual, ashtu dhe në aapektin rajonal e sektorial.
O të gjithë, o asnjë!